Kulturë

Piktori që e ruajti kujtesën për lagjen shqiptare në Damask

Foto e ndërtuar

Zuhair Xheladini, nipi i Hafiz Islam Prishtinës, piktori që krijoi në Siri, Jordani dhe tani në Austri, është autori i shumë pikturave që ruajnë kujtesën kolektive për lagjen shqiptare në Damask, e cila gati u shkatërrua

 

Zuhair Xheladini, nipi i Hafiz Islam Prishtinës, piktori që krijoi në Siri, Jordani dhe tani në Austri, është autori i shumë pikturave që ruajnë kujtesën kolektive për lagjen shqiptare në Damask, e cila gati u shkatërrua

Në librin e posabotuar, “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme”, ia kushtova një kaptinë një figure të njohur në mesin e kolonisë shqiptare në Damask që u formua me ardhjen e shqiptarëve nga Kosova si pasojë e masakrave gjatë luftërave ballkanike 1912-1913, si dhe gjatë presionit shtetëror kundër tyre në periudhën midis dy luftërave botërore 1918-1939. Fjala është për Hafiz Islam Prishtinën, i cili ishte figurë me kulturë të gjerë që mbajti lidhjen me Kosovën deri në vdekjen e tij, më 1929. Vlen të përmendet këtu se ai u lind në Nekovc të Drenicës dhe e kreu Medresenë në Prishtinë e më vonë u bë myderriz në Medresenë Pirinaz në Prishtinë, deri në shpërthimin e Luftës Ballkanike në tetor 1912 dhe pushtimin serb të Kosovës. Në Damask vazhdoi kultivimin e poezisë në gjuhën shqipe me shkronja arabe, duke shkruar një mevlud që e dërgoi në Kosovë më 1921, i cili u njoh si “Mevludi i Hafiz Islamit”.

Në Damask iu lindi Abdulgani Xheladini (ashtu siç u bë e njohur familja tani), kurse më 1955 u lindi nipi Zuhair Xheladini, i cili u mor me pikturë duke vazhduar traditën e dy piktorëve më të njohur të kolonisë shqiptare në Damask: Enver Ali Arnauti (1911-1992) dhe Abdulkader Arnauti (1936-1992).