Kulturë

Kosova me “hat trick” në Sarajevë, konfirmon nivelin e filmit vendor

“Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” – janë përfshirë në konkurrencë zyrtare në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që cilësohet si eventi më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë
 

Nga 683 aplikime nga e gjithë bota, tre filma nga Kosova ia kanë dalë mbanë që të jenë pjesë e njërit prej festivaleve më të mëdha në Evropë. Dy filma të metrazhit të gjatë dhe një i shkurtër – “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” – janë përfshirë në konkurrencë zyrtare në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Sarajevë. Duke vazhduar suksesin e vjetëm, ku një film nga Kosova rrëmbeu “Zemrën e Sarajevës”, regjisorë e producentë kanë vlerësuar praninë e kineastëve shqiptarë. Triumf të “diplomacisë artistike” e ka quajtur producenti Besnik Krapi. Ndërkaq, regjisori Samir Karahoda ka thënë se “ky është një vit i artë për kinematografinë tonë”

Vlerësimi i bërë ditë më parë në Festivalin Ndërkombëtar të Cannes për Kosovën si “vend me potencial të madh kineast”, është provuar të jetë plotësisht i saktë. Tri projekteve kineaste u është hapur dera në një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në rajon: regjisorët Norika Sefa, Luana Bajrami dhe Samir Karahoda janë emrat që e përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës.

Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës pasditen e së enjtes nëpërmjet një afishimi në faqen e saj.