Jo shumë i njohur për publikun e gjerë, por artistë të shumtë tek ai shihnin njeriun e vlerave të larta. Aktori i lindur në Prizren më 1947, Enver Kaçaniku, përpos shfaqjeve të shumta teatrale, hyri edhe në celoluidin e kinemasë me rolet e tij në filmat “Migjeni” dhe “Si të vdiset”.
Të premten është ndarë nga jeta, kumt ky që është bërë i ditur nga këngëtari Shkumbin Kryeziu.
“Pusho i qetë miku ynë i dashur, z.Enver Kaçaniku, aktor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, njeri me vlera të larta, njeri fisnik që do të mbetesh gjithmonë i skalitur në mendjet dhe kujtimet tona. I lumi ti baca Enver për shpirtin e bardhë që ke pasur”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e tij në “Facebook”.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Ministria e Kulturës gjatë ditës ka vlerësuar se vendi ka humbur një njeri me vlera të larta.
“Ne u shprehim ngushëllime, familjes dhe kolegëve për këtë humbje. Aktorin z. Enver Kaçaniku dhe veprimtarinë e tij do t’i kujtojmë dhe vlerësojmë gjithmonë”.
Sipas kumtesës së Ministrisë, aktori Kaçaniku, në mesin e shumë shfaqjeve teatrale në të cilat mori pjesë, është i njohur për rolet e tij në filmat “Migjeni” dhe “Si të vdiset”.
Edhe Teatri Kombëtar i Kosovës, me këtë rast, ka shprehur ngushëllime në adresë të familjes së tij dhe “familjes teatrore para së gjithash, miqve dhe kolegëve të tij, me të cilët ka punuar në teatër dhe që e kanë njohur nga afër”.
“Enver Kaçaniku ishte njëri nga prijatarët e hershëm të skenës teatrore, ndërsa kontributi dhe vepra e tij do të ruhen në syzheun e kujtesës kulturore teatrore. I përhershëm kujtimi për të!”, përfundon ngushëllimi i TKK-së.
Deputeti i Vetëvendosjes, Taulant Kryeziu, nëpërmjet një afishimi në rrjetet sociale, e ka përshkruar “Velin” si njeri i dashur e të afërt, me të cilin kanë kaluar kohë të paharrueshme bashkë.
“Përherë do të të kujtojmë me dashuri dhe do të na mungosh shumë”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, sipas lajmërimit të familjarëve, homazhet përkujtimore do të mbahen të shtunën prej orës 10:00 deri në 13:00, në hollin e Teatrit Kombëtar.
© KOHA Ditore
Fotolegjenda: Enver Kaçaniku, përpos shfaqjeve të shumta teatrale, hyri edhe në celoluidin e kinemasë me rolet e tij në filmat “Migjeni” dhe “Si të vdiset”