Kulturë

Nexhmije Pagarusha, zëri magjepsës i një zemre ambrozi

“Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e Këngës Shqipe”, “Primadona e Melosit Popullor”, “Ema Sumak Shqiptare”, “Madame Butterfly”, “Fyti i Kristaltë”, dhe një mori epitetesh vlerësuese e personifikojnë Nexhmije Pagarushen.

Është ky piedestal mirënjohjeje, është ky panteon nderimi, ku qëndron këngëtarja Nexhmije Pagarusha, fenomeni multidimensional, e i papërsëritshëm. Kënga e saj është religjion, besim, art, përjetshmëri që ngjall shpresën dhe lartëson triumfet. Me 40 vite karrierë artistike dhe një repertor prej 150 këngësh e sjellin atë ndër ne si një domethënie e vlerave shpirtërore, e këngës shqipe, e ambrozit të ëndjeve të hyjshme që ushqen kumbimi nëpër ndërkohë i këtij zëri. Kështu e cilëson albertvataj.com .

Ajo, në interpretimet e saja, nuk ndjek rregulla, kumton studiuesi Akil Koci, ajo e ndjen këngën, e ndjen fjalën e thënë përmes melodisë dhe krijon imazhe të reja, qëndrim, rregull, duke u bërë bashkë-autore e këngës, si fryt i perceptimit të saj të subjektit artistik, ku ndihet mesazhi përmes vokalit të saj kumbues, rrëqethës por plotë lëvizje në kompleksi-tetin e interpretimin të saj të shkëlqyer, që paraqet sensacion të fenomenit tingëllor.

Artistja shqiptare Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës në Kosovë. Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Butterfly, Fyti i Kristalte, etj. Mori shumë çmime, ndër të tjera “Këngëtare e Shekullit”.

Për një kohë të gjatë ajo ishte ambasadorja e denjë e kulturës shqiptare, figurë artistike, dhe personifikim i këngës shqipe. Gjithmonë kur flasim për krijues të njohur në të gjitha lëmenjtë e shkencës dhe artit,si dhe për interpretuesit, bëjmë analiza dhe flasim nga këndvështrimi personal, duke nxjerrë në pah vlerat e tij të mirëfillta dhe duke u përcaktuar për kritere qofshi ato shkencore apo artistike të mbështetura në argumente mbi trajtën dhe formën e veprës për të cilat bëjmë fjalë,dhe rrallëherë ose asnjëherë nuk gjykojmë në bazë të mbresave tona për veprën e krijuar,krijuesin, interpretuesin në tërësi, por përpiqemi të sjellim përfundime në bazë të veprës ekzistuese.

Është thënë shumë herë vepra shkencore apo e artit,pasi të përfundojë,nuk i përket më autorit të saj. Ketë fenomen e vërejmë sa herë sa herë që bëjmë fjalë për veprat e artit dhe për artistët e mirënjohur.

Ketë e hetojmë e edhe tani,ndërsa bëjmë fjalë për portretin e artistes sonë të njohur,këngëtares Nexhmije Pagarusha, e cila ka qenë dhe ka mbetur fenomeni multidimensional, e pa përsëritshme,e cila gjithnjë ka zgjuar dhe zgjon kërshërinë tonë,sepse pos vlerave artistike të pa mohueshme, ajo na ka prezantuar në kohërat më të vështira të ringjalljes së dytë të identitetit tonë kombëtar,ku pas të gjitha atyre trajtave që ka kaluar populli i ynë sidomos ne në Kosovë,ajo shkëlqeu në shumë skena kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nexhmija atë kohë ishte ambasadore e denjë e kulturës shqiptare,figurë artistike dhe personifikim i këngës shqipe dhe pa marrë parasysh urrejtjen që shprehnin armiqtë tanë ndaj nesh,gjithmonë po ata armiq janë përkulur dhe i kanë duartrokitur artit të saj,personit e cila gjithë herë dhe gjithmonë ka shpreh identitetin e vet nacional, pavarësisht se ku dhe para kujt ka kënduar këngët shqipe dhe vetëm shqipe, atë melos që e donin ose nuk donin,ndërkaq e shijonin jo vetëm interpretimin e saj të shkëlqyer, por edhe begatinë meloritmike të këngës shqipe. Edhe sot, nëse bëjmë një retrospektivë të plejadës së këngëtarëve jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjitha trojet shqiptare, do të shohim se ketë fenomen ende nuk ka mundur kush ta zëvendësojë si këngëtare, pa marrë parasysh numrin e madh të tyre, që u shkolluan jo vetëm neper shkollat tona muzikore, por edhe ato evropiane dhe botërore.

Kronologjiket mund të vërejmë se ka patuar këngëtare po ashtu të suksesshme, por asnjëra apo asnjeri nuk ka arritur zenitin e shkëlqimit të interpretimit si Nexhmija e jonë e madhe. Prandaj, me plotë të drejt mund të them se, pavarësisht talentit dhe gjeniu krijues që posedonin krijuesit tanë që nga Lorenc Antoni,Rexho Mulliqi dhe të tjerët deri në ditët tona, të gjithë këta kanë pasur fatin e madh që kanë qenë bashkëkohanikë të saj dhe kanë kompozuar këngë, të cilat i ka interpretuar Diva e muzikës popullore shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Ajo na fali këngën, kurse poetët i thurën vargje e kompozitorët kompozuan këngët kushtuar asaj dhe vetëm asaj – Bylbylit të Kosovës dhe Hyjneshës së këngës, pra Divës sonë të këngës dhe interpretimit që është vlerë nacionale, dhe po e mbarojmë ketë shkrim me thënën e Rilind-asit tonë Naim Frasherit: “ç’vlerë t’i venë vetes një komb, atë e venë dhe të huajtë’’.