Kulturë

Izolimi si realitet i pakapërcyeshëm edhe për artistët

Izolimi ka qenë një prej kryefjalëve të kohës së pandemisë, por në kontekstin e Kosovës në raport me botën, është i tillë tash e sa dekada. Nëse artistët ia dalin artistikisht t’i kapërcejnë kufijtë, është tjetër histori. Por, izolimi i tyre është realiteti i përditshëm. “Të rrethuar në katër dritare”, ka qenë paneli që për temë ka pasur pikërisht “Izolimin” që është temë e “Anibarit” e “Archipel”, midis animacionit e botës reale, prek kufijtë

Në muajt e parë të pandemisë gjatë vitit të kaluar, një artist me goxha probleme ligjore rrëfente për një përballje në gjykatë. Sipas versionit të tij, prokurorja në një rast i ishte drejtuar: “A e di që dënohesh me burg? “Më dëno, unë në burg jam duke jetuar”, rrëfente ai pas një emisioni televiziv derisa qeshej. Këtë e bënte për dy arsye: e para për ta relativizuar problemin me ligjin, ndërsa e dyta simbolikisht, Kosovës i referohej si burg i madh.

Nëse do ta arsyetonte të dytën, pamundësinë e lëvizjes së lirë të kosovarëve nëpër Evropë do ta rendiste të parën. Aludonte në këtë lloj izolimi.

Por në terme më të gjerë, izolimi është diskutuar të martën në kuadër të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar” në Pejë, në debatin në temën “Të rrethuar në katër dritare”. Gjithçka vërtitej rreth izolimit. Tema e sivjetshme e “Anibarit” mban titullin “Izolimi”. Edhe hapësira ku mbahej debati përkonte me titullin e temës. Krejt hapësira e “Kino Liqenit” në parkun “Karragaç” është e rrethuar dhe jo kushdo mund të futet. Është një lloj kufiri që kalohet me disa lloje të “pasaportave” që ka përcaktuar Festivali. Jo për kufij të tillë, por për kufij të ndryshëm ka folur edhe dyshja e panelit.

Mehmet Behluli, artist e profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, përballet me izolimin prej fëmijërisë. Njëjtë edhe drejtoresha e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, Nita Zeqiri.

Në fëmijërinë e Behlulit e edhe në kohën e studimeve, Kosova ishte pjesë e ish-Federatës Jugosllave. Si i ri udhëtonte lirshëm, prej vitit 1967 deri më 1991 sa funksionoi linja e trenit “Akropolis” në destinacionin Athinë-München. Behluli si krejt qytetarët e një shteti që s’është më, mund të priste biletë dhe t’ia mësynte stacionit të trenave në Fushë-Kosovë.

“Të rinjtë sot nuk mund të udhëtojnë lirshëm jashtë. Kurse ne kemi udhëtuar lirshëm. Por ne kemi pasur një izolim brenda vetes. Neve na ka interesuar të jemi të barabartë me të tjerët. Ne nuk kemi ditur çka është pluralizmi”, ka rrëfyer ai para të pranishmëve në numër jo aq të madh. Pluralizmi në ato vite nuk njihej në këto anë. Ish-Jugosllavia udhëhiqej nga mareshali Josip Broz Tito që drejtonte Lidhjen Komuniste. Megjithëse në fund të viteve ’60 e sidomos pas Kushtetutës së vitit 1974, shqiptarët si banorë të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës gëzonin goxha liri, opozitë nuk mund të bënin. Për këtë shkonin në burg. Edhe artistët e vuanin këtë lloj izolimi. Censurën apo autocensurën, bashkë me të.

“Kur ra komunizmi dhe nisi nacionalizmi aty u prish sistemi dhe nisën barrierat. Atëherë pamë çka është me u izolu nga jashtë”, ka thënë Behluli derisa u është referuar viteve ’90 të shekullit të kaluar kur ish-Jugosllavia u përfshi nga luftërat.

Behluli ka rrëfyer se disa nga gjenerata e tij, vazhduan studimet jashtë Kosovës.

“Unë shkova në Sarajevë. E shihja Kosovën ndryshe. Filluan luftërat në Jugosllavi dhe izolimi u bë edhe më i rëndë. Në vitin 1997 kemi pasë bërë ekspozitë në Beograd. Ekspozita mori konotacione politike”, ka kujtuar ai kohën ku Kosova ishte në prag të luftës me Serbinë. Por, këto vite si i ri entuziast, dëshironte që të dilte jashtë kornizave artistike të profesorëve të tij vendorë. Për këtë edhe përqeshej.

