Kulturë

Tri sonata beethoveniane edhe në Prishtinë si shpresë për të ardhmen

Descriptive Text

Humbja e të dëgjuarit mund të jetë traumatike për këdo, por për një muzikant ky kërcënim ekzistencial është sikur “të jesh apo të mos jesh”. Por ashtu siç ishte zotuar në “testamentin” e Heiligenstadtit, Beethoven gjeti forcën që dëshpërimin ta zëvendësonte me pasion krijues që zbuloi rrugë unike në kompozim e stil muzikor. Prej tyre u pasurua tapisteria e muzikës klasike botërore. Me tri sonatat që u kompozuan më 1803, mjeshtri gjerman përcolli mesazhin e kolektives, përbashkësisë, ashtu siç ishte edhe vargu i Schillerit se në gëzim: “Alle Menschen werden Brüder” (Të gjithë njerëzit bëhen vëllezër)

Prishtinës mund t’i buzëqesh ndonjëherë fati më bukur se qyteteve shemra. Ajo ka qenë e para që i ka bërë konak projektit “Beethoven 32×32” i konceptuar si 32 sonata të krijuesit emërmadh në 32 qytete të ndryshme.

Bëhet fjalë për një sipërmarrje pasionante të pianistit dhe dirigjentit nga Austria, Stephan Möller. Çfarë mund të jetë antidoti më i mirë për kriza nevralgjike e mendime vetëvrasëse sesa vullnesa për të krijuar?

Drejt një rruge të re

6 tetor 1802. Një ditë e zakontë vjeshte në qytezën e Heiligenstadtit. Me humbjen e të dëgjuarit dhe shurdhërinë që po bëhej e pashmangshme, i riu 31-vjeçar Ludwig van Beethoven po u shkruante një letër vëllezërve të tij, Carl dhe Johann.

Siç është e pritshme, letra e tij gëlonte prej një dëshpërimi gjer në kujë për shurdhërinë e tij, madje edhe për mejtimet për vetëvrasje, por përmbante edhe gjakimin për t’ia dalë mbanë në kapërcimin e ndeshtrashave dhe realizimin e fatit artistik.

Kështu, “Opusi 31”, në gjerdanin e së cilës janë tri sonata pianistike, ishte shpirti i pamposhtur i kompozitorit gjerman. Ajo që kishte nisur fillimisht si pakënaqësi me stilin klasik të muzikës, Beethovenin do ta bënte avangard të një rruge të re sa i përket kompozimit dhe stilit muzikor, duke sjellë ide të reja e jokonvencionale.

Möller: “Po e ndiej frymën rinore të Prishtinës”

Si zgjatje duarsh drejt një periudhe të re shprese ka jehuar interpretimi kënaqësindjellës i pianistit nga Austria, Stephan Möller.

Performanca e tij hijerëndë ka zënë vend mbrëmjen e së hënës në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare në kuadër të edicionit të sivjetmë, të 11-it me radhë, të “Chopin Piano Fest Prishtina”.

Përshtypjet e thella nga ky eveniment, shtatë vjet më parë, që i ishin thadruar virtuozit nga Austria, kanë qenë ngacmim i mjaftë që të rikthehej në Prishtinë.

“Po e ndiej sërish atmosferën rinore të Prishtinës”, ka thënë pianisti 66-vjeçar para publikut prishtinas, që e kanë mikpritur me duartrokitje të ngrohta.

Ndërsa bota po hyn në një periudhë shprese për një të ardhme më të mirë, tok me koncertet që po rinisin kudo, sipas Möllerit “kjo rihapje e shpresë përfaqësohet optimalisht nga muzika e Beethovenit”.

“Sepse muzika e tij ka një mendësi tejet të fortë që gjithmonë na sjell një disponim të lartë”, ka thënë ai në hapje të mbrëmjes.

“Muzikë me krejt spektrin e ndjenjave njerëzore”

Me një fjalë të shkurtër drejtuar publikut, drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest Pristina”, Lejla Pula, ka thënë se si organizatorë janë të nderuar që mjeshtri austriak ka zgjedhur sërish të vijë në Prishtinë.

“Möller gjithnjë ka shprehur dëshirë të vinte sërish këtu për shkak të përshtypjes që mori dhe dedikimit të organizatorëve që festivali të mbahet edhe përkundër kushteve”, ka thënë ajo.

Me reputacionin që e lartoi me rastin e laurimit me një nga çmimet kryesore në Garën Ndërkombëtare të Beethovenit në Vjenë, më 1985, repertori i tij i interpretimeve qendërzohet përreth klasikeve vjeneze, e veçmas atyre të Beethovenit.

