Kulturë

Artistët dhe Agjencia Kundër Korrupsionit në konflikt të përhershëm

Descriptive Text

Artistët duhet të zgjedhin midis pozitës udhëheqëse në institucione kulturore apo vazhdimit të krijimtarisë. Të dyja bashkë përbëjnë konflikt interesi. E për këtë, të martën mbrëma disa artistë kanë përmendur një varg shembujsh, të cilët për ta s’kanë kuptim dhe po i kushtojnë edhe skenës kulturore. Agjencia Kundër Korrupsionit e sheh ndryshe këtë situatë, pasi “konflikti i interesit është paradhomë e korrupsionit”

Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Teatri Kombëtar i Kosovës janë në “luftë” me njëra-tjetrën. Për AKK-në artisti duhet të zgjedhë nëse do të jetë menaxher i një institucioni kulturor, apo ta ushtrojë profesionin e tij. Të dyja bashkë përbëjnë konflikt interesi. Kurse për njerëzit e botës së artit kjo është pa sens dhe e papranueshme.

Regjisori Agim Sopi dhe aktori Adrian Morina kanë shpalosur përvojat e tyre me AKK-në. Por pos ndalesave ka edhe procese hiç të lehta, sikurse shembulli i aktores Albulena Kryeziu-Bokshi. Përvojat e tyre janë treguar përballë Esad Ejupit, drejtor i Divizionit të Parandalimit të Konfliktit të Interesit në AKK në bisedën e organizuar nga qendra “Multimedia” të titulluar “[Anti] Korrupsion apo [Anti] Art?”

Mbrëmjen e së martës, regjisori i filmit dhe teatrit, Agim Sopi, ka thënë se Kosova është një shtet “sui generis” në të gjitha aspektet. Sipas tij, nuk është arritur që të ndërtohet një shtet demokratik.

“Kemi krijuar një kuazi-shtet që u shërben klaneve politike dhe strukturave të krimit të organizuar. Nuk ka shpresë në një te ardhme”, ka thënë ai krejt në fillim. Ka sqaruar se me Kushtetutë garantohet liria artistike dhe shkencore.

“Asnjëra nuk qëndron. Ne që kemi qenë pjesë e institucioneve të kulturës na është ndaluar ushtrimi i profesionit”, ka thënë ai. Sopi për katër vjet, deri në janarin e vitit të kaluar ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ka treguar se gjatë asaj kohe bashkë me disa kolegë kishin aplikuar në Qendrën Kinematografike të Kosovës për të marrë mbështetje për realizimin e një filmi. Asokohe AKK-ja kishte gjetur se Sopi nuk ka të drejtë që të përfitojë subvencionim nga QKK-ja, megjithëse Sopi ishte vetëm regjisor që punonte si vullnetar, pa honorar. Producent ishte dikush tjetër. Këtë rast ai e ka parë si jonormal. Ka marrë edhe shembuj të tjerë.

“Me ligj na duhen profesionistë në Këshilla Drejtues. Kur ua mohojmë veprimtarinë profesionale, atëherë llumin do ta kemi në institucione”, ka thënë ai. Në këtë rast ka marrë shembull se anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit nuk mund të jenë të angazhuar në projektet teatrore të TKK-së dhe llogariten si zyrtarë të lartë.

Sopi, dy vjet pasi i ka skaduar mandati nuk mund të angazhohet në asnjë projekt teatror në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Dy vjet mua më mohohet e drejta e punës. Kush do të më kompensojë?”, ka pyetur ai.

Aktori i ansamblit rezident të TKK-së, Adrian Morina, për një vit ishte ushtrues detyre i udhëheqësit artistik. Për Agjencinë Kundër Korrupsionit, ajo pozitë është sikurse të jetë tamam udhëheqës artistik. Në një opinion, atij i ishte thënë se nuk mund të luajë në shfaqje pasi mban pozitë ekzekutive, nga e cila propozon projektet që miratohen nga Këshilli Drejtues.

“Unë zgjedh te jem aktor midis kësaj dhe të qenit në pozitë udhëheqëse”, ka thënë ai. Morina bashkë me dramaturgun Jeton Neziraj kanë dhënë shembuj se si në shtete të tjera drejtori e bën shfaqjen e parë për të treguar se si do të punohet në teatër pas zgjedhjes së tij. “Te ne bëhesh drejtor i TKK-së e shfaqje mund të bësh në Podujevë. Kanë thënë se nuk mund të luaj në shfaqje, pasi është miratuar kur unë isha ushtrues detyre. Pastaj kanë thënë se kemi nisur shfaqje pa tekst”, ka thënë ai.

Por për dyshen, Sopi dhe Morina, AKK-ja “punon me dy kute”. Kanë marrë shembull se si drejtori i Filarmonisë së Kosovës ka dirigjuar koncerte – megjithëse nuk është pagur për ato – se si ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës luan në shfaqje baleti e po ashtu kanë përmendur faktin se ish-drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani derisa mbante detyrën ishte edhe kuratore e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias. Bile, Sopi ka pasur një varg shembujsh.

Zyrtari i AKK-së, Esad Ejupi, ka thënë se gjërat nuk janë “bash ashtu siç i shohin artistët”.

“Agjencia nuk punon me dy kute”, ka thënë ai. Rastin se si anëtar i një këshilli drejtues mund të zgjidhet drejtor i të njëjtit institucion dhe faktin se AKK-ja ka vepruar ndryshe në një tjetër institucion, e ka arsyetuar me ndryshime ligjore që janë bërë ndër vite. Ejupi ka thënë se gjendja nuk është edhe aq zi siç paraqitet.

“Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit nuk e ndalon jetën kulturore. Janë të kufizuara disa detyra që kane pozicione drejtuese në institucione. Drejtorët hyjnë në mesin e zyrtareve të lartë publikë. Kur e kemi Ligjin duhet ta zbatojmë”, ka thënë ai. Sipas tij, asnjë vendim apo opinion i tyre nuk del jashtë ligjit.

“Konflikti i interesit është paradhomë e korrupsionit. I trajtojmë të gjitha ankesat, por nuk hapim rast për të gjitha”, ka thënë ai.

Rastet kur artistët merren me procedura të gjata nëpër institucione nuk janë të rralla.

Albulena Kryeziu-Bokshi është pjesë e ansamblit rezident të aktorëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ajo ishte angazhuar për të luajtur edhe në një shfaqje në teatrin e Gjakovës, “Hadi Shehu” .

“Kjo më ka shkaktuar telashe se unë marr pagë në TKK”, ka treguar Bokshi. Ka rrëfyer se është dashur që ta sqarojë situatën me Thesarin e shtetit, se në Gjakovë nuk ka marrë një pagë të dytë, por honorar.