“Pas vitit 1999, e kishim mundësinë që të bëjmë art pa recetë, por ashtu si e ndjemë. Para luftës, profesorët na thoshin se nuk është art nëse vepronim ndryshe”, ka kujtuar ai.

Bashkë më Sokol Beqirin, Erzen Shkolollin dhe miq të tjerë pas luftës, synonin që të sjellin art nga e gjithë bota në Kosovë. Midis tjerash këtë e bënë edhe nëpërmjet galerisë “Exit” në Pejë.

“Ne mund të flasim ditë e natë për izolimin”, ka konstatuar Behluli, i cili i takon gjeneratës që tentoi të thyente barriera.

E Nita Zeqiri, shumë më e re në moshë sesa Behluli, ka dhënë një tjetër perspektivë për izolimin. Ka thënë se gjenerata e saj u lind dhe jeton në izolim. Bile, në këtë rast ka shtuar se nuk e kishin e as nuk e kanë asnjë ditë në liri.

“Ne si shoqëri mbijetojmë gjatë gjithë kohës. Mundohemi ta gjejmë lirinë brenda izolimit. Mandej ka izolime brenda shoqërisë. Krijohen shumë stereotipa. Kështu e fuqizojmë izolimin e përgjithshëm”, ka thënë ajo. Derisa ka folur për kufizimet e lëvizjes sidomos gjatë muajve të parë të pandemisë, ka thënë se gjendja e krijuar nga koronavirusi për disa nuk ka qenë risi, pasi veçse kanë qenë në shtëpitë e tyre të izoluar.

“Pandemia na ka bërë të kuptojmë se duhet të kemi qasje më pozitive ndaj shoqërisë”, ka thënë ajo. Sa i përket edukimit, ka treguar se pas luftës së fundit është shtrenjtuar studimi jashtë vendit. Ka marrë veten shembull si person që është pranuar në një fakultet në Vjenë, por nuk ka mundur të shkojë, shkaku i vizave.

“Izolimi krijon shumë dëme. Izolimi i imponuar bën dëm në aspekte të ndryshme”, ka konstatuar ajo. Meqenëse izolimi ekziston edhe prej kur njeriu ka nisur ta masë kohën, dyshja ka pasur rreth 50 minuta hapësirë të flasë.

Image
“Archipel” me skenar dhe regji të Félix Dufour-Laperrière, i shfaqur në kinemanë “Jusuf Gërvalla” prek kufijtë shtetërorë, gjeografikë, politikë e çka jo tjetër

Më shumë se kaq ka zgjatur një film që flet për izolimin. “Archipel” me regji e skenar të Félix Dufour-Laperrière midis animacionit dhe botës reale, prek kufijtë shtetërorë, gjeografikë, politikë e çka jo tjetër. Izolim në vete është edhe krijimi i shteteve që detyrimisht kufizohen si territore administrative. Në një orë e 12 minuta, prodhimi kanadez i këtij viti, shpërfaq zbulimin e ishujve. Edhe titullin e ka marrë nga kjo ide. Por, bëhet fjalë për territore imagjinare ku narracioni vërtitet midis vendeve reale e atyre të ëndërruara. Filmi që është dhënë në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në kuadër të programit garues të filmave artistikë, rrëfen për vendet e ëndërruara dhe banorë që ëndërrojnë. E shëtit publikun shumë, por kur ndalet projektori, ndodh kthimi në realitet brenda mureve të kinemasë.

Gjatë ditës së martë, në po të njëjtën kinema, ata që merren me animacion kanë mundur të mësojnë teknika të ndryshme nga animatori italian, Mauro Carraro, i cili ka ligjëruar mbi temën “Sensitive 3D”. Në kinematë e festivalit kanë qenë të qasshëm një numër i madh i filmave në katër kategori garuese. Të mërkurën po ashtu do të shfaqen filma në katër kategori garuese. E një panel do të mëtojë të flasë për animacionin e së ardhmes. Në këtë rast, nuk do të kenë nevojë të kufizohen sa i përket asaj që thonë, pasi do ta bëjnë parashikuesit. Por, kufizimi do t’i prekë në kohë, e izolimi është po aty dhe i shumanshëm duke filluar nga ambienti ku do të flasin.