Artistët në Lima janë bërë bashkë për të transformuar një lagje të pjerrët në kryeqytetin peruan, duke u frymëzuar nga e kaluara para-inkasve.
Plani i tyre është që të ngjyrosin secilën prej një mijë shtëpive në San Cristobal për muralin gjigant që mund të shihet në krejt qytetin. E quajnë “Projekti Ylberi”.
Pas përfundimit, artistët thonë se do të jetë murali më i madh në Peru dhe do të shfaqë shumëngjyrëshin “Chakanas”, një formë arti nga kulturat e lashta të Andeve.
Grupi i artistëve “Energy”, anëtarët e të cilit jetojnë në San Cristobal, thonë se donin t’ia jepnin qytetit një pamje të re, sepse deri më tani njihej si zona më e rrezikshme në Lima.
“Jemi banorë të Limas. Ky grumbull njerëzish që nga lagjja e lartë San Cristobal mund ta shohë krejt qytetin. Për një kohë të gjatë kemi ëndërruar transformimin e lagjes me murale dhe këtë jemi duke e arritur me këto ngjyra që po i përdorim për krejt shtëpitë”, ka thënë artistja Carla Magan, anëtare e grupit “Energy”.
Restaurimi dhe ngjyrosja e lagjes janë sponsorizuar nga Komuna e Limas dhe një kompani private që besonte se do të hapte vende të reja të punës dhe do t’ua jepte njerëzve ndjenjën se i përkasin asaj lagjeje.
“Donim të ndryshonim stigmën, sepse për vite të tëra thoshin se kjo është një lagje e tmerrshme. Nuk kishim turp, por na erdhi në majë të hundës. Nga kjo ndjenjë, ne donim të ndryshonim pamjen e kësaj kodrine. Kush do ta bënte më mirë se ne që dimë si t’i përdorim ngjyrat”, ka thënë artisti i muraleve Daniel Marique, nga i njëjti grup artistësh.
Kodrina në Lima është me shtëpi prej tullave me rërë shkretëtire. Njerëzit që migronin nga qytetet malore në Peru janë vendosur në këtë pjesë të kryeqytetit në dekadat e fundit. Shtëpitë e 10 mijë banorëve pritet të jenë të fasaduara deri në përfundim të projektit artistik.
Përktheu: Gent Mehmeti