Kulturë

Futja në borxhe e Qendrës Kinematografike çoi drejtorin në pezullim

Pak orë pasi ka aterruar në Aeroportin e Prishtinës, pasi mori pjesë në Festivalin e Filmit në Cannes, Arben Zharku është pezulluar nga detyra zyrtare e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, si masë e sigurisë për mundësinë e cenimit të ushtrimit të përshtatshëm të detyrës deri në përfundimin e procedurës disiplinore. Keqmenaxhim, shkelje ligji, moskryerje e detyrave, kanë emërues të përbashkët borxhet në të cilat është futur QKK-ja, e që, siç ka raportuar KOHA, para më shumë se një viti peshojnë mbi një milion euro

Arben Zharkut të hënën nuk i ka rënë të dalë në punë. Në orën 01:20 të ditës së parë të javës ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Nëpërmjet Vjenës është kthyer nga Franca, ku ka qëndruar në Festivalin e Filmit në Cannes.

E pikërisht në kohën kur ka nisur zyrtarisht orari i punës në administratën shtetit, Ministria e Kulturës ka nxjerrë një vendim. Atë për “pezullimin nga detyra zyrtare të drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, si masë e sigurisë për mundësinë e cenimit të ushtrimit të përshtatshëm të detyrës, deri në përfundimin e procedurës disiplinore të iniciuar me shkresën me nr. të protokollit 2166/2021 të kabinetit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Komisioni disiplinor i përbërë nga pesë anëtarë e ka pezulluar përkohësisht nga detyra drejtorin e QKK-së, pasi këtë rast e ka iniciuar vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, si epror i drejtpërdrejtë i udhëheqësit të QKK-së. E pezullimin nga detyra e edhe shkarkimin e Zharkut, ministrit të Kulturës ia ka kërkuar Këshilli Drejtues i QKK-së.

Financimi i projekteve pa e siguruar buxhetin për ato, financimi përtej shumave të parapara me ligj dhe mosaplikimi i Ligjit për kinematografinë sa u përket të hyrave nga realizimi i të drejtave si bashkëproducentë, dalin të jenë gjetjet me të cilat do të përballet Zharku e në fund të procesit edhe mund të shkarkohet.

Financim pa mbulesë me premtime nga Ministri

More Raça, kryesuese dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të QKK-së, Luan Daka, Bislim Bislimi, Besim Ugzmajli dhe Xhejlane Tërbunja të emëruar në këtë pozitë nga ministri Hajrulla Çeku, i janë drejtuar eprorit të tyre me një raport të protokolluar më 18 qershor. Aty renditen të gjitha gjetjet që sipas pesëshes janë material i mjaftueshëm për ta shkarkuar drejtorin Zharku.

“Borxhi i institucionit dhe arsyet e akumulimit të tij – përgjegjësia e organeve drejtuese”, titullohet kapitulli i parë. Pikërisht për këtë çështje, KOHA kishte raportuar qysh prej vitit 2018 se QKK-ja po lidhte kontrata për financim filmash pa pasur mbulesë financiare. Raportimi i KOHËS në prill të vitit të kaluar, sipas anëtareve të Këshillit Drejtues, ka shërbyer për të zbërthyer borxhet e QKK-së. Në raport shkruhet se në vitin 2018, QKK-ja ka ndarë mjetet për projekte filmike në shumën prej 1 milion e 170 mije eurosh pa pasur paraprakisht një akt administrativ apo shkresë zyrtare të nënshkruar, vulosur e protokolluar nga Qeveria apo Ministria e Kulturës nëpërmjet së cilës autorizohej për ndarje të tillë buxhetore.

“Fondi i vënë në dispozicion nuk ka qenë më shumë se 650 mijë euro”, shkruhet në raport. Aty tregohet se në vitin 2019, siç ka shkruar saktësisht “Koha Ditore” në prillin e 2020-s, QKK-ja ka ndarë mjete për projekte filmike në shumën prej 1 milion e 279 mijë eurosh.

