Kulturë

Historia e “Pa Vend” vazhdon, derë e re për regjisorët vendorë

Rrugëtimi i filmit “Pa Vend” – që e përfaqësoi Kosovën në garën e filmave të metrazhit të shkurtër në Cannes – nuk përfundoi kur juria i akordoi çmimin e një filmi nga Hong Kongu. Nga ky festival, filmi 15-minutësh hapi dyert për në festivale të tjera ndërkombëtare. E po kështu, edhe për regjisorët e rinj nga Kosova. “Më e rëndësishmja është që ne sapo hapëm një derë të re për regjisorët e ardhshëm”, ka thënë regjisori Samir Karahoda me të arritur në Aeroportin e Prishtinës

Udhëtimi disaorësh me avion nga qyteti i Cannes deri në Prishtinë nuk e kishte mpakur përjetimin gati të pabesueshëm. Si një vazhdim i ëndërrt i suksesit të para tre vjetësh kur filmi “Në mes” përshkoi tapetin e “Berlinales”, filmi i dytë i regjisorit Samir Karahoda “Pa Vend” ka prekur lartësitë e kinemasë evropiane. Në edicionin e 74-t të Festivalit Ndërkombëtar të Cannes, filmi 15-minutësh e markoi Kosovën si një vend me potencial premtues kineast.

Megjithëse kineastë e kritikë filmi kishin lexuar ogure të mira duke e konsideruar atë si favoritin kryesor për të fituar në dhjetëshen e filmave të metrazhit të shkurtër, “Palma e Artë”, sipas vendimit të jurisë, iu akordua “Tian Xia Wu Ya” (Të gjithë korbat në botë) nën regjinë e Tang Yi.

Por mbrëmja inkadenshente e së shtunës në “Grand Théâtre Lumière” – aty ku për dy orë bota e filmit përcolli sy e veshë rikthimin e kinemasë – nuk duket të jetë fundi i filmit. Edhe pa trofeun e shumëdëshiruar, ekipi i filmit është shpresëplotë që suksese të reja janë krejt të prekshme në të ardhmen e afërt.

Karahoda: “Një atmosferë që nuk do ta harroj kurrë”

Këtë e kanë reflektuar edhe ekipi i filmit – regjisori Samir Karahoda, producenti Eroll Bilibani dhe dy protagonistët Ermegen Kazazi dhe Jeton Mazreku – kur në orët e hershme të së hënës kanë zbritur nga avioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Për pesë ditë të qëndrimit në qytetin e bukur të rivierës jugore të Francës, filmi “docu-fiction” u bë vegëza e takimeve të shumta, intervistave dhe promovimit.

“Ishte një përvojë e jashtëzakonshme për mua, pasi që ishte hera e parë që mora pjesë edhe si mysafir, edhe si regjisor, në një ngjarje të rëndësishme të filmit”, ka thënë Karahoda për KOHËN.

Ishte dita e parafundit e festivalit kur filmi “Pa Vend” blatoi vlerat nga takëmi i tij. Me premierën e dhënë të premten në “Théâtre Claude Debussy”, filmi nga Kosova përftoi duartrokitje e vlerësime nga publiku në sallë.

“Ishte vërtet një ndjenjë jonormale dhe një atmosferë që nuk do ta harroj tërë jetën”, ka thënë Karahoda.

Për regjisorin 44-vjeçar nga Prizreni, ngjarja në Cannes është prologu i një rrugëtimi të ri për filmin.

“Më e rëndësishmja është që ne sapo hapëm një derë të re për regjisorët e ardhshëm”, ka thënë Karahoda, teksa ka shfaqur shpresën që Kosova të jetë më shpesh në këtë festival.

Bashkë me Kosovën ka qenë edhe Maqedonia e Veriut me filmin “Severen Pol” nën regjinë e Marija Apcevkas, e cila ia ka bërë sefte në po të njëjtën kategori.

