Kulturë

“Lule Mosmëharro” në kërkim të lirisë e dashurisë për të gjithë

Nuk është vetëm një emër interesant për një instalacion lulesh gjithfarësoji: boshtra, fara palme, luleqershi, luleftoi apo karajfile. Nëpërmjet tyre është vënë në spikamë edhe potenciali që kujtesa personale mbart në vete për të rishkruar gradualisht kujtesën kolektive. Lulet janë histori personale të Petrit Halilajt e Álvaro Urbanos dhe rrëfejnë lidhjen e tyre. Për shoqërinë ata sjellin lule si shpresë për liri e dashuri për të gjithë

Kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës mund të mos jenë i vetmi raritet i ngrehinës brutaliste që u projektua nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq. Lule masive të bardha, luleqershi e aso të ftoit lavjerrëshin statike nga tavani si për të mbizotëruar krejt enterierin e dy kateve të sipërme.

Ky paralelizim i hapësirës së brendshme nëpërmjet artit ishte pjesë e instalacionit “Lule Mosmëharro” e dyshes së artistëve Petrit Halilaj dhe Álvaro Urbano.

Fillimi i “udhëtimit të bukur”

Me atë që u përshkrua si fillim i “udhëtimit të bukur” në Prishtinë, “Autostrada Biennale” të mërkurën pasdite ka shpalosur edicionin e saj të tretë me radhë.

Me një performim simbolik me kostume kualash nga dy artistët protagonistë, dy shkëputje muzikore të Flutura Hazirajt dhe Plator Gashit, e kanë bashkëshoqëruar ekspozitën me lulet që prej vjetshit përshkuan Madridin, Romën e Berlinin.

Bashkë me fushën e lulediellit të mbjella në platenë e Pallatit të Rinisë nga artistja Agnes Denes, instalacioni i artistit nga Kosova dhe atij nga Spanja i mëshon domosdoshmërisë për transformim shoqëror.

“Ato lidhen me tokën, ujin, dritën – të gjitha këto që nuk mund të merren si të mirëqena. Ato bashkojnë perspektivat mikro dhe makro, kujtimet personale të çlirimit dhe transformimit ndërsa kremtohet jokonformiteti. Lulet po ashtu u përgjigjen me dhembshuri shtresave të traumës dhe dhunës, me një thirrje për diversitet; për histori, specie dhe komunitete të ndryshme”, është thënë në libërthin “Çka nëse një rrugëtim…” me synimet e vizionet e sivjetme të “Autostrada Biennale”.

Në hapje të ekspozitës, Vatra Abrashi, drejtuese e programit të edukimit në “Autostrada Biennale”, është shprehur e lumtur që kjo ngjarje po e fillon edicionin e saj të tretë.

“Është një nga ëndrrat tona që Petriti me Álvaron e bënë realitet duke i vendosur këto lule në magjinë e një prej ndërtesave më të jashtëzakonshme që ka Prishtina”, ka thënë Abrashi.

Të pranishmëve u janë drejtuar me një fjalë rasti edhe dy kuratoret e bienales, Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmusoglu​.

“Përgatitjet i kemi nisur që prej vitit të kaluar”, ka thënë Warsza teksa ka shprehur kënaqësinë që ndërtesa e BKK-së ofroi një vend ideal për këtë ekspozitë. Duke qëmtuar historinë e objektit, ajo kishte mësuar se qysh në fillim ishte menduar si diçka që do të rritet e rritet e të mos jetë e përfunduar.

“Dhe kjo është një nga metaforat që po e përdorim edhe ne për idenë e mospërfundimit”, ka shtuar ajo.

Adrian Berisha, drejtor për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se objekti i Bibliotekës nga brenda ka marrë një pamje si asnjëherë më parë. Sipas tij, lulet magjepsëse të dyshes artistike erdhën në Prishtinë për të rikujtuar se nuk ka kufi për kujtimet e përbashkëta.

“Sikur është një ftesë për të na kthyer në memoriet tona, por edhe shpresat për ndryshim, guxim e moskonformizëm me preokupimet e përbashkëta që kemi si komunitete pavarësisht se ku jetojmë”, ka theksuar Berisha.

Transformimi i historisë personale

Në të vërtetë, ekspozita e së mërkurës ishte veçse riformatizim i asaj që në korrik të vitit të kaluar pati një hapje spektakolare në Pallatin e Kristaltë në Madrid me titullin “Një korbi dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”. Në tetor u hap njëkohësisht edhe në “Quadriennale di Roma”, si dhe në “Berghain” në Berlin.

Të punuara në madhësi gjigante nga një kornizë delikate e çeliktë dhe me pëlhurë të ngjyrosur, ato ngërthejnë në vete historitë personale dhe lidhjen e dy artistëve me njeri-tjetrin.

Titulli i ekspozitës rrjedh nga lulja “Myosotis”, emri i së cilës vjen nga greqishtja e vjetër (μυοσωτίς) “veshi i miut”, e që njihet edhe si lulja “Mosmëharro”.

