Kulturë

Filmi nga Kosova në festivalin prestigjioz – shans për “Oscar” evropian

Me 74 vjet histori, festivali i filmit në Locarno është ngjarja më domethënëse kinematografike në Zvicër, e një prej më të rëndësishmeve në Evropë. Për 11 ditë rresht, zemra e festivalit në magjepsësen “Piazza Grande” shndërrohet në “më të bukurin film-teatër nën yje”. Publiku filmdashës zviceran do të ketë mundësinë ta shohë edhe filmin e metrazhit të shkurtër “Four Pills At Night”, me regji dhe skenar të Leart Ramës. I përzgjedhur në kategorinë “Pardi di domani: Concorso nazionale”, ky film aspiron edhe “European Film Award”, që njihet edhe si “Oscar” evropian. “Për mua si regjisor është ëndërr të jem i përzgjedhur në një festival kaq prestigjioz”, ka thënë Rama për KOHËN

Është rrëfim kineast mbi dashurinë, dashurinë e pastër, e cila do të ndihej e njëjtë kudo në botë. Në kërkim të përgjigjeve pas një kthese të papritur, filmi i metrazhit të shkurtër “Four Pills At Night” me regji të Leart Ramës po mësyn drejt audiencave që janë ëndërr e çdo kineasti.

Ky projekt do të debutojë me premierë botërore në “Locarno Film Festival”, me namin e një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Zvicër dhe Evropë. Lajmin fillimisht e ka bërë të ditur kompania e produksionit “Katarzë Films”, nëpërmjet një afishimi në faqen e saj zyrtare në Facebook.

“FOUR PILLS AT NIGHT nga Leart Rama është përzgjedhur në Pardi di domani National Competition në edicionin e 74-të të Locarno Film Festival. Filmi do të ketë premierën e vet botërore në gusht dhe ne mezi po presim të jemi atje”, thuhet në njoftim.

Edhe Qendra Kinematografike e Kosovës, gjersa ka përcjellë këtë njoftim, e ka përshkruar në mënyrë sinoptike përmbajtjen e filmit të regjisorit Rama.

“Me një film për të xhiruar në të ardhmen e afërt, një regjisor zhvillon diçka më shumë sesa një lidhje profesionale me aktorin e tij. Kur ata shkojnë së bashku në një festë të mirë, gjërat marrin një kthesë të papritur. Mashtrim apo e vërtetë, të dy përfundojnë pa përgjigje”, thuhet në kumtesën e QKK-së. “Ky film ka të bëjë me dashurinë, dashurinë e pastër. Mund të ndodhë midis një djali dhe një vajze, dy vajzave ose dy djemve në çdo pjesë të botës, do të ishte akoma e njëjtë, të ndihej e njëjtë. Kjo është arsyeja pse ne jemi njerëz. Dashuri”.

Në tetor të vitit të kaluar, skenari i regjisorit Rama, asokohe me titull “Four Pills In A Medow Night”, ishte shpallur fitues për një grant për produksionin e filmit të shkurtër nga “DokuFest” dhe “Internationale Kurzfilmtage Winterthur”.

Me 18 maj të këtij viti, ekipi ia kishte dalë mbanë që t’i përmbyllte me sukses xhirimet e këtij filmi, i cili është prodhim i “Katarzë Films” bashkë me “Degjenerata”, ndërkohë që është mbështetur nga “Internationale Kurzfilmtage Winterthur”, “DokuFest” dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.

Siç bëhet e ditur edhe nga kompania e produksionit, në këtë film luajnë aktorët Redon Kika, Florist Bajgora, Don Shala, Gjeni Basha, Edon Shileku, Dardan Bytyqi, Nita Kaja, Blin Sylejmani, etj.

Në një prononcim për KOHËN, regjisori dhe artisti Leart Rama ka thënë se ende po e proceson një lajm kaq të rëndësishëm siç është pjesëmarrja në festivalin e njohur zviceran.

“Për mua si regjisor është ëndërr të jem i përzgjedhur në një festival kaq prestigjioz”, ka thënë Rama.

Regjisori 24-vjeçar ka bërë të ditur po ashtu se filmi është në kompeticion zyrtar të festivalit, duke qenë kandidat për “European Film Award”, që njihet edhe si “Oscar” evropian.

Ndërkohë, sipas faqes zyrtare të festivalit zviceran, filmi që është kategorizuar te “Pardi di domani” (filmat e metrazhit të shkurtër) do të shfaqet më 11 gusht në kinemanë “La Sala”, më 12 gusht në “PalaVideo”, si dhe me 13 në “L’altra Sala”.

Ndonëse ishte i shtrënguar ta anulonte edicionin e vjetshëm për shkak të pandemisë me COVID-19, “Locarno Film Festival” – me një histori 73-vjeçare – zë një vend të përveçëm në peizazhin e festivaleve madhore të filmit.

Për çdo gusht, për njëmbëdhjetë ditë radhazi, qyteti zviceran-italian i Locarnos, bash në zemër të Evropës, bëhet kryeqyteti botëror i kinemasë regjisoriale.

Image

Mijëra adhurues filmi dhe profesionistë të industrisë takohen aty çdo verë për të bashkëndarë etjen e tyre për zbulime të reja dhe pasionin për kinemanë në krejt larushinë e saj.

Për edicionin e sivjetmë, që hap dyert nga 4 deri më 14 gusht, organizatorët e kanë shprehur kryesynimin: Të rimblidhen të gjithë përballë ekranit të madh. Janë dy pika kyçe: shëndeti i secilit dhe filmat, qofshin ata në Piazza Grande, apo në të tjerë teatro brenda qytetit që bëhet festival.

“Është për familjet, për fëmijët, për dashamirët e filmit dhe filmbërësit. Apo, thënë më thjeshtë, për ata që dëshirojnë ta përjetojnë një aventurë unike në një vend unik”, thuhet mes të tjerash në faqen e festivalit për edicionin e sivjetmë, të 74-tin me radhë.

I themeluar më 1946, ai është një nga festivalet më të njohur, i cili shërben edhe si platformë për filma.

Festivali shfaq filma në kategori të ndryshme garuese e jogaruese, përfshirë filma me metrazh të gjatë, dokumentarë, të shkurtër, avangardë e programe retrospektive.

Seksioni në “Piazza Grande” është një prej logjeve më të mëdha në botë në vend të hapur, me kapacitet për tetë mijë spekaktorë. Çmimi kryesor i festivalit është “Golden Leopard”, që ndahet për më të mirin film në garën ndërkombëtare. Të tjera çmime janë: “Leopard of Honour” për arritje në karrierë, si dhe çmimi i publikut “Prix du Public UBS”.