Prej së martës, objekti të cilin Komuna e Vushtrrisë synoi ta rrafshojë, ka marrë statusin e monumentit. Duke u bërë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, së paku për një vit, i shpëton rrënimit. Në ditë fundjave, Qeveria lokale kishte rrënuar një pjesë të ndërtesës. Policia qe autoriteti që e siguroi ndërtesën. E më pas edhe Gjykata nëpërmjet një vendimi. Por tash kanë ndryshuar hesapet
Vushtrrisë i është shtuar edhe një monument. Ish-ndërtesa e Gjykatës në qendër të qytetit, të martën ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore që mbrohet nga shteti. Deri te ky vendim Ministria e Kulturës ka ardhur pas përplasjeve gati dymujore me autoritetet komunale të Vushtrrisë.
E para kishte nisur vlerësimin nëse ndërtesa i plotëson kushtet të jetë monument, kurse institucioni lokal kishte mësyrë rrënimin e saj. Bile në ditë fundjave kishte rrënuar një pjesë. Policia qe autoriteti që e siguroi ndërtesën. E më pas edhe Gjykata nëpërmjet një vendimi.
Por tash kanë ndryshuar hesapet.
“Aprovohet rekomandimi i Komisionit profesional shqyrtues për kërkesat/propozimet për përfshirjen në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme të aseteve të trashëgimisë kulturore arkitekturore të ndërtesës së njohur si ish-ndërtesa e Gjykatës Komunale në Vushtrri”, shkruhet në vendimin që është nënshkruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Kësisoj, për një vit kjo ndërtesë është monument. Sipas arsyetimit të shkruar në këtë dokument, edhe pse me dëmtime, nga përpjekja e fundit për ta rrënuar, Komisioni ka konstatuar se ndërtesa posedon vlerat kryesore arkitekturore, si ato të autenticitetit dhe ato stilistike, të cilat më së miri e përfaqësojnë arkitekturën moderne të ndërtesave administrative në Vushtrri.
“Duke pasur parasysh se ndërtesa ka pasur funksion publik dhe së bashku me Postën dhe Kinemanë e qytetit dhe në afërsi të Kalasë së Vushtrrisë ka qenë pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së banorëve, e si e tillë ka definuar këtë hapësirë urbane duke diktuar vijat e ecjes dhe duke shërbyer edhe si pikë referuese”, shkruhet në arsyetim.
Për marrjen e këtij vendimi nga ana e MKRS-së, KOHA ka raportuar qysh në mëngjesin e së martës.
Pas nënshkrimit nga ministri Çeku, secili veprim ndaj ndërtesës pa miratim paraprak të institucioneve të trashëgimisë kulturore përbën shkelje ligjore. E rrënimi, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore përbën vepër penale. Për Komunën e Vushtrrisë, qasja e MKRS-së ka qenë gjithnjë e papranueshme.
Për ish-ndërtesën e Gjykatës në Vushtrri, Kuvendi Komunal ka nxjerrë vendim për rrënim qysh në mars. Kurse MKRS-ja në maj kishte nisur vlerësimin nëse ajo i plotëson kushtet për ta marrë statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Muajin e kaluar, në një mëngjes të së dielës, Komuna kishte nisur rrënimin e ndërtesës. Ishte dashur ndërhyrja e policisë për ta ndalur atë. Këtë veprim Komuna e kishte ndërmarrë pavarësisht shkresave të MKRS-së dhe institucioneve të tjera të nivelit qendror. Por edhe vendimin e Gjykatës e ka kundërshtuar duke e cilësuar si absurd.
“Aprovohet si i bazuar propozimi i paditësit/propozuesit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me seli në Prishtinë, të cilën e përfaqëson Avokatura shtetërore e Republikës së Kosovës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i protokolluar më 31 maj. “Shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë, nr.69/21 të datës 25.3.2021, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, shkruhet në pikën numër dy të vendimit të nënshkruar nga gjyqtari Kreshnik Kaçiu.
Por Komuna e Vushtrrisë nuk pajtohej me vendimin e Gjykatës.
“Është vendimi më absurd në historinë e gjyqësorit të Kosovës. Si mundet me e shty Gjykata zbatimin e një vendimi të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë pa pasur një vendim të MKRS-së, pra pa asnjë bazë ligjore, në bazë të cilit nen, të cilit ligj? Jam i sigurt që Apeli ka për ta anuluar këtë vendim absurd”, kishte thënë më 1 qershor kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një përgjigje për KOHËN.
Të martën Tahiri nuk u është përgjigjur pyetjeve deri në kohën e raportimit.
Patrullat e Policisë së Kosovës, të paktën deri të martën, me kërkesë të MKRS-së kanë qëndruar tek ish-ndërtesa e Gjykatës në Vushtrri. E ruajnë atë që Komuna të mos e rrënojë nëpërmjet një kompanie punëkryerëse të angazhuar për ta rrafshuar atë.
Pjesa qendrore e ndërtesës nga prapa ishte dëmtuar goxha mëngjesin e së dielës së 25 majit, kur kishte nisur rrënimi. Reagimi i opozitës, shoqërisë civile, MKRS-së dhe Policisë kishte bërë që puna të ndalej.
Më 26 maj, Komuna e Vushtrrisë kishte lëshuar një komunikatë për media. Ato që ka thënë Komuna janë renditur në 9 pika.
Sipas komunikatës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, në vizitën e bërë në terren “gojarisht ua ka kumtuar zyrtarëve komunalë që ky objekt nuk përbën trashëgimi kulturore”.
“Zyrtarët komunalë janë të gatshëm të dëshmojnë kudo e në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QRTK-së në Mitrovicë, në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor...”, shkruhej në komunikatë. Nënvizohej se Komuna nuk ka dashur të humbë kohë që të njëjtin vlerësim ta presë edhe me shkrim. Aty tërthorazi bëhej e ditur se çështja do të përfundojë në gjykatë.
“Tani MKRS-ja me ndikim politik po tenton të ndërhyjë në vlerësimet e QRTK-së në Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QRKT-së në Mitrovicë, sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës, ose tani po e ndryshojnë vendimin sipas instruksioneve politike”, shkruhej në komunikatë.
Por sipas zejtarëve në Bulevardin qendror të Vushtrrisë, prapa ndërtesës që Komuna synonte ta rrënonte me arsyetimin që të krijojë hapësira për qytetarët posedon prona një prej biznesmenëve më të zotë në qytet. Zejtarët kishin thënë se Komuna tenton që me rrënim të objektit t’i krijohet biznesmenit qasje direkte në Bulevard.
Prej vitit 2015, dega e Gjykatës Themelore në Vushtrri nuk e shfrytëzon atë ndërtesë.
E në ditën e 6-të të majit, ekipi i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë kishte vizituar ndërtesën e vitit 1964. Sipas raportit të përgatitur, objekti prezanton një arkitekturë të unifikuar të objekteve të ndërtuara për funksion si gjykatë në kohën e ish-Jugosllavisë.
-
Nga: Shaban Maxharraj
-
23 qershor 2021 09:31
-
Shpërndaje në: