Kulturë

PDK-ja akuzon pushtetin e VV-së për mungesë rezultatesh në rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti”

Descriptive Text

Drejtuesit e Degës së PDK-së në Prizren kanë akuzuar pushtetin lokal, si dhe atë qendror për mungesë rezultatesh sa i përket projektit për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” në qendrën historike të qytetit. Sipas PDK-së, pas rastit tragjik në këtë rrugë, që kishte ndodhur në qershor të vitit 2016, ku si pasojë e shembjes së një pjese të murit dhe kulmit të një shtëpie të vjetër kishte vdekur vajza trevjeçare, Xheneta Gashi, ka pasur protesta e thirrje për përgjegjësi, ndërkohë që sot nga pushtetarët aktualë nuk ka veprime konkrete për këtë pjesë të qytetit.

“Sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar një rast tragjik, i cili ka ndodhur në vitin 2016, në qershor, kur një vajzë e re, Xheneta, e ka humbur jetën. Asokohe ka pasur protesta të shoqërisë civile në Prizren, të organizuara nga opozita e asaj kohe. Kanë qenë shumë të zëshme, kanë qenë shumë të ashpra, dhe kanë kërkuar përgjegjësi, kanë kërkuar llogari, aq sa kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ish-kryetarit të Komunës, si pasojë e rastit tragjik, duke aluduar se përgjegjësia ka qenë direkte. Ne jemi sot këtu që të përkujtojmë se i kemi diku 4 vjet prejse ka ndërruar pushteti dhe 5 vjet prejse ka ndodhur rasti, ndërsa të gjithë ata që asokohe bënin zhurmë tani janë në pushtet edhe me gjithë faktin që në atë kohë kanë kërkuar llogari nga pushteti lokal vetë prejse janë në pushtet, fare nuk janë marrë me rastin”, ka thënë kryetari i Degës së PDK-së, Shaqir Totaj, gjatë një konference për media të mbajtur në këtë rrugë.

Sipas tij, pamja e shtëpisë së dëmtuar nuk ka ndryshuar.

“Po shihet pas nesh shtëpia ku ka ndodhur rasti tragjik, është në gjendje identike, veçse është përkeqësuar gjendja e objektit”, ka deklaruar ai.

Totaj ka thënë se VV-ja tani qeveris në Prizren dhe në nivelin qendror, porse nuk ka sjellë ndonjë rezultat në raport me rivitalizimin e kësaj rruge.

“Nëse ndërlidhemi me pushtetin qendror, tani e kemi rastin ku të dy pushtetet janë të partisë së njëjtë dhe akoma nuk kemi asnjë rezultat. Ne nuk e dimë se çka po ndodh, mund të ketë konflikt kompetencash, ndonjë aktivitet që është zhvilluar deri më tani, mirëpo rezultat nuk ka. Rezultati është zero dhe asokohe ata që kanë kërkuar llogari dhe kanë dhënë premtime megalomane, tani, kur kanë ardhur në pushtet, gjendja është më e keqe se që ka qenë”, ka thënë Totaj.

Ai ka shtuar se pushteti aktual nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna në fushatë paraelektorale.

“Është me rëndësi që qytetarët t’i dinë këto informacione në mënyrë që ta kenë më të qartë se pushteti aktual as për së afërmi nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna në lidhje me këtë rast, por edhe në lidhje me shumë raste të tjera”, ka deklaruar Totaj.

Projekti i regjenerimit urban të rrugës “Marin Barleti” ishte prezantuar në prill të vitit 2019.

Gjatë këtij prezantimi ishte paraqitur zgjidhja përfundimtare e projektit për të gjitha 14 ndërtesat e trashëgimisë kulturore në këtë rrugë, përfshirë edhe intervenimet në ndërtesat e reja, sikurse edhe plani i dizajnit urban të lagjes.

Ministri i atëhershëm i MKRS-së, Kujtim Gashi (PDK), pati theksuar se ky projekt ishte iniciuar nga viti 2017, me financim nga kjo ministri, donatorët ndërkombëtarë dhe me mbështetjen e Komunës së Prizrenit.

“Ne sot para vetes kemi projektin i cili do na i hapë rrugët për investime në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit”, kishte thënë Gashi, duke shprehur mirënjohje edhe për bashkëpunimin e pronarëve të ndërtesave në këtë rrugë.

Edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, asokohe kishte vlerësuar se ky projekt është i qëlluar për këtë qytet, meqë shenja dalluese e tij është trashëgimia kulturore.

Shembja e një pjese të murit dhe kulmit të një shtëpie të vjetër në rrugën “Marin Barleti”, në Qendrën Historike të Prizrenit, më 6 qershor 2016, kishte lënë të vdekur vajzën trevjeçare, Xheneta Gashi. Para se të ndodhte kjo tragjedi ka pasur thirrje të vazhdueshme nga shoqëria civile për nevojën e intervenimit nga autoritetet përgjegjëse. Kjo rrugë bën pjesë në kuadër të Kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mëhallës, që ka status të mbrojtjes ligjore.