Kulturë

Granit Musliu pjesë e programit të Operës Shtetërore të Bavarisë, krahas yjeve operistike

Descriptive Text

I riu nga Mitrovica, Granit Musliu, do të interpretojë role të ndryshme përkrah emrave të njohur në botën e artit operistik, mes tyre spanjolli me nam Placido Domingo, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, sopranoja kubane-amerikane Lisette Oropesa dhe tenori polak Piotr Beczała. Musliu, i cili po ndjek studimet në Degën e Këndimit në Universitetin Shtetëror të Muzikës në Hamburg, ka treguar se pranimi ka ardhur pas një audicioni të suksesshëm në fillim të këtij viti. Ka shtuar se i është ofruar të jetë pjesë e programit të rregull, duke u bërë kështu edhe anëtari më i ri i këtij programi

Tenori Granit Musliu ka bërë edhe një hap drejt karrierës ndërkombëtare. I riu nga Mitrovica ka nënshkruar marrëveshje me Operën Shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”. Musliu do të jetë pjesë e programit të rregullt të kësaj shtëpie operistike, që është një ndër më të njohurat në botë, me një traditë e histori mbi tredekadëshe.

Opera Shtetërore e Bavarisë ose Munichut për sezonin 2021/2022 për drejtor muzikor ka dirigjentin rus Vladimir Jurowski. Për çdo vit kjo shtëpi operistike jep premiera ku në role kryesore dalin yje të njohur të botës së muzikës klasike, mes tyre edhe sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho.

Premierat e para të operës janë dhënë para më shumë se tri dekadave. Opera, që nga viti 1875, është nikoqire edhe e “Munich Opera Festival”, një nga festivalet më të rëndësishme në botën e muzikës klasike.

Tenori 22-vjeçar nga Kosova, i cili po ndjek studimet në Degën e Këndimit në Universitetin Shtetëror të Muzikës në Hamburg, ka treguar se pranimi ka ardhur pas një audicioni të suksesshëm në fillim të këtij viti. Ka shtuar se i është ofruar që të jetë pjesë e programit të rregull, duke u bërë kështu edhe anëtari më i ri i këtij programi.

“Pranimi në Operën Shtetërore të Munchenit është një hap shumë i madh dhe thelbësor në karrierën time, sepse kjo shtëpi operistike është një nga qendrat më të mëdha dhe më me peshë në nivelin ndërkombëtar. Do të këndoj role të ndryshme, përkrah emrave më eminentë në botën e artit operistik, siç janë Placido Domingo, Lisette Oropesa, Piotr Beczala dhe shumë të tjerë”, ka thënë Musliu. Ka treguar se fillimisht i është ofruar një bashkëpunim dyvjeçar.

“Ky është moment kyç për mua si artist, për të pasur më vonë një karrierë ndërkombëtare, duke pasur parasysh traditën e gjatë kulturore dhe nivelin artistik që ky teatër ngërthen në vete”, ka thënë Musliu.

Në qershor të këtij viti, në këtë shtëpi operistike pati performuar edhe sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho. “Falënderoj gjithë ekipin e produksionit të ‘IlTrittico’ dhe publikun e Operës së Bavarisë që arrin ta bëjë që një sallë opere të oshtijë sa një stadium me 100 mijë veta”, pati shkruar ajo në “Facebook”. Me këtë energji e dashuri të madhe për operën pritet të përballet edhe tenori i ri që posa ka marrë një hap me rëndësi drejt skenave ndërkombëtare.

Granit Musli është në përfundim të studimeve në Universitetin e Muzikës dhe Teatrit në Hamburg dhe gjatë këtij muaji do ta japë koncertin përfundimtar.

Musliu vijon studimet në Hamburg, në klasën e baritonit Geert Smits, me të cilin ka punuar edhe rolin e Don Ottavios, në konsultime po ashtu edhe me profesoreshën e tij, Caroline Merz, me të cilën bashkëpunon edhe sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi.

Gjate këtij muaji ai ka performuar në produksionin e operës “Rinaldo” nga George Frideric Handel, të përgatitur nga stafi i universitetit, bashkë me studentët e nivelit master. Për këtë muaj kanë edhe dy shfaqje të kësaj opere – më 21 dhe 25 qershor. Në ndërkohë, Musliu është duke u përgatitur për koncertin solistik që shënon rikthimin e tij në festivalin “Soirées Lyriques de Sanxay” në Francë, i cili mbahet në muajin korrik.

Në korrik të vitit 2019 ishte pjesë e edicionit të 20-të të festivalit “Soirées Lyriques de Sanxay”, që u mbajt në teatrin antik në Sanxay të Francës dhe solli operën “Aida” të Giuseppe Verdit. Kjo ishte hera e dytë që ai u bë pjesë e këtij festivali, pasi kishte marrë pjesë edhe më 2018.

Po ashtu, Musliu është duke u bërë gati edhe për performancën në kuadër të festivalit “Gut Immling Festival”. Festivali mbahet prej 5 deri më 15 gusht në Gjermani.

Në prill të këtij viti, Universiteti i Arteve dhe Muzikës në Hamburg, për premierën e “Don Giovannit” ia besoi rolin e Don Ottavios. Opera në këtë skenë universitare erdhi si bashkëpunim midis studentëve, por edhe profesionistëve të kësaj fushe, si Nataliya Bodanova (që luan Donna Annan) e angazhuar në Teatrin e Lübeckut, një ndër teatrot më të njohur në Gjermani, ku ka performuar edhe tenori nga Kosova, Ramë Lahaj.

Në janar të vitit të kaluar, Musliu qe në mesin e studentëve më të mirë. Në garën e këndimit “Mozart Preis”, nga 15 studentë sa ishin në garë, zuri vendin e dytë. U prezantua me tri arie të njohura të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart, “Cosi Fan Tutte”, “Die Zauberflöte”, “Don Giovanni”, e me këngën gjermane “An Chloe”, po ashtu nga Mozarti. Në këtë garë u vlerësuan nga profesorët e universitetit përfaqësues nga Shtëpia Shtetërore e Operës së Hamburgut, por edhe nga profesionistë të tjerë të kësaj fushe, të cilët ishin ftuar nga universiteti për t’i bërë vlerësimet.

E, në muajin dhjetor të vitit të vitit 2019, tenori Musliu ishte solist në “Meshën në C mol” të Mozartit, në koncertin që u mbajt në kishën “St. Philippus Kirchengemeinde” në Hannover të Gjermanisë. Pjesëmarrja në këtë koncert kishte ardhur si rezultat i rekomandimeve që kishin bërë profesorët. Aftësitë e tij në këndim patën shtyrë profesorët që ta vinin Musliun në kontakt me dirigjentin Jan Behnken, i cili e pati ftuar të këndonte si solist në koncertin e 8 dhjetorit të atij viti. Në koncertin e titulluar “Musik die gut tut”, Musliu këndoi përkrah dy sopranove gjermane, Cornelia Samuelis dhe Mine Yücel, si dhe Mathis Koch (bas).

Granit Musliu u lind në Mitrovicë, në vitin 1998. Shkollën fillore dhe të mesmen i përfundoi në vendlindje dhe pastaj studioi solokëndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Musliu, po ashtu, është anëtar i rregullt i Filharmonisë së Kosovës që nga viti 2016.