Kulturë

“Luaneshat e kodrës” nga Kosova në Cannes me energjinë rinore

Tema e filmit ka të bëjë me ëndrrat, rebelimin e ngulmimin në arritje të qëllimit. Mbi të gjitha, me energjinë rinore. Por paralelisht, ekipi i “Luaneshat e kodrës”, nën regji të Luana Bajramit, e dëshmon një gjë të tillë edhe në jetën reale e këtë energji e ka çuar edhe në ngjarjen e madhe. I shfaqur premierë botërore të enjten në Festivalin e Filmit në Cannes, rrëfimi nga Kosova – që garon në programin paralel ”Director's Fortnight” – është zbërthyer si histori universale. Pamjet shpalosin peizazhin e veçantë e të bukur të Kosovës, por aty përbirohet edhe çështja e mungesës së liberalizimit të vizave. Megjithatë, bashkë me regjisoren Bajrami, aktorët Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj e Andi Bajgora tashmë kanë shkelur në Cannes

Filmi “Luaneshat e kodrës” ka goditur me të parën kur u përzgjodh për Festivalin e Filmit në Cannes, por e ka rikonfirmuar këtë edhe me premierën botërore në këtë ngjarje të madhe, të enjten pasdite. Nën regji të Luana Bajramit, rrëfimi i gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh për t’i shpëtuar fatit të paracaktuar, është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë, që shfaqet në ngjarjen e madhe të filmit në botë. Bajrami, e cila në Francë ku jeton e vepron njihet edhe si aktore, me “Luaneshat...” debuton në metrazh të gjatë. Në Festivalin e Cannes që sivjet shënon edicionin e 74-t, nuk është në garën zyrtare për “Palmën e Artë”, por në programin paralel ”Director's Fortnight”, që megjithatë merr vëmendje të madhe e ku zbulohen emra të së ardhmes në kinematografi.

Adrenalina e mornicat kapin shikuesin që në skenat e para. Publiku në Kosovë e vende të tjera ka mundësi të shohë vetëm disa skena. I qasshëm është vetëm traileri. Shikuesit e Festivalit të Cannes, të parët që kanë pasur mundësinë ta shohin të plotë, e kanë duartrokitur gjatë. Kjo u dëshmua edhe nëpërmjet videove që shpërndau ekipi i filmi i pranishëm në premierë, në “Theatre Croisette”, me kapacitet mbi 800 ulëse.

“Na duhet me mëndu ndryshe. A e krijojmë një bandë? Luaneshat e kodrës!”, është veç një bisedë e treshes: Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) dhe Jeta (Uratë Shabani). Pas kësaj, për vajzat që janë shoqe të pandashme, nis një kapitull tjetër. Në aventurën e re i bashkon ëndrra për të lënë fshatin e tyre të vogël, madje edhe Kosovën.

“Po presim për këto viza të m**** që kurrë nuk erdhën. Jemi në burg. Me u çmend krejt”, është një pjesë tjetër brenda filmit 83-minutësh e që zbulohet përmes trailerit prej një minute e gjysmë. Treshja e vajzave bashkë me Andi Bajgorën, që luan të dashurin e Lisë, bëjnë vjedhje gjithnjë më të guximshme e më të rrezikshme. Mirëpo i gjithë filmi përcillet nga energjia e këtyre të rinjve që janë të gatshëm të rrezikojnë çdo gjë për të kapërcyer pengesat.

Për projektin e saj më të ri Bajrami ishte kthyer në vendlindje. Në Kosovë ka xhiruar krejt filmin që sjell rrëfimin e tri vajzave të reja, të cilat i shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Përballë kësaj ngufatjeje, sipas sinopsisit të filmit, ato vihen në kërkim të pavarësisë.

Image
Uratë Shabani, Flaka Latifi e Era Balaj në “Luaneshat e kodrës”

Regjisorja Luana Bajrami pas premierës ka thënë se filmin ka dashur që ta bëjë dinamik dhe e ka pasur një zjarr brenda vetes kur e ka shkruar skenarin, prandaj ka dashur që ta xhirojë menjëherë. Kështu e gjeti veten në Kosovë. Ka treguar se pasi që kishte shkruar skenarin, kishte takuar kastën e aktorëve me të cilët kishte kaluar rreth një muaj në mënyrë që ta njohin më mirë njëri-tjetrin.

“Pra, skenari ishte shkruar por më pas i kam lënë ata që të takohen me karakteret e tyre dhe gjatë xhirimeve ka pasur kohë kur i kam lënë që të bëjnë improvizime. Ka pasur edhe kohë kur kam dashur që diçka të qëndrojë besnik ndaj skenarit”, ka thënë 20-vjeçarja, në një prezantim pas premierës.

Ka theksuar se për të ishte shumë e rëndësishme kodra ku xhirohet filmi, prandaj edhe i ka kushtuar rëndësi të veçantë peizazhit. Në anën tjetër, pamjet në plan të afërt, ka thënë se, në një mënyrë tregojnë se këto karaktere janë disi të zënë brenda një hapësire të ngushtë, si në kafaz.

