Kulturë

Veprat e gjeneratës së artë të artit pamor mbesin të parestauruara

Descriptive Text

Rreth 50 vjet më parë në fushën e artit pamor nisi realizimi i veprave nga krijues që sot përbëjnë brezin e artë në truallin e arteve pamore. Me gjithë këtë shkëlqim artistik, veprat e tyre nuk po e marrin edhe trajtimin që e meritojnë. Ato janë lënë në mëshirë të kohës. Profesionistët e artit po u frikësohen ndërhyrjeve joprofesionale

“Sofra” e Gjelosh Gjokaj, e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, vlerësohet njëzëri si një nga thesaret me të mëdha që ka ky institucion. Por gjendja e saj aktuale sikur është në shpërpjesëtim me vlerat që mbart. Edhe për syrin e pastërvitur janë të dukshme në anën e majtë të kësaj pikture njolla të dukshme mbi sipërfaqe. Por nëse zhbirohet më tej, konkretisht në anën e pasme, ka disa pjesë të vogla ngjitje si indicie e asaj që disa duar joprofesionistësh e kanë bërë një “restaurim”. Këto “vraga” nuk janë të vetmet në veprën e realizuar më 1978: edhe një e çarë brenda totalitetit të saj është dëshmia tjetër që flet për nëpërkëmbjen e saj.

“Sofra” paraqet një gjysmërreth njerëzish që ngrenë lart gotat gjatë një dollie të përjetësuar përmes ngjyrash të lehta. Ajo nuk është e vetmja në gjerdanin e veprave klasike të artit pamor shqiptar që nuk ka trajtim të merituar.

Veprat e ngufatura

Tapiceria (300 x 575 cm) e Matej Radiqit, si dhe tapiceria (240 x 490 cm) janë dy vepra të tjera. Në vend se përmbajtja e tyre të ishte i vetmi imazh i tyre, moskujdesi është në plan të parë. Që të dyja janë të papastruara, të përshkuara nga njolla të dukshme e shtresa pluhuri që i ka zbehur edhe ngjyrat origjinale. Sikur të mos mjaftonin këto, sipërfaqet e tyre kanë edhe nxjerrje të fijeve, gjë që e jashtëson edhe më karakterin individual të mjeshtrit që i punoi.

Duke ecur tutje në hapësirat e Galerisë bie në sy edhe vepra e Simon Shirokës: një mjeshtri e hollë artizanale është përshtypja e vetvetishme! E, megjithatë, shenjat e moskujdesit janë të kudondodhura: ka mungesa të disa pjesëve, shenjave, si dhe këputje të tjera.

Këto katër vepra tash së fundmi i janë shtuar koleksionit të GKK-së. Ato ishin pjesë e 125 veprave që u bartën në janar të këtij viti nga hoteli “Grand” në institutin me të lartë të artit pamor në vend. Mirëpo nuk janë vetëm këto vepra që kanë nevojë për restaurim. Një nevojë e tillë troket në dyert e GGK-së thuajse gjatë gjithë kohës.

Galeria Kombëtare e Kosovës sot numëron 1 mijë e 35 vepra. Koleksioni i saj, në të vërtetë, është mjaft i pasur dhe përfshin teknika dhe mediume të ndryshme, si në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, karikaturë, dizajn, fotografi, instalacion dhe video. Aty janë të stivuara vepra nga më të ndryshmet, prej atyre më të vjetrave që datojnë prej viteve ‘60 të shekullit të kaluar e deri tek ato të bëra së fundmi. Dhe reputacioni i tyre spikat edhe më fort kur dihet se ka vepra që mbajnë emra të dëgjuar të artit botëror. Radhë-radhë aty ndodhet edhe vepra e gjeneratës së parë të artistëve si “Gruaja në të zeza” e Alije Vokshit, por edhe të tillë bashkëkohorë si “Pavijoni Klandestin, 1997” i artistit bashkëkohor, Sislej Xhafa.

Por, është koleksioni i “Grandit” aty ku ndihet nevoja më e madhe për restaurim. Veprat janë realizuar kryesisht në vitet ‘70, nga brezi i artë i artit pamor të Kosovës. Ky koleksion, i cili dikur zbukuronte hapësirat e hotelit “Grand”, deri në fund të këtij muaji është i qasshëm për t’u soditur e shijuar në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës në kuadër të ekspozitës “Grand Art 1970 – 2000”.