E fill pas tyre kanë qenë në garë edhe tetë filma të tjerë: “Det er i Jorden” nën regjinë e Casper Kjeldsen (Danimarkë), “Orthodontics” nën regjinë e Mohammadreza Mayghani (Iran); “The Right Words” nën regjinë e Adrian Moyse Dullin (Francë); “Noite turva” nën regjinë e Diogo Salgado (Portugali); “Sideral” nën regjinë e Carlos Segundo (Brazil/Francë); “All The Crows in the World” nën regjinë e Tang Yi (Hong Kong); “Céu de Agosto” nën regjinë e Jasmin Tenucci (Brazil/Islandë) dhe “Xue yun” nën regjinë e Wang Lu (Kinë).

Bilibani: “Të investojmë në talente të reja”

Gjatë qëndrimit në Cannes, filmit i trokitën në derë disa ftesa nga festivale të njohura të filmit, disa prej të cilave edhe të kategorisë A.

Dhe është pikërisht kjo rrethanë që ekipin e filmit e vë para sfidës jo të lehtë për të shestuar strategjinë e distribuimit të filmit.

“Në ditët në vijim do të kemi lajme të tjera sa i përket distribuimit”, ka thënë producenti Eroll Bilibani, me të arritur në Aeroportin e Prishtinës. Udhëtimi në Cannes, sipas tij, ishte një ndjesi e veçantë për t’u rikthyer në realitetet e parapandemisë.

“Tani e kuptuam tamam pse Cannesin e konsiderojnë si festival të festivaleve, aty e pamë sa rëndësi i jepet programit të filmit, regjisorëve të pranishëm dhe sa e rëndësishme për ta ishte rikthimi i kinemasë”, ka thënë Bilibani.

Duke folur për rrugëtimin e filmit në Cannes dhe pas tij, ai ka thënë se sfida më e madhe tani është mbajtja e reputacionit të Kosovës në skenën ndërkombëtare të filmit.

“Ajo çfarë mund të marrim si mësim është që të mendojmë më seriozisht për financim të filmit, të investojmë në talente të reja e në nxjerrjen e tregimeve të reja autentike nga Kosova”, ka thënë Bilibani.

Filmi që e përkrahu një sport të harruar

Ermegen Kazazi, njëri nga protagonistët e filmit, e ka përshkruar si përjetim të bukur praninë në Cannes sado që ata janë sportistë dhe jo aktorë.

“Nuk kemi pritur që të marrim pjesë në një festival të tillë”, ka thënë Kazazi, teksa ka falënderuar Karahodën e Bilibanin që e bënë të njohur përvojën e tyre në klubin e pingpongut nga Prizreni.

Edhe Jeton Mazreku, protagonisti tjetër në filmin “Pa Vend”, ka pasur vetëm përshtypje të mira nga qëndrimi në Cannes.

“Në çdo hap ishte kënaqësi”, ka thënë ai, për të shtuar se tani do t’i kthehen sportit.

Në të vërtetë, përmbajtja e filmit nga Kosova bëri që javën e kaluar Federata Ndërkombëtare e Pingpongut ta vlerësonte si zërues të këtij sporti.

Produksion i shtëpisë filmike “SK Pictures”, filmi “Pa Vend”, që kishte si titull pune “Table Stories”, është përkrahur me 15 mijë euro nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit, “DokuFest” si dhe disa kompani të tjera vendore.

I titulluar “Déplacé” në gjuhën e vendit nikoqir dhe “Displaced” në anglisht, filmi që ia kishte dalë të përzgjidhej në mesin e 3500 aplikimeve nga mbarë bota, sipas sinopsisit të afishuar në faqen e festivalit prestigjioz, paraqet dramën që zë vend në Kosovën e pasluftës, “ku të shtyrë nga ambicia për të mbajtur gjallë sportin e tyre të zemrës, dy lojtarë lokalë enden nga një vend në tjetrin, duke mbartur me vete të vetmen pasuri të klubit: tavolinat e tyre”.

Filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që ta mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.