Kulturë

Çeku, Leskovar dhe Filarmonia dy koncerte në hapjen e sezonit veror të “Lumbardhit”

“Lumbardhi” hap sezonin veror me koncertet e Petrit Çeku & Monika Leskovar dhe të Filarmonisë së Kosovës në Prizren, të mërkurën me 28 qershor, respektivisht të premten me 30 Qershor.

Dy vite pas rihapjes, “Lumbardhi” fillon një format të ri, me programe shumëdisiplinare që përfshijnë filmin, muzikën, letërsinë, teknologjinë, mediat e reja dhe fusha të tjera relevente, dhe do të realizohen nga Fondacioni Lumbardhi, komunitetet rreth tij dhe partnerët e organizatës, sikurse edhe palë të treta që i shfrytëzojnë hapësirat e kinemasë.

Kinemaja e dikurshme, prej pranverës 2015 është nën shfrytëzim të Fondacionit Lumbardhi, të themeluar si vazhdimësi e Iniciativës për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit, me qëllim të krijimit të strukturës menaxhuese të hapësirës, zhvillimin e programeve të saj si dhe ndërmarrjen dhe inicimin e të gjitha veprimeve të nevojshme për zgjidhjen e statusit dhe përtëritjen e këtij institucioni kulturor.

Në këtë periudhë LUMBARDHI ka qenë organizator apo nikoqir i aktiviteteve të shumta, përshirë shfaqje të filmit, ekspozita, koncerte, konferenca, ligjërata, punëtori dhe mbledhje të ndryshme të komuniteteve dhe organizatave të ndryshme kulturore. Gjatë kësaj kohe, përtej programeve, me mbështetjen e CHwB Kosova dhe donatorëve e partnerëve të ndryshëm është revitalizuar pjesa administratrive e kinemasë, është restauruar kulmi i kinemasë dhe së fundmi kanë filluar punimet për funksionalizimin e sallës së saj. Fondacioni LUMBARDHI ka për qëllim që në të ardhmen e afërt t’i sigurojë kushtet dhe mbështetjen për ri-jetësimin e plotë të Kino Lumbardhi si hapësirë kulturore dhe kreative, e hapur për shkëmbim dhe prodhim të dijes, zhvillimit të komuniteteve dhe prezantim të formave të ndryshme artistike dhe kulturore.

Për nder të hapjes së sezonit veror, LUMBARDHI vjen me dy koncerte të rëndësishme në Kino Bahçe, ku të mërkurën me 28 Qershor është nikoqir i duos Petrit Çeku & Monika Leskovar, ndërsa të premten me 30 qershor e pret Filarmoninë e Kosovës për mbylljen e sezonit të tyre koncertal. Koncerti është i hapur për publikun e gjerë, ndërsa biletat mund të blihen në lokalet Barcode dhe BarAca (Prizren) si dhe në Dit' e Nat' (Prishtinë).