Kulturë

Skulptura e zhdukur nga qendra e Mitrovicës më 2010, vjen si siluetë

Descriptive Text

Për nja shtatë dekada kishte qëndruar në qendër të Mitrovicës duke u bërë pjesë e kujtesës kolektive. U zhduk mesnatën e një të diele më 2010, e rrethanat s’u sqaruan kurrë. Por disa të rinj e kanë rikthyer veprën që njihej si “Punë, art dhe dije” vetëm si siluetë. Në fakt, ajo është një thirrje që të rikthehet versioni origjinal dhe autoritetet premtojnë se do ta bëjnë një gjë të tillë

Një skulpturë përfaqësonte artistikisht gjithë qytetin. Elementet e kazmës, helmetës, pëllumbit e librit ishin ato që pasqyronin denjësisht Mitrovicën. “Punë, art dhe dije” quhej vepra, e cila në mënyrë misterioze u largua nga qendra e qytetit në vitin 2010 – për të hyrë në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore të cilat mbetën në neglizhencë institucionale – e që fati i saj ende nuk dihet.

Mirëpo, për hir të rigjallërimit të memories kolektive, përfaqësuesit e organizatës “Pse jo ndryshe”, arkitekti Arianit Gjosha dhe sociologu Riki Fejza, njëmbëdhjetë vjet pas zhdukjes së skulpturës kanë vendosur ta sjellin një version të ri të saj. Në fakt, është një lloj thirrjeje për ta rikthyer atë të stilit të moçëm që u bë pjesë e qytetit për nja shtatë dekada.

E vendosur para pak ditësh në sheshin e qytetit të minatorëve, kjo vepër e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është një trajtë ndryshe e skulpturës. Sjell siluetën e origjinalit.

“Me këtë projekt jemi munduar ta paraqesim ‘monumentin e humbur’ të qytetit të Mitrovicës me anë të siluetës”, kanë shkruar ideatorët e kësaj vepre.

“Kemi dashur të nisim nga qendra e qytetit. Ne e dimë që shumë të rinj nuk e kanë as idenë se çka do të thotë ky obelisk këtu i vendosur”, ka thënë Riki Fejza duke vazhduar ta zbërthejë konceptin e veprës ashtu siç di ai. Për origjinalin ka krejt pak të dhëna dhe ato jo të shkruara.

Fejza ka thënë se është një trekëndësh mes minierës së “Trepçës” si përfaqësuese të punës, artit mitrovicas – duke përfshirë këtu faktin e të qenit kryeqendra kosovare e rockut dhe zhvilluese e zhanreve të tjera artistike – dhe dijes, duke marrë për bazë prezencën e Fakultetit të Metalurgjisë prej vitesh.

“Ideja ka ardhur që fillimisht të kthehet në një formë proteste për mungesën e obeliskut origjinal dhe prandaj e kemi vendosur vetëm në pamjen e një siluete, ku nëse qëndrohet në vendin ku duhet, të rikthehet pamja e obeliskut siç ka qenë”, ka thënë Fejza.

Ka shpjeguar se kjo risjellje artistike ka pasur vështirësi, të cilat kryesisht kanë qenë te ideja dhe konceptimi, ndërkaq jo edhe te puna praktike. E gjithë kjo përvjelje mëngësh lindi te neglizhenca institucionale e humbjes së një vlere të qytetit të tyre, e që fajtori ende nuk është gjetur në këtë mes.

“Pothuajse fati i çdo monumenti kulturo-historik lidhet me një të diele mëngjesi ku ndërmerret diçka ‘ad-hock’ dhe Komuna shfajësohet se inspektorët tanë kanë qenë në pushim”, shprehet ai, duke aluduar për një ditë të vikendit në vitin 2010.

Fejza gjatë intervistës thotë se është skeptik për ekzistencën e këtij monumenti diku.