“Fshati që keni parë është fshati ku unë kam lindur, kështu që kam qenë i njohur me të. Ishte shumë e rëndësishme që të xhiroja në këtë vend pasi që do ta kishte në një mënyrë një vështrim timin fëmijëror. Kam dashur që ta xhiroj në Kosovë pasi që jam e inspiruar nga ky vend dhe nga njerëzit atje, por kam dashur që të jetë një rrëfim universal për të rinjtë, pra jo për të rinjtë e Kosovës, por për të rinjtë në përgjithësi”, ka thënë Bajrami, e cila luan edhe vetë në “Luaneshat e kodrës”. Ajo është Lena.

E pyetur për skenën e fundit dhe mënyrën se si e ka përfunduar filmin, Bajrami ka thënë duke buzëqeshur se jeta është kështu, e dhimbshme dhe brutale.

“Është një fund që nuk e kisha në skenar, por që e kam vendosur më vonë, por mendoj se është një qasje për t’ia dhënë publikut mundësinë për të menduar tutje se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Bajrami. Për të gjithë kastën kjo ishte hera e parë që ata e kanë parë filmin së bashku.

Në qershor të këtij viti regjisorja kishte thënë për KOHËN se kishte mësuar se si xhirohet një film kur ishte vetëm 10-vjeçare, dhe aty i kishte lindur dashuria për regjinë dhe aktrimin.

“Më pas nuk jam ndalur kurrë së punuari në këtë profesion. Gjithashtu kam mësuar shumë nga regjisorët me të cilët kamë bashkëpunuar ndër vite”, pati thënë Bajrami, e cila kur mbushi 10 vjet mori rolin e saj të parë në televizion në “Le Choix d'Adèle” (2011), nën regji të Olivier Guignard dhe nisi studimet për teatër në “Limeil-Brévannes Conservatory”. Në vitin 2016 ajo mori rolin e Mariolit në “Marion, 13 years old forever”, nën regji të Bourlem Guerdjou. Ishte një dramë e bazuar në ngjarje të vërtetë, rrëfimi i një adoleshenteje, e cila për shkak të ngacmimeve shkon deri në vetëvrasje. Bajrami më pas në vitin 2019 erdhi me rol në “The Hour of the output” të Sébastien Marnier dhe të “Portrait of the girl on fire”. Në vitin 2020 në “Cabourg Film Festival”, që mbahet në Cabourg të Francës, Bajrami mori çmimin “Swann d'Or” për portretizimin e një vajze të re e të zjarrtë në “Portrait Of A Lady On Fire” (2019), nën regji të Céline Sciamma, ku luanin aktoret e njohura franceze Noémie Merlant dhe Adèle Haenel. Filmi bëri bujë pasi që ishte në garë për “Palmën e Artë” pikërisht në Festivalin e Cannes. Mori çmimin “Queer Palm” dhe Sciamma u bë regjisorja e parë që fitoi këtë çmim. Po ashtu në Cannes mori edhe çmim për skenarin më të mirë. E kudo që ky film bënte bujë, Bajrami përgëzohej për rolin e saj.

“Luaneshat e kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin dhe bashkëproducentin Pascal Judelewiczin. Në “Director's Fortnight” përveç filmit të regjisores kosovare janë edhe 23 filma të tjerë. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga “OrëZanë Films” (Kosovë), “Vents Contraires” (Francë) dhe “Acajou Productions” (Francë).

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, që ishte i pranishëm në premierë, ka thënë se atmosfera ishte shumë e mirë.

“Filmi i mrekullueshëm. Kënaqësi me pa një film kaq të bukur me një ekip aktorësh fantastikë”, ka thënë Zharku për KOHËN. QKK-ja në konkursin e vitit 2020 e mbështeti me 30 mijë euro për postproduksion.

“Luaneshat e kodrës”, ani pse jo në garën kryesore, ka shansin të marrë “Kamerën e Artë”, që ndahet për regjisorët debutues në kuadër të programeve përcjellëse të festivalit si “Director’s Fortnight”, që sivjet shënon edicionin e 53-të. Por ende pa u shfaqur premiera, Luana Bajrami është veçuar nga industria e filmit. Kur sapo ishte dhënë lajmi se “Luaneshat...” do të shfaqet premierë në Cannes, kompania “Le Pacte”, që ka marrë të drejtat e distribuimit të filmit në tregun francez, ka shkruar se Luana Bajrami është një emër që do të veçohet në botën e regjisë.

Por në garën kryesore Kosova sivjet bën histori me filmin e shkurtër “Pa Vend” të Samir Karahodës, që garon për “Palmën e Artë”. Ekipi i filmit, i cili do të udhëtojë për Cannes më 13 korrik, ka thënë për KOHËN se shpreson në fuqinë e tregimit unik. Rrëfimi i ekipit kosovar në Cannes shtjellon suksesin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni, “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Premiera “Pa vend” do të jepet javën e ardhshme. Edicioni i 74-t i Festivalit të Filmit në Cannes nisi më 6 korrik dhe përfundon më 17.