Ekspozita e rreth 50 veprave nga 27 artistë pamorë nga Kosova e jashtë saj, si piktura, skulptura, grafika, tapiceri e artizanale është përshkruar si ndalesa e fundme e një rrugëtimi të gjatë që përshkoi momente ankthi, përballje burokracish e tejzgjatje si praktika të kudondodhura në “officialdom”-in e Kosovës. Mirëpo këto vepra akoma nuk marrin frymë lirshëm.

Mungesa e kuadrove

Artisti Zeni Ballazhi, që pati edhe rolin e kuratorit të ekspozitës “Grand Art 1970 – 2000”, ka thënë së është privilegj që koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës i janë shtuar edhe këto vepra arti nga kompania hoteliere “Grand” të koleksionuara gati 50 vjet në kushte dhe kohë të vështira, ku një pjesë e tyre edhe jo në gjendje të mirë ndoshta nga koha ose nga pakujdesia. Një dokumentar, i cili është pjesë e ekspozitës, tregon rrugëtimin dhe ruajtjen e këtij koleksioni nga stafi i hotel “Grandit” deri te shpronësimi i tyre në ambientet e koleksionit të GKK-së. Veprat ishin ruajtur në një hapësirë të mbyllur me tre dryna, të cilët i mbanin tre persona të ndryshëm për t’i ruajtur nga vjedhja. Mirëpo, fatkeqësisht, veprat e ruajtura janë vetëm një e treta e thesarit të dikurshëm të “Grandit”. Sipas dëshmive të punonjësve dhe zyrtarëve dyshohet që mbi 200 të tjera janë zhdukur ndër vite.

Ballazhi ka thënë se Galeria Kombëtare e Kosovës është përpjekur dhe përpiqet që koleksionin ta mbrojë sa më mirë dhe njëra nga mënyrat është që veprat e koleksionit në të ardhmen të nxirren për ekspozita dhe të shihen edhe nga të tjerët, por rëndësi e veçantë, sipas tij, është rehabilitimi dhe ruajtja e tyre që të mos dëmtohen.

“Kuptohet që një pjesë e tyre janë edhe të dëmtuara dhe janë për t’u restauruar, për fat të keq në mungesë të përvojave profesionale të kuadrove për restaurim do të mbesin të dëmtuara dhe me kalimin e kohës mund të dëmtohen edhe më shumë”, ka thënë ai.

Ballazhi tutje ka shtuar se GGK-ja ka bërë ekspozita të shumta nga koleksioni i saj, pikërisht për të bërë apel ndaj institucioneve përgjegjëse edhe për mungesë të hapësirave muzeale, si dhe për restaurimin e atyre veprave të dëmtuara që kërkojnë trajtim dhe ruajtje të veçantë, si temperaturë, ndriçim, dhe mirëmbajtje.

“Por kjo ka qenë një luks i kërkuar nga ana jonë e jo nevojë. Sot, situata është e njëjtë dhe veprat sot janë më të vjetra se dje”, ka thënë ai.

Parandalimi i shkallëzimit të dëmtimeve

Naim Spahiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, ka thënë se duke e ditur që institucioni që ai drejton për momentin, ka trashëguar një koleksion të begatshëm siç është koleksioni nga hoteli “Grand”, por jo në gjendje të mirë, e në bashkëpunim me kuratorin kishin vendosur që t’i ekspozonin ashtu siç ishin marrë me përjashtim të grafikave që është dashur që të pastrohen dhe t’u ndërrohen xhamat e thyer. Mirëpo nuk ka mohuar nevojën për restaurim edhe të veprave të tjera.

“Janë disa vepra në këtë koleksion që duhet të restaurohen, por do të shikojmë se si do të procedohet me tutje, sepse ne kemi vepra që kanë nevojë për restaurim edhe në koleksionin e përgjithshëm të GKK-së”, ka thënë ai.

Drejtori i parë pas luftës i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Luan Mulliqi, ka treguar se gjatë kohës sa ai ishte drejtor kishte bërë një marrëveshje me Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë që të dërgojnë atje veprat që kanë pasur nevojë për riparime, në mungesë të restauruesve.

Ai ka shtuar se edhe kur dëshironin të krijonin Muzeun e Arteve Bashkëkohore kishin menduar edhe laboratorin për riparimin e veprave të artit. Ka shtuar se kishin shikuar edhe mundësitë për bursa për të mësuar këtë zanat. Mirëpo në këto ditë kur të dyja opsionet mund të marrin vite, sipas tij, e udhës është rikthimi i bashkëpunimit me Tiranën.

“Duhet të riaktivizohet një bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Tiranës, pasi këtë e kemi pak më afër në mënyrë që këto vepra të cilat kanë nevojë për t’u restauruar të bisedohet se si të veprohet ose ata të vijnë të aftësojnë një ekip, e që merr disa vite për t’u formuar një ekip, ose ato që janë më urgjente të dërgohen në Tiranë për restaurim, së paku të mos dëmtohen më tepër”, ka thënë ai.

Rreziku nga “intervenimet” joprofesionale

Mirëpo Mulliqi, ashtu si artistë të tjerë që këto vepra i kanë për zemër, u druhet “intervenimeve” joprofesionale, të ngjashme me ato që i kanë ndodhur “Sofrës” së Gjelosh Gjokajt.

“Edhe ma keq është nëse intervenohet nga dikush që nuk është i specializuar për restaurimin apo riparimin e veprave të artit, kjo është edhe më e rrezikshme”, ka thënë Mulliqi.

Në anën tjetër, Ballazhi ka theksuar se restaurimi është fushë specifike dhe profesionale, kërkon trajtim të veçantë dhe që ka kosto të lartë. Sipas tij, Kosovës i mungon sektori i restaurimit për vepra arti, i cili është shkollim i veçantë për këtë fushë dhe e vetmja mundësi për të restauruar veprat në Kosovë mbetet sektori ndërkombëtar ose rajonal, i cili ka kosto shumë të lartë.

“Mundësi e mirë do të ishte që në kuadër të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe në bashkëpunim me MKRS-në të krijohet mundësia për trajnime dhe shkollime jashtë vendit të atyre që janë të interesuar për këtë fushë specifike e të domosdoshme për ne, për të shpëtuar artin tonë pamor nga çfarëdo e keqe që mundë të na vijë”, ka thënë ai. Ka potencuar me të lartë se assesi të merret parasysh që restaurimi i veprave të bëhet nga vetë artistët apo nga joprofesionistë.

Kujdes të veçantë ndaj veprave ka kërkuar edhe Spahiu, i cili vetë ka dëshirë të merret me restaurim, por, sipas tij, asnjëherë nuk i ishte dhënë mbështetja nga menaxhmenti i kaluar për ndonjë trajnim, ani pse që nga 2003-a është përgjegjës për koleksionin e GKK-së.

Ruajtja e trashëgimisë, nevojë urgjente

Spahiu, i cili është zëvendësues i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës nga 22 shkurti i këtij viti ka thënë se Galeria Kombëtare e Kosovës është duke punuar drejt ruajtjes së veprave që i ka në koleksion.

“Duke pasur parasysh nevojën e madhe që këtyre veprave t’u shtohet jetëgjatësia jemi duke u konsultuar me qendra të ndryshme për restaurim dhe konservim të tyre jashtë Kosovës, që ta hapim një sektor të restaurimit dhe të trajtojmë staf profesional për restaurim e konservim.

“GKK-ja dëshiron të ketë sa më shumë mbështetje nga MKRS-ja për formimin e këtij sektori të rëndësishëm të restaurimit, të krijohen fonde të veçanta për trajnime jashtë vendit dhe gradualisht të bëjmë një staf profesional që ky aset kombëtar i vlerave të artistëve tanë të shpëtohet”, ka thënë ai.

Ka shtuar se si shtet nuk është se Kosova ka mundësinë që të shpenzojë milionat për restaurim, mirëpo ka thënë se duhet të shfrytëzohet dëshira e artistëve për ta mësuar këtë punë.

Edhe Ballazhi ka thënë se duhet të përmirësohen kushtet edhe më shumë, në mënyrë që të krijohen mjetet për pasurimin e koleksionit dhe të investohet në ruajtjen e trashëgimisë.

“Është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse të planifikojnë të themelojnë apo të ndërtojnë sa më shpejt Muzeun e Arteve Bashkëkohore, ku do të bartet koleksioni i përhershëm, një mundësi e mirë edhe për gjeneratat e reja që të kenë mundësi qasjeje në trashëgiminë e arteve pamore, si dhe mundësi e mirë për të pasuruar Historinë e Arteve Pamore Shqiptare në përgjithësi”, ka thënë ai.

Mirëpo deri në një zgjedhje të hapësirës për t’i ruajtur e mundësisë për t’i rinovuar, fati i koleksionit të GKK-së e veprave të “Grandit” mbetet i paqartë. Ato përsëri do të mund të mbesin të ngufatura në fondusin e GKK-së.