“Në diskutimet e zhvilluara, gjatë gjetjeve që ka parashtruar Këshilli në adresë të drejtorit të QKK-së, arsyetimi i tij ka qenë se për shumën që ka ndarë QKK, përkatësisht Këshilli Drejtues në vlerë prej 1 milion e 170 mijë euro për vitin 2018, vendimtare ka qenë zotimi verbal i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, gjatë një vizite në ambientet e QKK-së dhe se një akt apo shkresë zyrtare për një vendimmarrje aq të rëndësishme me efekte financiare të konsiderueshme nuk ekziston”, shkruhet në raport. Sipas anëtarëve të Këshillit, me veprimet dhe mosveprimet e tij drejtori Arben Zharku ka kryer shkelje të rëndë të detyrave zyrtare. “Përkatësisht ka dështuar të përmbushë efektivisht detyrën e tij dhe atë të parashikuar në nenin 31 të Ligjit për kinematografinë, ashtu që pasojë e shkeljeve është borxhi i akumuluar i institucionit në shumën prej mbi një milion euro...”, shkruhet në raport.

KOHA ka raportuar se në ditën e 7-të të gushtit të vitit 2018 do të jepej “lajmi i madh” për QKK-në. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pas një vizite në QKK, kishte thënë se institucionit do t’i dyfishohej buxheti.

“Konfirmojmë edhe një herë mbështetjen tonë të madhe për QKK-në. Siç dihet, kjo qendër ka pasur një buxhet rreth 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosur që këtë buxhet ta rrisim për 100 për qind. QKK-ja do të ketë buxhet për filma rreth 1.2 milionë, kurse buxhetin total rreth 1.4 milionë”, kishte thënë ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Asokohe gazeta kishte insistuar për të marrë informacione se nga do të vijë ky buxhet.

E në prill të vitit të kaluar Arben Zharku si drejtor i QKK-së kishte thënë se janë në probleme financiare.

“Në dy vjetët e fundit buxhetin e kemi pasur nga 1.4 milionë euro të deklaruara nga MKRS-ja, por nuk është arritur ai buxhet pavarësisht kërkesave tona”, kishte thënë ai. Kishte marrë shembull se një film zgjat tre e katër vjet për t’u realizuar. Duke pasur parasysh këtë, ai ka thënë se nëse një vit ka buxhet më të vogël, ata mund ta menaxhojnë situatën.

“Por dy vjet me radhë gjendja është rënduar. Nëse nuk kryhen këto obligime nga MKRS-ja, atëherë në fund të këtij viti ose vitin e ardhshëm do të kemi një kolaps financiar si institucion”, kishte thënë Zharku më 9 prill të 2020-s.

Subvencioni përtej bazës ligjore

Në konkursin e vitit 2018, QKK-ja kishte përkrahur realizimin e filmit “Exil” të regjisorit Visar Morina. Sipas raportit të Këshillit Drejtues, aplikimi për këtë projekt është bërë nëpërmjet procedurës së mbështetjes së filmave vendorë.

Këshilli ka ardhur në përfundim se sipas Ligjit për kinematografi, vepër vendore është projekti në të cilin barrën financiare për prodhim e ka ndonjë producent ose bashkëproducent vendas, i cili mbulon 51 për qind të kostos së prodhimit. Aty sqarohet se regjisori dhe skenaristi nuk kanë nënshtetësi të Kosovës dhe në film nuk ka komunikim në gjuhë shqipe as deri në 20 për qind të skenave.

“Shuma e ndarë për këtë projekt është 150 mijë euro, ndërsa shkresat e lëndës për këtë film dëshmojnë qartë se ky film është koproduksion minor e që në bazë të nenit 11 të Rregullores për subvencionimin e projekteve filmik, koproduksionet minore nuk mund të mbështeten me më shumë se 70 mijë euro”, shkruhet në raport.

