Kulturë

“Chopin Piano Fest” hap audicionin për “Çmimin Special”

Ky çmim ndahet nga Festivali me mbështetjen e dr. Herbert Groeger nga “Bad Honnef”, Salzburg, në bashkëpunim me pianisten e njohur shqiptare Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij çmimi special qysh prej vitit 2017
 

Si çdo vit, edhe në këtë edicion festivali “Chopin Piano Fest” është duke pasur në fokus studentët, veçanërisht pianistët e rinj. Organizatorët e Festivalit kanë hapur audicionin për “Çmimin Special” të Festivalit. Të drejtë për pjesëmarrje në audicion kanë studentët e pianos të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe nxënësit e pianos nga shkollat e muzikës në vend e që janë fitues të çmimeve në gara paraprake. Çmimi i ndahet vetëm një personi dhe si mision ka identifikim e talentëve të rinj në vend.

Audicionet do të mbahen më 28 qershor duke filluar nga ora 12:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Aty janë duke u mbajtur të gjitha koncertet në kuadër të edicionit të sivjetmë, që nisi më 31 maj e do të përfundojë më 30 qershor.