“Nëpër qytet flitet që është shitur për hekur, edhe si konstrukt metali që është, unë besoj se ai tashmë nuk ekziston fare dhe është shitur”, ka thënë ai.

Ndërkaq Komuna e Mitrovicës nuk ka një përgjigje për largimin e një objekti të tillë që prezantonte qytetin.

Drejtori i Kulturës, Tafil Peci, ka thënë se nuk kanë informata lidhur me këtë rast.

“Nuk kam gjetur të dhëna se nga kush është punuar, por me gjasë është punuar nga një autor serb. Sa i përket datës, rreth viteve 1940-50 ka mundur të vendoset si vepër”, ka thënë drejtori i Kulturës. “Në 2010-n është hequr, ku ne nuk e dimë cila ka qenë arsyeja e heqjes, që ka ndodhur natën. Ne kemi kërkuar disa herë rikthimin e këtij monumenti, por nuk ka pasur reagime për arsye se nuk e dimë se ku ka shkuar, si ka ndodhur dhe kush e ka marrë”.

Image
“Punë, art dhe dije” quhej vepra e cila në mënyrë misterioze u largua nga qendra e qytetit në vitin 2010. Asokohe e edhe tash thuhej se u shit për skrap

KOHA ka provuar të marrë informata edhe nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë lidhur me historikun e veprës origjinale, mirëpo ka marrë përgjigjen se as ata nuk kanë ndonjë të dhënë.

Por drejtori i Kulturës nismën e të rinjve për kujtimin e skulpturës e çmon, teksa ka shtuar se ata po bëjnë përpjekje për risjelljen e origjinalit.

“Ne kemi filluar dhe e kemi futur në projektin e vitit 2021 që atë vepër skulpturale t’ia kthejmë qytetit”, shprehet Peci.

Ai ka theksuar se janë në fazën e dizajnimit, teksa do të pasohen nga tenderimi.

“Në rast se gjithçka shkon në rregull dhe s’ka vonesa, skulptura do të kthehet në ato ambiente dhe në formën që ka qenë”, ka thënë Peci.

E lidhur me largimin e kësaj skulpture patën reaguar edhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Në vitin 2015, organizata joqeveritare “Mitrovica Guide” pati kërkuar rikthimin e saj nëpërmjet një peticioni në formë online që kishte arritur të merrte dy mijë nënshkrime.

“Peticioni ka ardhur si rrjedhojë e reagimeve të qytetarëve, duke postuar fotografinë e saj dhe ne e kemi parë të arsyeshme ta ndërmarrim këtë. Iniciativës i janë bashkangjitur edhe artistë të ndryshëm nga Mitrovica dhe Kosova”, ka thënë Kushtrim Hoti, përfaqësues nga “Mitrovica Guide”.

Peticioni bashkë me kërkesën i ishin dorëzuar Komunës, por kishin hasur në vesh të shurdhër.

“Kemi dërguar kërkesa edhe në disa drejtori të Komunës, mirëpo sot e asaj dite ende pa sukses. Nuk është gjetur skulptura origjinale e minatorëve”, ka thënë Hoti.

Për mënyrën se si u largua objekti, ai tregon disa detaje të tjera.

“Dihet që rreth mesnatës diku pas orës 12:00 është prerë në mes, sepse ka qenë dy-tri metra e lartë, a është shitur për hekur apo diçka tjetër, nuk dihet për fatin e saj”, ka thënë ai.

Sipas tij, pas një jave në hapësirën e njëjtë ku kishte qëndruar skulptura kishte ardhur diçka tjetër.

“Është vendosur një pano trekëndëshe me figurat e Adem, Hamëz dhe Shaban Jasharit, mirëpo pas një muaji e ka rrëzuar një erë e fortë dhe është heq edhe panoja, edhe skulptura e minatorëve”, ka thënë ai.

Imitimi i skulpturës “Punë, dije dhe art” pritet që t’iu kthehet qytetarëve mitrovicas si një formë shpagimi për versionin origjinal të larguar vite më parë.