Image

Me një performim simbolik me kostume kualash nga dy artistët protagonistë, dy shkëputje muzikore, e kanë bashkëshoqëruar ekspozitën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me lulet që prej vjetshit përshkuan Madridin, Romën e Berlinin (Foto: Driton Paçarada)


“Këto lule gjithashtu shërbejnë si përkufizues të potencialit që kujtesa personale mbart me vete për ta rishkruar gradualisht kujtesën kolektive”, është thënë, mes të tjerash, në tekstin kuratorial.

Në një prononcim për KOHËN, Álvaro Urbanos e ka quajtur si të rëndësishme që po mbahet në Prishtinë.

“Dhe në njëfarë mënyre ky udhëtim i bukur ka qenë një nga ndalesat më të mira”, ka thënë Urbanos, artist 38-vjeçar nga Madridi.

Edhe artisti Petrit Halilaj është shprehur i lumtur që në mjediset e BKK-së këto lule “janë bërë edhe më të mëdha”.

“Nuk mund të gjendej një vend më i bukur për neve për këtë ekspozitë”, ka thënë Halilaj teksa ka treguar edhe për sfidat për instalimin e tyre.

Secila prej luleve, sipas Halilajt, e ka një histori personale: idenë që secili t’ia japim nga një lule njëri-tjetrit.

“Fakti që në këtë shoqëri ka vend për liri, barazi e për të gjithë, këto lule bëjnë thirrje që të ketë dashuri për të gjithë. Këto lule janë si memorie, por sjellja e tyre në Kosovë është sjellja e tyre në shtëpi”, ka thënë ai teksa ka shtuar se e ka pasur të rëndësishme sjelljen e instalacionit edhe në një shoqëri që ka pasur rrugëtim të gjatë në kërkim të lirisë. “Është emocion tepër i madh”, ka thënë Halilaj.

Për të lulet simbolizojnë diçka që është e hareshme, e bukur, por edhe e ndjeshme dhe e pasigurt. Kur e kishte hapur ekspozitën në Madrid, kishte zbërthyer për KOHËN zanafillën e tyte si një simbol tradicional i dashurisë dhe festimit.

“Lulet po ashtu krijojnë një hartë të historisë sonë në mes të kohës dhe hapësirës, një gjest i vogël privat që ndodh këtu – brenda hapësirës publike – dhe ndahet me të tjerët. Me madhësitë e tyre ato zënë një hapësirë për të shfaqur atë që ne ndonjëherë detyrohemi që ta fshehim”, kishte thënë Halilaj, artisti i cili e përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, në edicionin e 55-të më 2013.

Me lule, Halilaj dëshiron që publiku të jetë në gjendje të bisedojë për dashurinë dhe miqësinë. E biseda tashmë ka nisur.

Në orët e mbrëmjes, edhe kryeministri Albin Kurti ka vizituar ekspozitën e artistëve, e të cilën e ka njoftuar përmes profilit të tij në “Instagram”.

“Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano kanë vendosur një kopsht në tavan që ngjan si strehë e dëshirës”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ndryshe, “Autostrada Biennale” ka filluar në Prizren në vitin 2014, teksa edicionin e parë e ka mbajtur më 2017. Për organizatorët, themelimi i saj i detyrohet një ndjenje “të mungesës, nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe hapjes ndaj botës”.

Si pikë lidhëse dhe rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor, në edicionin e fundit, të mbajtur më 2019, e kishte pasur si kurator Giacinto di Pietrantonion me artistë nga vendet e rajonit, por edhe Italia, Rumania, Belgjika, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.

Vjet “Autostrada Biennale” kishte njoftuar se edicionin saj të tretë do ta mbajë sivjet nga korriku deri në shtator. Shi për këtë, një bord këshillues i Biennales kishte përzgjedhur dy artiste nga Berlini si bashkëkuratore të edicionit të radhës: Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza.

Në qershor të vitit të kaluar, në një prononcim për KOHËN, ato ishin shprehur të lumtura që u ftuan nga një organizatë që drejtohet nga artistët dhe nuk ka ndonjë qëllim marketingu.

“Ne e dimë se arti është i pari në këtë mjedis. Sot Evropa hapet sërish pas ndalesave të udhëtimit për COVID-19. Ne e marrim këtë si shenjë të mirë si dita prej kur ne e fillojmë këtë udhëtim”, kishin thënë Durmusoglu dhe Warsza në një deklaratë të përbashkët.

E Kosova nuk është bash “terra incognita” për to. Falë miqve artistë, ato ishin familjarizuar prej kohësh me skenën artistike në Kosovë, sidomos Durmusoglu, e cila kishte krijuar një ekspozitë grupore në “Stacion Prishtina”.

Edicioni i tretë i “Autostrada Biennale” në Prishtinë përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

{gallery}

Titulli i ekspozitës rrjedh nga lulja “Myosotis”, emri i së cilës vjen nga greqishtja e vjetër (μυοσωτίς) “veshi i miut”, e që njihet edhe si lulja “Mosmëharro”, si “përkufizues të potencialit që kujtesa personale mbart me vete për ta rishkruar gradualisht kujtesën kolektive” (Foto: Driton Paçarada)