Kulturë

Dua Lipa në Tiranë si “shqiptare e mirë me zemër të madhe”

E shoqëruar nga prindërit, familjarët e miqtë e saj, Dua Lipa është pritur të premten nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj
 

E vlerësuar për modestinë e saj, e mbi të gjitha për krenarinë e të qenit shqiptare, Dua Lipa ka krijuar një lidhje të veçantë me Tiranën. Pos kopshtit të rindërtuar për fëmijë që do të mbajë emrin e fondacionit të saj “Sunny Hill”, fituesja e çmimeve të shumta ndërkombëtare ka paralajmëruar një projekt muzikor në Tiranë gjatë vitit të ardhshëm

Fituesja e shumëfishtë e çmimeve “Brit Awards” dhe “Grammy”, Dua Lipa, mund ta konsiderojë veten si banorja më e privilegjuar e Tiranës. Këngëtarja shqiptare që jeton dhe vepron në Britani, po e lë aty gjurmën e saj me ndërtimin e kopshtit për fëmijë “Sunny Hill Kindergarten”. Me rastin e qëndrimit të saj në Shqipëri, ylli i muzikës botërore e ka mësyrë të premten Tiranën në atë që është quajtur si rikthim i saj në kryeqytetin shqiptar.

E shoqëruar nga prindërit e saj, Dukagjin dhe Anesa Lipa, motra Rina dhe vëllai Gjini, si dhe i fejuari i saj, Anwar Hadid, Lipa është takuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.