Kulturë

“Leksikoni i termave të sociolinguistikës” – shteg i ri në gjuhësinë shqiptare

Duke plotësuar një boshllëk të madh në studimet shqiptare, “Leksikoni i termave të sociolinguistikës” sjell për herë të parë një glosar shpjegimesh të koncepteve e nocioneve themelore në këtë disiplinë të re gjuhësore. Duke ruajtur referimet terminologjike ndërkombëtare – të cilat janë përshtatur e përkthyer në shqip – botimi më i ri i ASHAK-ut devizon edhe nocione të reja si “gegizëm”, “toskizëm”, “hipertoskizëm”, “vetëvrasje gjuhësore” e të tjerë që gjejnë shprehje në aspektet sociale e kulturore të përdorimit të shqipes. Me mbi 700 zëra, “Leksikoni…” është konsideruar, po ashtu, si vepër e rrallë në botë tekqë studimet në këtë fushë janë ende të pastabilizuara

Qysh në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, gjuhësisë i kishin trokitur në derë ide e propozime të reja mbi aspektet shoqërore të gjuhës. Ajo që Thomas Callan Hodson para Luftës së Dytë Botërore e quajti “sociolinguistikë”, dekada më vonë do të merrte formën e një disipline të re brenda gjuhësisë.

Me thellimin e studimeve, kjo fushë do të shndërrohej në një disiplinë kërkimore mbi efektet e aspekteve të ndryshme shoqërore, përfshirë normat e kontekstet kulturore, mbi gjuhën.

Si një fushë dinamike studimore, sociolinguistika në gjuhësinë shqiptare vjen duke e zënë hapin në kohë, por edhe duke sjellë nocione e koncepte të reja si “gegizëm”, “toskizëm”, “vetëvrasje gjuhësore” e formulime të tjera që rreken të shpjegojnë dukuri e prirje të ndryshme të gjuhës që gërshetohen me dimensione sociale e kulturore.

Me 750 zëra, “Leksikoni i termave të sociolinguistikës” – me redaktor akademik Rexhep Ismajlin dhe autorë Bardh Rugovën e Shkumbin Munishin – është përpjekja e parë që sociolinguistikën e sjell të përmbledhur në studimet shqiptare.

Në promovimin e bërë paraditen e së premtes në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), vepra është vlerësuar unanimisht se po hap një shteg të ri në gjuhësinë shqiptare.

Në fjalën e hapjes, Eqrem Basha – sekretar i Seksionit të Gjuhës dhe Letërsisë – ka vlerësuar se ky “Leksikon…” do të jetë në shërbim të studentëve, studiuesve dhe të gjithë të interesuarve në sociolinguistikë.

“Me punën e madhe që qëndron pas tij, ky botim hap një shteg të rëndësishëm në kodifikimin e shpjegimit të nocioneve kryesore në sociolinguistikë”, ka thënë ai.

Derisa dialektologjia tradicionale në shënjestër të saj kishte pasur kryesisht leksikun e viseve rurale, studimet sociolinguistike në Amerikë, qysh në vitet ’60 të shekullit të kaluar, e kishin kaluar fokusin te folësit e zonave urbane, gjithnjë e më dinamike e më të shumta në numër.

Kështu, edhe “Leksikoni…”, i sapobotuar, përfshin nocione të reja në gjuhësinë shqiptare si “gegizëm”, “toskizëm”, “hipertoskizëm”, “vetëvrasje gjuhësore” e të tjera.

“Gegizëm. Tërësi elementesh karakteristike për gegërishten që përfshihen në varietete të tjera apo në shqipen standarde”, është termi i ri që figuron në zërin përkatës të këtij leksikoni.

Për vlerat e botimit më të ri të Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë ka folur edhe akademiku, Sabri Hamiti. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ai ka vlerësuar se “Leksikoni…” rezonon dije e sjell njohje të reja.

“Libri ka një regjistër e literaturë të pasur e kjo i jep vlerë shtesë”, ka thënë akademik Hamiti.

Tutje, ai e ka vlerësuar përcaktimin e autorëve që të ruajnë referimet terminologjike ndërkombëtare tekqë “shumëçka është në lëvizje në këtë fushë”.

“Duke e përmbledhur, ‘Leksikoni’ është një vepër që rrezaton dije dhe fton për njohje të reja në botën shqiptare”, ka thënë mes të tjerash Hamiti.

Akademik Kujtim Shala, e ka cilësuar këtë vepër si të parën e kësaj natyre në gjuhësinë shqiptare e një nga të paktat në këtë disiplinë në rrafsh global. Sipas tij, vështirësitë e një ndërmarrjeje të tillë vijnë edhe nga fakti që sociolinguistika është një disiplinë relativisht e vonë në krahasim me traditat e tjera studimore të gjuhësisë.

“Që nga përdorimi për herë të parë i termit, janë shënuar zhvillime specifike, evoluime termash, nocionesh e konceptesh, gjë që është mbajtur parasysh nga autorët për këtë fushë të rrëshqitshme”, ka thënë Shala.

Duke qenë se shumëçka në këtë fushë vijon të jetë ende e pastabilizuar mirë, Shala ka theksuar se autorët, duke ruajtur referimet ndërkombëtare, kanë hapur një shteg të rëndësishëm në kulturën gjuhësore.

“Mbi të gjitha është sprovuar edhe gjuhësia jonë përballë traditës së gjuhësisë së huaj”, ka shtuar ai.

Në vijim, akademik Rexhep Ismajli – i cili ka qenë nismëtar i këtij projekti – ka thënë se sociolinguistika që prej viteve ’60 ka rrëmbyer vëmendjen e një numri studiuesish. Me këtë rast, ai ka shkëputur edhe një përkufizim enciklopedik që sociolinguistikën e kishte përshkruar “më shumë se një disiplinë e vetme, është një bashkësi propozimesh inkoherente që pasurohen me shpjegime nga sociologjia, gjuhësia e antropologjia”.

“Në këtë leksikon me qindra koncepte, aspekti i gjerë i lëndës, larmia e termave e stilizimet përkufizuese e bënin komplekse e jo të lehtë këtë ndërmarrje”, ka thënë Ismajli.

Në fakt, akademiku e gjuhëtari i njohur e ka bërë të njohur edhe synimin e radhës që kjo ndërmarrje të pasohet me një tjetër leksikon që përmbledh termat e gramatikës, si dhe një për termat e gjuhësisë krahasimtare.

Si njëri nga autorët e leksikonit, studiuesi Shkumbin Munishi ka folur shkurtimisht edhe për zanafillën e sociolinguistikës si disiplinë brenda shkencës së gjuhësisë. Por gjuhësia shqiptare, ka nënvizuar ai, për arsye të ndryshme, kryesisht politike, ishte privuar nga përditësimi me trendët më të rinj.

“Nga hermetizimi e izolimi i Shqipërisë, çdo zhvillim i ri në linguistikë merrte natyrën e refuzimit ideologjik”, ka thënë Munishi, anëtar korrespodent i ASHAK-ut.

Ai ka vlerësuar se gjuhësia shqiptare ka mbetur edhe sot e kësaj dite e ngujuar brenda “skemave tradicionale”.

“Vetëm nga fundi i viteve ‘70 kemi përmendjen e termave ‘standard’ e ‘normë’, derisa Ismajli ishte autori i vetëm shqiptar që mbështetej në qasjet e sociolinguistikës”, ka thënë mes të tjerash Munishi.