Me një jetë të tërë artistike të kredhur në këtë univers, ai e ka më të fortë se kurrë bindjen që muzika e kompozitorit emërmadh i flet secilit prej nesh ashtu që secili e gjen veten në ato copëza klasike.

“Muzika e tij ngërthen krejt spektrin e ndjenjave njerëzore që nga dëshpërimi më i thellë e deri te humori realist”, ka treguar më tej Möller.

“Në gëzim…të gjithë njerëzit bëhen vëllezër”

Image

Si zgjatje duarsh drejt një periudhe të re shprese ka jehuar interpretimi i pianistit nga Austria, Stephan Möller


Dhe në këtë “parathënie” të interpretimit të tri sonatave të mirënjohura, ai ka thënë se muzika e Beethovenit i mëshon kolektives e përbashkësisë.

Ashtu siç e kishte vargëzuar Friedrich Schilleri te “An die Freude”, ndër gëzime “të gjithë njerëzit bëhen vëllezër” (Alle Menschen werden Brüder).

Me përkulje elegante para publikut, Möller ka zënë vend para pianos në skenë duke e nisur magjinë mbrëmësore me “Sonate G-Dur, op. 31 Nr. 1”.

Me pasionin që endej nëpërmjet delikatesës së gishtërinjve, pianisti ka shpleksur nurin dhe puhizën e flladshme të sonatës, ashtu sikurse edhe çikjet e humorit në të tri pjesët e saj.

Duartrokitjet e publikut që kishte mbushur sallën në Amfiteatër kanë qenë sprova e parë e satisfaksionit për botën shpresëplotë të sonatave.

E po kështu ka nisur edhe “Sonata op.31. Nr. 2, d-mol”, e njohur edhe si “The Tempest”. Në qetësinë e sallës është përvjedhur lehtësisht idili paqësor i sonatës që ndër minutat e interpretimit shkallëzohej gjer në një stuhi. E po kështu pjesë pas pjese butësia shprehej me një melodi në rritje.

“Tri sonata si tri personalitete njerëzore”

Kanë qenë pikërisht fjalët e “parathënies” së vetë Möllerit ato që e kanë rikrijuar Beethovenin në sytë e mendjes së të pranishmëve.

I dënuar me shurdhëri për pjesën tjetër të jetës, ekzistenca e tij ishte sikur në buzë të greminës.

“Dilema ‘të dëgjosh apo të mos dëgjosh’ për muzikantin është ‘të jesh apo të mos jesh’”, ka shpjeguar ustai i pianos.

Dhe triada e sonatave ka zbuluar se ç’fat pati bota artdashëse kur Beethoveni ngulmoi që nuk do të ikte nga kjo jetë pa sjellë gjithçka ishte brenda tij.

Dhe sipas fjalëve të vetë interpretuesit në mbrëmje, “këto tri sonata janë një muzikë krejt tjetër nga veprat e tjera klasike të Beethovenit”.

“Ka ndjenja të thella në secilën prej tri sonatave që nuk përzihen mes vete, adresohen ashtu siç janë dhe na flasin si tri personalitete njerëzore”.

Një “appasionata” kudo

Mbrëmjes i është dhënë vula e përjetimit të paharrueshëm me interpretimin e “Sonata op. 57, f-mol”, e njohur edhe si “Appassionata”.

Gjatë interpretimit rreth njëzet e pesë minuta, kjo sonatë klasike e ka zbuluar veten për shtysën e saj të pakompromis pianistike dhe dramaturgjinë fort efektive. E përvoja shqiptare e Möllerit ka pasur edhe Durrësin. Të dielën kohërat janë mbivendosur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, kur ai interpretoi një sonatë për 4 duar tok me talenten e re durrsake, Kristel Karagjozi.

I lindur më 1955 në Hamburg të Gjermanisë, Stephan Möller ka diplomuar si pianist dhe dirigjent në Mozarteum Academy në Salzburg të Austrisë. Me suksesin e treguar më 1985 në International Beethoven Piano Competion, në Vjenë, agjenda e tij koncertale e ka çuar në Japoni, Kinë, në dy Amerikat ashtu sikurse edhe në gjithë Evropën. Përveç interpretimit të repertorit standard, Möller është sprovuar më së shumti me klasikët vjenezë, veçanërisht sonatat pianistike të Beethovenit.

Nga viti 1990 deri vjet ai ka pasur funksion ligjëruesi në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese në kryeqytetin austriak.

Möller ftohet shpesh për të mbajtur masterklasa dhe ligjërata, ashtu sikurse edhe për vlerësuar gara ndërkombëtare të pianos në Austri dhe jashtë saj. Që prej 1998-s është kryetar i shoqatës “Vienna International Pianists” dhe festivalit të njohur “VIP Academy”. Më 2009 themeloi edhe “International Rosario Marciano Piano Competition”.