Kulturë

“Aroma e hënës” për zbërthimin e lirisë me fuqinë e fjalës

Descriptive Text

Regjisorja Rozi Kostani ka bërë kërkimin për gjetjen e karaktereve që do ta sjellin si një copëz jete veprën “Aroma e hënës” të Mehmet Krajës. “Ai godet fuqishëm me fjalën dhe ajo është aty ku unë do të mbështetëm dhe do të analizoj personazhet, konfliktet dhe marrëdhëniet në bazë të kësaj”, ka thënë regjisorja gjersa ka përmendur tekstin e Mehmet Krajës

Prishtinë, 20 shtator – “Çfarë është për ty liria?”, kjo është një ndër pyetjet që së fundi, regjisorja Rozi Kostani është orvatur ta zbërthejë. I është ngulitur në mendje kjo pyetje pasi është esenciale në projektin e saj të ri që ka nisur ta çojë përpara. Pyetja që ajo bën e kishte munduar për shumë kohë edhe shkrimtarin e akademikun, Mehmet Kraja. Kostani do të bëjë regjinë e veprës së tij “Aroma e hënës”.

E botuar vitin e kaluar, drama është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”. Kraja e kishte nisur këtë trilogji në vitin 1982, e kishte përfunduar vitin e kaluar me botimin e dy dramave “Marsi, Zoti i luftës” dhe “Aroma e hënës” dhe rishkrimin e dramës “Hëna prej letre”. “Dramat e trilogjisë janë tri rrëfime skenike për tri kohë”, kishte thënë Kraja, një shkrimtar që sipas Kostanin di se si të përdorë fuqinë e fjalës. Këtë do të mundohet ta bëjë edhe aktorja e regjisorja Kostani, e cila është njëkohësisht profesoreshë në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Pasi që ka përfunduar audicionet me shumicën e aktorëve pjesë e trupës së ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka zbuluar për KOHËN disa detaje për konceptin e saj regjisorial. Pas pesë javësh pritet të marrë formë gjithçka.

Shumica e aktorëve të kësaj shfaqjeje do të jenë nga ansambli, por nuk është përjashtuar mundësia për angazhim të aktorëve nga jashtë. Kostani ka thënë se po përpiqet që të gjejë natyra aktoreske, të cilat u përshtaten këtyre karaktereve në bazë të një realiteti jo për t’i shkuar natyralizmit, por për të marrë copëza nga jeta.

“Pra, të vërteta në mënyrë që publiku ta perceptojë vërtet si një copëz jete atë që po ndodh në skenë. Sigurisht se bazë është teatri i fjalës. Nuk është se do të eksplorohet me mjete shumë alternative. Do të zgjerohem në zbërthimin e karaktereve dhe të marrëdhënieve, të konfliktit të brendshëm dhe të jashtëm”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ka goxha njohje me aktorët e Kosovës të cilët i ka parë në shumë shfaqje, por që ky lloj bashkëbisedimi që u bë të hënën, sipas saj, i çliron aktorët. Me këtë regjisorja tenton që të shohë më thellë se si mund të zhvillohen karakteret, të cilët ajo i kërkon. Ana vizuale do të jetë një aspekt tjetër, i cili do të zbulohet më pas.

Tani ajo e ka të qartë se fokusin do ta ketë te fjala. Për regjisoren, pikërisht fjala është një ndër elementet më të fuqishme të teksteve të akademikut Mehmet Kraja.

“Ai godet fuqishëm me fjalën dhe ajo është aty ku unë do të mbështetëm dhe do të analizoj personazhet, konfliktet dhe marrëdhëniet dhe në bazë të kësaj do të zgjedhim të tërë ansamblin, mënyrën e punës dhe unifikimin e marrëdhënieve”, ka thënë ajo.

Se kush u bë pjesë e ekipit që do të realizojë shfaqjen do të bëhet e ditur sot (e martë). “Por, zgjedhjet, jam gati drejt përfundimit”, ka thënë ajo duke bërë të ditur se provat më pas do të nisin të mërkurën.

Procesi do të jetë një cikël ushtrimesh për përgatitjen e aktorëve për të kaluar drejt tekstit dhe zbërthimit të tij.

Propozuar nga zëvendësuesi i udhëheqësit artistik, Shefqet Gjocaj, teksti i Krajës është miratuar nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni, i cili po ashtu për këtë sezon ka miratuar edhe dy tekste për skenë të vogël: “Muslimani” të Enver Petrovcit dhe “Kuartet” të Heiner Muller. Gjocaj ka thënë se deri tani i gjithë procesi është duke shkuar siç duhet dhe regjisorja dhe aktorët janë duke gjetur një gjuhë të përbashkët.

“Është një tekst në të cilin flitet për pasluftën në Kosovë, për lirinë dhe njerëzit në një redaksi gazete, njerëzit që nuk dinë sesi të sillen me lirinë, është ndryshe nga ajo që ata e kanë projektuar përpara se ajo të vijë”, ka thënë Gjocaj.

Në mesin e aktorëve që u bënë pjesë e këtij audicioni ishte edhe Basri Lushtaku. Ai ka sqaruar se audicioni ishte më shumë një bashkëbisedim me regjisoren.

“Në bazë të konceptit që pak a shumë mora nga regjisorja e pash që ishte një koncept interesant të punës dhe asja që dëshiron që të vë në skenë. Mbetet për të parë më shumë se çfarë do të sjellë nga ky tekst i Mehmet Krajës, mirëpo e njoh punën e regjisores dhe po shpresoj që do të dalë diçka e bukur dhe kjo shfaqje do të ketë sukses”, ka thënë ai.

E aktorja Teuta Krasniqi ka thënë se në mënyrë të përgjithshme regjisorja ua ka treguar konceptin e saj regjisorial.

“Ishte një audicion më ndryshe një lloj testi, loje, ushtrimi, nëse do mund ta quaja të tillë e të cilin unë e shijova. Energjia ishte shumë e mirë, shumë pozitive, këndshëm dhe 10 minutat e mi shkuan shumë shpejt dhe po shpresoj që do t’i zgjedh ata që natyrisht do t’i duhen për projekt pasi që jemi 25 aktorë pjesë e ansamblit dhe sa kuptova do të jenë vetëm 10 aktorë në shfaqje”, ka thënë ajo.

Për këtë shfaqje janë vetëm dy role për aktore. E njërin nga këto dy role, përveç Krasniqit e aktoreve të tjera, e synon edhe aktorja Sheqerie Buqaj.

“Rozin e njoh edhe më herët pasi që jemi si gjeneratë dhe kemi pasur takime miqësore, ani pse nuk kemi punuar më herët. Në anën tjetër, kam luajtur edhe më herët në tekste të Mehmet Krajës te ‘Grafitet’”, ka thënë Buqaj. Buçaj tashmë ka një ide se çfarë nga ky tekst e ka provokuar regjisoren për t’iu qasur dramatizmit të saj.

Kjo është premiera e tretë e Teatrit Kombëtar të Kosovës për këtë vit në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Njëkohësisht është premiera e parë për këtë sezon, pasi “La Rrém” e Kushtrim Koliqit dhe “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” me regjit të Erson Zymberit ishin premierat e sezonit të kaluar.