Kandidatët e sivjetmë për çmimin më të madh për arkitekturë në Mbretërinë e Bashkuar, “Riba Stirlint” për arkitekturë të re, mes tjerash, përfshijnë një xhami mahnitëse në Cambridge e një ndërtesë neo-klasike në Londër që disa duan ta rrënojnë
Një xhami mahnitëse e drunjtë në Cambridge do të garojë kokë më kokë me një urë këmbësorësh dhe disa hangarë anijesh në Lake District në garën e këtij viti për ndërtesën e re më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkë me to, për çmimin “Riba Stirling” garon edhe një qendër e studentëve në Universitetin Kingston, një kompleks banimi në Cambridge, dhe një apartament shumë i diskutuar me mure guri në Londër, i cili për pak u rrënua nga këshilli lokal.
Xhamia është objekti më “fotogjenik” i kësaj gare dhe me shumë gjasa do ta fitojë çmimin. Dizajnuar nga Marks Barield, grup arkitektësh që punuan Syrin e Londrës, xhamia ka detaje “high tech” që karakterizojnë vendin e lutjeve. Një rrjetë e kolonave që ngjasojnë me lisa që ndërlidhen duke formuar një kupolë si punim filigrani mbi dhomën e lutjeve reflekton stilin gotik të ndërtesave me gurë. Duke përfshirë punime nga Cambridge Gault, të dekoruara me mbishkrime arabike, dhe vende për abdes sikur banja luksoze, objekti me vlerë 23 milionë paund është një shkrirje mes traditës islamike dhe asaj vendase, duke krijuar kështu një prototip për xhamitë moderne në Britani.
Infrastrukurë e prekshme... Ura për këmbësorë Tintagel Castle nga Ney & Partners dhe William Matthews Associates (Foto: Hufton + Crow)
Një “rishpikje” po aq interesante është ura për këmbësorë “Tintage Castle”. E vendosur mbi një grykë të lartë që ndan pjesën kryesore të Cornwall nga vendi i legjendës së Arturit, ura e hollë shkëlqen sikur rrjetet e merimangave në brymën e mëngjesit. Struktura që kushtoi 5 milionë paund, duket jashtëzakonisht e hollë. Dizajnuar nga specialistët belgë të urave, “Ney & Partners”, dhe William Matthews (i njohur për dizajnin e rrokaqiellit “Shard”), ura ka një kualitet të pazakontë sikur të ishte punuar me dorë. Parmakët janë të punuar nga druri i dushkut, ndërsa pjesa tjetër është punuar nga pllaka guri në llaç, që japin ndjenjën e të ecurit në një kuti të menteve “After Eight” mbi valë.
I qetë dhe serioz... Muzeu Windemere Jetty nga Carmody Groarke (Foto: Christian Richter)
Një kombinim i ngjashëm i natyrales dhe së rafinuarës gjendet te Muzeu “Windemere Jetty” në Lake District. Dizajnuar nga Carmody Groarke si grumbull hangarësh të zinj, kompleksi me vlerë 20 milionë paund dallon nga objektet e tjera nga guri që janë tipike për këtë zonë. Inspiruar nga hangarët e anijeve dhe hambarët e fermave, muret e bakrit të oksiduar të hangarëve kanë ngjyrë të gjelbër shumë të errët, teksa disa pjesë anësore janë larguar duke lënë vetëm çatitë. Rrethuar nga dru bredhi duke reflektuar kënaqësitë që jep liqeni, këto objekte janë vendosur me kujdes për të ofruar pamje panoramike të liqenit dhe për të lejuar ujin të hyjë brenda (që nganjëherë sjell edhe mjellma e vidëra).
Mundi i universiteteve për të tërhequr sa më shumë aplikantë vërehet në Kingston Town House, një qendër studentësh si pallat në Londër me vlerë 50 milionë paundë. Dizajnuar nga kompania fituese e çmimit “Pritzker”, “Grafton”, kjo ndërtesë bën bashkë një librari dhe studio vallëzimi në një “katedrale” disakatëshe ku ndeshen e ndërlidhen elemente të shumta. Vende të qeta për lexim japin pamje të sallës së vallëzimit nga lartë, teksa shkallët e gjera që çojnë lart te një kafene në kulm, përshkojnë ndërtesën. Nga kjo kafene mund të shihen Hampton Court Palace dhe lumi Tamiz. Një seri e ballkoneve karakterizojnë pjesën e jashtme të ndërtesës, duke dhënë ndjenjën e një peizazhi të hapur për studim, i dizajnuar të mundësojë takime mes studentëve – që tingëllon si mundësi e mirëseardhur pas disa muajve të mësimit online.
Marramendëse... Qendra e studentëve ne Kingston University nga Grafton Architects (Foto: Alice Clancy)
Në garën e këtij viti është edhe një kompleks banimi jo fort tërheqës nga Cambridge University. Pjesë e periferisë së Eddingtonit, ky kompleks ndërtesash nga Stanton Williams është inspiruar nga format e sallave të zbrazura të universitetit.
Ky projekt është dizajnuar me zotësi, me vende për biçikleta dhe kontenjerë nëntokësorë, por prapëseprapë ka diçka të mërzitshme në këtë projekt. Ndërtesat kanë një ngjyrë bezhi të theksuar dhe duken shumë të qeta – ndoshta është imitim i Accordias, një projekti të shpërblyer i vitit 2008 në po të njëjtin qytet. Një prej projekteve të banimit të Peter Barberit do të kishte qenë më i përshtatshëm për garën e sivjetme.
Bezhë e theksuar... Kompleksi banesor Key Worker Housing ne Eddington, Cambridge, nga Stanton Williams (Foto: Oliver Wainwright)
Në fund, për t’i bërë gjërat më interesante, në garë përfshihet një ndërtesë origjinale të cilën këshilli i Islington u mundua shumë ta rrënonte. Fasada e këtij objekti është një rrjetë katrore me kolona nga guri gëlqëror. Në ditët e sotme, guri përdoret vetëm si dekorim, mirëpo në këtë ndërtesë në Islington, guri është përdorur për të mbajtur strukturën e ndërtesës. Kjo, sipas arkitektit Amin Taha, kushton më pak, ndërtohet më shpejt, dhe prodhon shumë më pak dyoksid karboni sesa një ndërtesë e ngjashme me beton e çelik.
Shumë origjinal... 15 Clerkenëell Close, Londër, nga Groupwork dhe Armin Taha Architects (Foto: Oliver Wainwright)
Dizajni interesant i kësaj ndërtese nuk e bindi këshillin e Islingtonit, i cili deklaroi se ndërtesa me vlerë 5 milionë paund ishte “e vrazhdë, e shëmtuar dhe e dëmshme për zonën e ruajtur”. Kështu u dha urdhër për rrënimin e ndërtesës. Mirëpo, pas shumë procedurave ligjore, një inspektor i planifikimit urban vendosi në favor të arkitektit Taha.
Do të ishte hakmarrje simbolike po qe se kjo ndërtesë shpallet fituese e çmimit, pasi që niveli i punës dhe inovacioni që ajo përmban ia vlen të shpërblehen. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, juria e çmimit “Stirling” nuk do të vendosë për një objekt të lënë pas dore, por për një projekt që u shërben shumë njerëzve.
Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Lundrim Sadiku.