Kulturë

“Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës” që i bashkoi vizioni

Janë ngjarjet madhore të viteve 1968, 1981, 1997 të cilat i bashkoi një vizion – ai për Republikën e Kosovës. Atdhe Hetemi me veprën e tij zbërthen nga këndvështrime të ndryshme lëvizjet që shënuan kthesa historike për shqiptarët. “Lëvizjet studentore për mua kanë qenë boshti kryesor i bartjes së vizionit për Republikën e Kosovës nga një gjeneratë në tjetrën”, ka thënë Hetemi

Përpjekja e vazhdueshme për autonominë e Kosovës, domosdoshmëria e shkollimit në gjuhën shqipe dhe liria ishin rrënja e lulëzimit të lëvizjeve studentore. Të nisura si revoltë e pjesëtarëve të Universitetit të Prishtinës, ato mbetën kapitull i veçantë në historinë e vendit.

Pikërisht këtë e ka besuar Atdhe Hetemi, i cili i shtyrë nga nevoja e dokumentimit të kësaj periudhe, ia nisi punës konkrete më 2015. Si ish-student për doktoratë në Universitetin Ghent në Belgjikë, ai vendosi që të bëjë diçka për Universitetin prej ku mori hapat e parë akademik – atë të Prishtinës.

Disertacioni i tij ishte pikërisht për rezistencën studentore, të cilën e përmblodhi në vitin 2020. Një vit pas, ai vendosi që ky hulumtim t’u shërbejë gjeneratave të reja dhe e solli në formën e një vepre.

“Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës” titullohet vepra, e cila përfshin periudhën plot sfida të viteve 1968, ’81 e ’97. U promovua të enjten në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Vepra përbëhet nga 6 kapituj të cilët përfshijnë “Bashkëpunimin e shqiptarëve me sllavët e jugut në ish-Jugosllavi”, “Lëvizjet shoqërore mes kërkesave për ndryshim shoqëror, drejtësi e nacionalizëm”, “Universiteti i Prishtinës mes politikës dhe akademisë”, “Propaganda-përgjigje të ndryshme ndaj demonstratave” dhe “Shpalosja e aktivizmit kosovar”.

“Unë kam qenë student në UP dhe vëreja që mungonte literaturë që fliste më tepër për zhvillimin e arsimit të lartë në përgjithësi”, ka folur Hetemi për atë që e ka shtyrë të përqendrohej te kjo temë.

Brenda një periudhe pesëvjeçare ai ka thënë se kishte bërë hulumtime në institucione arkivore, si Arkivat e Prishtinës, të Jugosllavisë, Serbisë, në Arkivin e Shqipërisë, atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme; pastaj në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, Tiranë e Beograd. Mirëpo, pjesa më emocionale kishte qenë përballja e drejtpërdrejtë me organizatorët e protestave, ish-studentët.

“Lëvizjet studentore për mua kanë qenë boshti kryesor i bartjes së vizionit për Republikën e Kosovës nga një gjeneratë në tjetrën”, ka thënë Hetemi.

Pikërisht kjo kishte qenë pika nismëtare, për ta bërë që çdo intervistë me secilin nga organizatorët të ndihet e veçantë, mirëpo njëra nga to të dallohet.

Ai përmend rrëfimin e organizatorit të protestës së ’81-shit, e cila u gravua në histori si “Pranvera e lulëkuqeve të Kosovës”.

“Rrëfimi i Hydajet Hysenit ka qenë goxha i prekshëm për shkak se pas një periudhe të gjatë që është mbajtur në vetmi nëpër burgje kur ka dalë jashtë, ka tentuar t’i flasë vetes në pasqyrë meqenëse nuk e ka njohur veten për shkak që është transformuar fizikisht”, ka treguar Hetemi.

Teksa ka folur për veprën e tij, ka thënë se qëllimi kryesor ka qenë dokumentimi i krimit serb dhe rezistencës studentore.

“U përzgjodhën pikërisht këto periudha kohore, sepse studentët pavarësisht faktit që kanë organizuar protesta të ndryshme politike ose socio-ekonomike, ose pavarësisht faktit që janë organizuar nga gjenerata të ndryshme studentësh, ata arritën ta bartin vizionin për Republikë të Kosovës”, ka thënë autori.

Image
Kapituj për “Bashkëpunimin e shqiptarëve me sllavët e jugut në ish-Jugosllavi”, “Lëvizjet shoqërore mes kërkesave për ndryshim shoqëror, drejtësi e nacionalizëm”, “Universiteti i Prishtinës mes politikës dhe akademisë”, “Propaganda - përgjigje të ndryshme ndaj demonstratave” dhe ai me titull “Shpalosja e aktivizmit kosovar”, përbëjnë “Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës”

Vepra “Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës” arriti që lexuesin e parë ta ketë atë anglishto-folës, teksa u botua në Londër nga shtëpia botuese “Palgrave”. Për lexuesin vendor e solli “Artini”.

Në promovimin e moderuar nga Greta Avdyli, panelistë ishin dy profesorët e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Shemsi Krasniqi dhe Gëzim Selaci. Ata çmuan kontributin historik të kësaj vepre, duke konkluduar se ky libër është “lëvrim i një toke gati të pashkelur”.

“Autori analizon faktorët emocionalë, trajtimin e padrejtë të shqiptarëve në Jugosllavi, faktorin kulturor, identitar, formimin e vetëdijes te studentët, rolin e ideve dhe interesave të përbashkëta, statusin e Republikës si çlirim dhe si mundësi për vetëvendosje rrjedhimisht zhvillim e përparim për mbarë shoqërinë shqiptare”, ka thënë Selaci.

Sociologu Shemsi Krasniqi ka thënë se në libër përmblidhen analiza mbi emocionet dhe sjelljet e qëndrimet e studentëve si akterë protestash, lëvizjesh dhe ndryshimesh, mbi brohoritjet e tyre dhe parullat që kanë mbajtur në duar, e të cilat kanë shprehur kërkesat, identitetin dhe botëkuptimet e tyre. Ka çmuar rrjedhën sistematike të veprës, duke pasur për lexuesin përmbledhje në fund të çdo kapitulli.

“Autori përdor skemën para, gjatë dhe pas protestës. E konsideroj shumë të qëlluar, sepse konflikti e ka një fazë paraprijëse, fazën zhvillimore dhe në fund fazën e post-konfliktit”, ka thënë Krasniqi.

Kolegu i tij, Selaci, ka theksuar se kjo vepër sjell vetëdijesimin politik të shoqërisë.

“Secila nga demonstratat kishte pak a shumë kërkesa të ndryshme, arsimin në gjuhën amtare në ‘68-ën, kushte më të mira në Universitet, në 81-tën dhe autonomi akademike në Universitet në 97-ën, mirëpo siç thotë autori, në të tria u shkri kërkesa për Republikë qoftë brenda apo jashtë Federatës Jugosllave”, ka thënë Selaci.