Sipas Këshillit në këtë rast “është e qartë se QKK-ja ka shkelur ligjin”. Sipas Këshillit, në këtë rast Arben Zharku si drejtor i QKK-së ka mundësuar që të krijohet dëm financiar në vlerë prej 80 mijë eurosh në kundërshtim me Ligjin për kinematografi.

Pasojat e mosrealizimit të të hyrave

Sipas Ligjit për kinematografi, QKK-ja ka atributin e bashkëproducentit dhe merr pjesë në ndarjen e fitimit nga shfrytëzimi ekonomik i veprës filmike bazuar në kontratat e lidhura me producentë. Sipas raportit, anëtarët e KD-së kanë kërkuar që të dinë shumën e mjeteve të arkëtuara nga QKK-ja.

“Përgjigjja e drejtorit ka qenë se nuk ka asnjë të hyrë nga këto të drejta”, shkruhet në raport. Në fakt, prejse u themelua para 15 vjetësh, QKK-ja s’ka inkasuar mjete siç i përcaktohet me Ligj. Të hyrat e bazuara në kontrata llogariten si bazë financiare e QKK-së për të subvencionuar projekte të tjera. “Duke mos marrë asnjë masë në drejtimin e arkëtimit të këtyre mjeteve, drejtori i QKK-së nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të punës, si dhe ka vepruar në kundërshtim me nenin 31, ashtu që ka dëmtuar materialisht buxhetin e QKK-së dhe ka minimizuar aftësinë e QKK-së për të përkrahur sa më shumë projekte filmike...”, shkruhet në raport.

Këshilli Drejtues është marrë edhe me lajmin e QKK-së: “Kosova në Kanë me filmin ‘Luaneshat e kodrës”. Sipas Këshillit Drejtues filmi nuk ka qenë në konkurrencë zyrtare, por në një kategori “paralele e jozyrtare të Cannes”. Sipas Këshillit, ky lajm i QKK-së “ka vënë në lajthitje udhëheqësit më të lartë shtetërorë”, pasi ata kanë menduar se një film nga Kosova është pjesë e garës zyrtare në Festivalin e Cannes dhe janë deklaruar për këtë arritje. Por jo pak peshë ka edhe programi ku është shfaqur “Luaneshat...”, përderisa filmi “Pa Vend” i Samir Karahodës bëri histori duke e futur Kosovën për herë të parë në garë për “Palmën e Artë”.

Kërkesa për shkarkim

Duke u bazuar në krejt gjetjet, Këshilli Drejtues i QKK-së ka konkluduar se drejtori i QKK-së ka rrezikuar pasurinë dhe interesin publik në fushën e kinematografisë.

“Në këtë rast, ne, Këshilli Drejtues i QKK-së nga ju në cilësinë e organit epror, që sipas ligjit e emëroni dhe shkarkoni drejtorin e QKK-së, kërkojmë inicimin e menjëhershëm të procedurës disiplinore ndaj Arben Zharkut për shkelje të rënda të detyrës zyrtare dhe përgjegjësive të tij me pasoja financiare dhe dëmtimin e imazhit të institucionit të QKK-së. Aty është kërkuar edhe pezullimi i tij nga detyra derisa Komisioni Disiplinor të dalë me verdikt përfundimtar.

Zharku, i cili gjatë ditës së premte dhe të shtunë ka shoqëruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Cannes, të hënën nuk ka folur shumë sa i përket pezullimit e as raportit të këshillit.

“Ka qenë kërkesë e imja prej fillimit që të trajtohen të gjitha ankesat, përfshirë edhe raportin e Këshillit Drejtues, që është i përpiluar bazuar në këto ankesa. Kështu që derisa ta kryejë punën Komisioni Disiplinor, s’kam çfarë të shtoj më shumë”, ka thënë ai.

{gallery}

Vendimi për pezullimin nga detyra zyrtare e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku