Kulturë

“7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” në ruajtje të këngës tradicionale

Ndjeshmëria e këngëve të djepit, ninullave, është e tillë që e tejkalon edhe poezinë lirike përmes thjeshtësisë së fjalëve. Por detyra e dorës së studiuesit nuk është vetëm mbledhja e tyre, por edhe zbërthimi i bukurisë së tyre përmes tekstesh, notave e shpjegimeve. Fryt i një pasioni që filloi qysh më 2005, libri “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” i profesoreshës së solo-këndimit, Besa Berberi, sjell xhevahiret e krijimtarisë shpirtërore shqiptare. “Ninullat nga të gjitha format e tjera të këngës popullore kanë pësuar më së paku ndikime të jashtme”, ka thënë Berberi me rastin e përurimit të librit

T’i kushtohesh trashëgimisë nuk është adhurim i hirit, por ruajtje e zjarrit. Kjo maksimë frymëzuese ka shërbyer si një siguri shtesë për profesoreshën, Besa Berberi që të vijonte tutje punën mes copëzash të thesaurusit të këngës popullore. Janë ninullat, një monolog botëpasur i nënës kushtuar fëmijës, ato që kanë bërë vend në punishten studiuese të Besa Berberit.

Kjo krijimtari shpirti tashmë nuk pezullon në erë, por vjen edhe si libër.

“7 Ninulla, 7 Ditë Javës” është titulli që profesoresha e solo këndimit ka zgjedhur për t’i emërzuar ninullat e mbledhura dhe fuqinë e mesazhit që ato tejçojnë edhe sot.

Në promovimin e mbajtur pasditen e së premtes në mjediset e “Paper Gallery” në kryeqytet, libri është vlerësuar si një gur më tepër në themelin e studimit të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.

“Nani nani, o nani kush të tund/ bukuroshe e nanës, nanës në katund/ nani nani, o çupë e nënës o/ të më rritesh si dritë e hënës o/ Punëtore porsi bleta/ gojëëmbël o/ krahlehta/ nani nani o, nani shpirto fli/ të më rritësh ti zemër për malësi”.

Kjo është struktura e jashtme e një ninulle që në vetvete ka të mishëruar një monolog me ferishten e saj, me fëmijën, duke shprehur dëshira, urime e bekime nga e bardha e zemrës. Ndjeshmëria në vargjet e saj ia shkon edhe poezisë lirike kur bëhet fjalë për thjeshtësinë e fjalës, a thua se me këtë synohet që fëmija i porsalindur t’i mbajë vëth në vesh këto fjalë.

Jupolli: Libër me funksione edukative

Në ceremoninë e promovimit të librit, moderuar nga gazetari e producenti ekzekutiv i KTV-së, Dardan Selimaj, kompozitori e muzikanti, Liburn Jupolli, i cili është botues i “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” ka thënë se ky libër ka rëndësi të veçantë sa i përket dokumentimit të trashëgimisë shpirtërore.

Profesoresha Berberi, sipas tij, ka kohë të gjatë që merret me aspekte të ndryshme të dokumentimit të këngës nga perspektiva të ndryshme.

“Dokumentimi i kësaj trashëgimie në terren nuk është punë e lehtë për studiuesit”, ka thënë Jupolli, i cili është recensues i librit bashkë me muzikologen Rreze Kryeziu-Breznica.

E ndër vështirësitë, ai ka përmendur edhe shkoqitjen e notave mikro-intervalore dhe aspekte të tjera.

“Libri përbrenda përmban ninulla si tekst, si shpjegim, bashkë me dedikimin e caktuar, si dhe pjesën edukative që është element i rëndësishëm në mënyrën dhe metodologjinë studimore të profesoreshës”, ka shtuar Jupolli.

“7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”, pos teksteve e shpjegimeve, ka edhe notacionin për secilën ninullë, vizatime fëmijësh që nuk janë ilustrime specifike për to, por vepra që i janë dhuruar autores ndër vite nga fëmijë të rrethit të saj. Po ashtu, secila ka kodin QR, që kur skanohet, çon te audio-incizimi i secilës ninullë.

Berberi: Ninullat, shprehje origjinaliteti

Image

Besa Berberi: “Është detyrë jona që të ruajmë zjarrin e këngës tradicionale përmes studimit e trajtimit të saj”

Ishte viti 2005 kur Bosnja dhe të gjithë njerëzit empatikë po shënonin 10-vjetorin e më të përbindshmes plojë në Evropë: masakrën e Srebrenicës. Asokohe, profesoresha Berberi ishte në mëdyshje për të përzgjedhur një program që sadopak t’i afrohej ngjarjes së dhimbshme.

Disa ninulla elegjiake për fëmijë të vdekur kishin qenë një grishje e mëtejshme për të hyrë në truallin e kësaj krijimtarie shpirtërore.

Një ftesë nga ballkanologia Elizabeth Gowing në kullat e Drenocit ia kishte bërë Berberit gjithnjë e më të qartë idenë dhe kahjen e saj.

“Nga të gjitha format e krijimtarisë shpirtërore, ninullat më së shumti e kanë ruajtur origjinalitetin”, ka thënë Berberi në adresimin e bërë para të pranishmëve në përurim.

Me këto shprehje të subtilitetit popullor, të cilat siç thotë, “më së paku kanë pësuar ndikime”, ajo kishte vendosur që t’i shpaloste para publikut të gjerë.

“Ideja ime ishte që t’i merrja në shqyrtim shtatë ninulla qenësore që shpaloseshin me simbolikën mitologjike e biblike të numrit shtatë”, ka treguar Berberi, e diplomuar në solo-këndim në Universitetin e Zagrebit e që kreu studimet postdiplomike në “Trinity College” në Londër, për ta vazhduar ngritjen profesionale në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Projekti i ninullave që fillimisht kishte marrë formë si CD, do të përplotësohej në rrugëtim e sipër edhe nëpërmjet kavallit e violinçelos për të vazhduar edhe me okarinën.

“Te ninulla e shtatë përdora okarinën e aty më ndihmoi më së shumti instrumentisti Shaqir Hoti”, ka shtuar ajo.

Me thënien e një studiueseje se “përkushtimi pas trashëgimisë nuk është adhurim i hirit, por ruajtje e zjarrit”, Berberi ka shprehur besimin se libri i saj do të jetë në shërbim edhe të brezave të ardhshëm.

“Është detyrë jona që të ruajmë zjarrin e këngës tradicionale përmes studimit e trajtimit të saj”, ka thënë ndër të tjerash ajo.

Por, faqet e këtij libri nuk janë streha e vetme e këtyre këngëve të djepit. Ditë më parë, “Ninulla N” – njëra nga shtatë ninullat që zënë vend në “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” – ishte shpalosur në formë animacioni në edicionin e 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Animuar, “Anibar” në Pejë. Si projekt në zhvillim e sipër, ky animacion kishte vënë në pah mundësinë që ninullat mund të shoqërohen edhe me pamje të animuara.

Të pranishmit në kinemanë “Jusuf Gërvalla” të dielën e 25 korrikut kishin përjetuar këndimin e një kënge djepi, ku nëna i kushton fjalë zemre të bijës, kurse narracioni ishte interpretuar nga aktorja Safete Rugova. I gjithë ky projekt ishte vlerësuar si “riprodhim në të tashmen i tingujve që kanë mbetur në kujtesë e rikthehen për t’ua përcjellë gjeneratave”.

© KOHA Ditore