Kulturë

Filmi “Happening” i “Luanit të Artë” – dramë e fuqishme për abortin

Një studente e re franceze dëshpërohet gjithnjë e më shumë teksa kërkon mënyra ilegale për të abortuar, në dramën përplot emocion të Audrey Diwan, e cila të shtunën mbrëma mori “Luanin e Artë” në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. “‘Happening’ paraqet përjetimet e grave franceze të cilat donin të abortonin para se ministrja e atëhershme e Shëndetësisë në Francë, Simone Veil, të propozonte ligjin për legalizimin e abortit në vitin 1975”, shkruan mediumi britanik “Screen Daily” për filmin në të cilin luan edhe aktorja nga Kosova, Luana Bajrami, e njohur tash edhe si regjisore me “Luaneshat e kodrës” – bashkëprodhim francezo-kosovar, i xhiruar tërësisht në Kosovë me kastë aktorësh vendorë – që në korrik u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Cannes

Venecie, 12 shtator (screendaily.com) – Tani që shumë qeveri në mbarë botën po kalojnë ligje kundër abortit, filmi i dytë i Audrey Diwan është aq i rëndësishëm sa edhe i përshtatshëm për kohën. Mirëpo kjo nuk do të thotë që pesëmbëdhjetë minutat e fundit të filmit janë të lehta për t’u shikuar. Duke qenë një adaptim i romanit autobiografik të Annie Ernauxit, në të cilin roman ajo rikujton përvojën e saj si studente njëzetetrevjeçare në vitin 1963, filmi “Happening” paraqet përjetimet e grave franceze të cilat donin të abortonin para se ministrja e atëhershme e Shëndetësisë në Francë, Simone Veil, të propozonte ligjin për legalizimin e abortit në vitin 1975.

Shtiza të qëndisjes, gërshërë, dhe një vegël e “mjekëve” ilegalë të abortit që thirrej “shkop magjik”, paraqiten në skenat e përgjakshme të cilat nuk është lehtë për t’i shikuar pa i mbuluar sytë me duar. Prapëseprapë, po të njëjtët shikues do të thonë se këto skena duhen parë! Mesazhi që Diwan mundohet të përçojë është i qartë: këto skena tregojnë se çka përjetoi Annie Ernaux si njëzetetrevjeçare, kur gati vdiq si pasojë e ligjeve që ndalonin abortin. Të njëjtat skena do të përsëriten nëse ligjet e njëjta mbesin në fuqi.

Sidoqoftë, nëse “Happening” nuk shpërndahet e nuk shikohet nëpër botë, arsye nuk do të jetë vetëm fakti që tmerret e abortit ilegal paraqiten në mënyrë shumë të hapur. Pjesa më e madhe e filmit që i paraprin kulmit emocional nuk vendos aq shumë tension dramatik mbi supet e aktores francezo-romune Anamaria Vartolomei, e cila filloi karrierën e saj si dymbëdhjetëvjeçare në filmin “My Little Princess” të Eva Ionescos. Ajo me shumë zotësi sjell në jetë karakterin e Annes, një studente e letërsisë që tmerrohet kur kupton se është shtatzënë, si rezultat i një takimi të shkurtër. Vartolomei shfaqet në secilën skenë të filmit, të xhiruar në një kuadër klaustrofobik (me përmasa 4:3) , duke përçuar një shkrirje emocionesh mes fragjilitetit dhe vendosmërisë.

Image

Nga e majta: Anna Mouglalis, Anamaria Vartolomei, Audrey Diwan, Luana Bajrami dhe Louise Orry Diquero, pozojnë para fotografëve për filmin "Happening” në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecie, të hënën, më 6 shtator 2021 (Foto: AP)

Audienca shpreh empati ndaj Annes, mirëpo duke mbajtur distancë; njëjtë si edhe vetë protagonistja e cila sheh si zgjidhje mbylljen në vete derisa të arrijë qëllimin e saj. Momenti i vetëm kur Anne shfaqet e hapur me dikë në film është kur një zjarrfikës e pyet se çka nuk shkon, e ajo i përgjigjet me: “Jam e vetmuar”.

Mbase duke synuar t’i qëndrojë besnik burimit, romanit autobiografik të Annie Ernaux, filmi “Happening” shfaq ndodhitë e dymbëdhjetë javëve para krizës përfundimtare, duke shënuar secilën javë me një titull të veçantë. Mirëpo, përmes kësaj paraqitjeje, regjisorja Diwan dhe skenaristja Marcia Romano e kanë të mundur të vendosin shtatzëninë e Annes në një kontekst më të gjerë shoqëror. Si studente e letërsisë në Universitetin e Angouleme, Anne jeton në një konvikt studentësh bashkë me shoqet e saj të ngushta, Helene (të portretizuar nga aktorja shqiptare Luana Bajrami) dhe Brigitte (Louise Orry-Disquero). Anne është studente e zonja dhe shtatzënia e saj – e vërtetuar nga një mjek simpatik por i paaftë për ta ndihmuar – vjen sikur dënim me vdekje. “Shtatzënia është”, sipas Anne, “sëmundja që shndërron gratë franceze në shtëpiake”.

Një shok të cilit Anne i drejtohet për ndihmë i përgjigjet duke kërkuar favore seksuale, për shkak se duke qenë shtatzënë ajo nuk është më rrezik për të, si dhe pasi që ajo ka pasur marrëdhënie seksuale më parë do të thotë që ajo është e gatshme përsëri. Kur Anne u tregon shoqeve të saj të ngushta për shtatzëninë, Brigitte i thotë që nuk ka para të përfshihet në këtë çështje, sepse çdokush që ndihmon një abort ilegal ndiqet nga ligji. Kështu që pas një vizite të shkurtër te prindërit e saj të cilët nuk mund të ndihmojnë dhe pas një fundjave të tmerrshme me partnerin e saj, i cili do vetëm t’i largohet problemit, Anne, që tashmë është gjithnjë e më e izoluar, vendos të kryejë abortin vetë me një shtizë të nxehtë për qëndisje.

Prej këtu, filmi përshkallëzon në dy skena të përgjakshme e të vështira për t’u parë në papafingon e apartamentit te një “mjeke” abortesh ilegale (të portretizuar nga Sandrine Bonnaire). Gjithçka tjetër, duke përfshirë këtu synimin e Annes për të përfunduar studimet, pasionin e saj për të shkruar, vendosmërinë që të mos bëhet viktimë e presionit shoqëror, zëvendësohet nga dhembja e agonia teksa ajo përpiqet të mos qajë në papafingon e papastër e me mure të holla.

Një melodi e ngadalshme e pianos shoqëron skenat gjatë javëve kur jeta dhe e ardhmja e Annes janë në pikëpyetje. Mirëpo veçoria më e shquar e filmit është fakti se vitet ‘60 janë shfaqur në mënyrë minimaliste, e cila i ngjason shumë Francës provinciale sot, përveç kravatave, xhaketave, dhe këngëve të rock n’rollit.

Marrë nga “screendaily.com”. Titulli është i redaksisë. Përktheu: Lundrim Sadiku