Një hapësirë e dekoruar për ditëlindje nuk do të thotë që aty ka një festë reale. Balonat, torta dhe pijet nuk janë shenjat reale të gëzimit. Në mes të një kaosi familjar, që nuk dihet kush me çka përballet, mungon pjesa më e rëndësishme: pranimi dhe kuptimi i veçantisë së tjetrit.
Denisi, djaloshi 25-vjeçar pret edhe një ditëlindje tjetër me lëvizje të kushtëzuar nga rrotat e karrocës. Ky fat e kishte përcjellë që nga fëmijëria, atëherë kur dalëngadalë nga një paralizë iu pamundësua ecja.
Por betejën edhe më të madhe e ka nëna e tij, Mija. Një grua që tërë jetën e sakrifikon për djalin e saj. Me një burrë që e ka vetëm si “hije”, ajo e shtyp Denisin emocionalisht nga dashuria e tepruar dhe mëshira, nga përpjekja e saj për ta parë më mirë djalin.
Këto paralele të copëzave realitetesh nga jeta e përditshme i solli të hënën mbrëma premiera e shfaqjes “Ditëlindja” nga Ivor Martiniq, nën regjinë e Iliriana Arifit në teatrin “Dodona”, e cila u duartrokit fuqishëm për mesazhin e saj.

“Djali im vetëm ecën pak më ngadalë”
“Djali im vetëm ecën pak më ngadalë”, nuk ishte vetëm titulli në origjinal i tekstit të dramaturgut kroat, shfaqja e të cilit është inskenuar në Kroaci, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, teksa është botuar edhe në Kanada.
Kjo fjalë është shndërruar në klithje të një nëne e cila dhimbjen e saj tenton ta zbusë me ngushëllim të një fati që s’mund ta pranojë. Ajo i ngjan një makine e cila gjatë tërë kohës prodhon e prodhon justifikime para publikut për gjendjen në të cilën ndodhet, mirëpo që në fund iu digjet motori nga ngarkesa emocionale dhe pëlcet.
Pikërisht kjo frymë e bëri publikun që sa t’i kenë sytë e mbushur me lot, e sa t’ua plasin të qeshurave nga humori i zi që dinë të sjellin tragjeditë që jetësohen në teatër.
Aktori i cili ka jetësuar rolin kryesor, Labinot Raci, ka thënë se teknikisht i është dashur të punojë me karrocë dhe të hulumtojë për këtë pjesë.
“Emocione shumë të përziera gjatë provave. S’kam luajtur kësi roli më parë”, ka thënë Raci.
Në anën tjetër, ai ka treguar se kjo shfaqje është një pasqyrim i pjesës së dhimbshme të jetës së shumë personave.
“Realitet shumë i hidhur, jo për pjesën pse dikush është në karrocë dhe invalid, por për pjesën se sa mundet ta pranojë shoqëria jonë, e sidomos familja”, ka thënë ai.
Raci ka thënë se kjo është diçka instiktive dhe e paqëllimshme.
“Ata pa dashur e bëjnë, duke u munduar të kujdesen shumë e bëjnë të ndihen keq, e këtë pjesë kemi dashur ta tregojmë në shfaqje”, përfundon aktori.
Regjisorja Iliriana Arifi e ka parë këtë shfaqje si një mundësi kontribuimi nëpërmjet artit për personat me nevoja të veçanta.
“Kur e kam marrë tekstin për herë të parë jam fascinuar. Kam menduar se si do të ishte të inskenohej ky tekst te ne”, ka thënë ajo për përzgjedhjen e tekstit.
Ajo ka thënë se beson se në vendin tonë u kushtohet pak kohë dhe nuk i jepet hapësira e duhur kësaj kategorie të shoqërisë.
“Këtu nuk është vetëm personazhi i Denisit i cili e sjell një mesazh. Unë kam dashur të sjell me këtë shfaqje shpresë, një lloj çlirimi banal nga dashuria e madhe familjare që e rrethon. Duhet një çlirim i tillë për ta pranuar jetën ashtu siç është”, mendon ajo.
Arifi ka përmendur edhe rolin madhështor të nënës gjatë shfaqjes “Ditëlindja”, kurse babai shfaqet vetëm tekstualisht.
“Është përballja me realitetin, është ajo rruga e qumështit mes fëmijës dhe nënës, mirëpo duhet ta bëjnë një shkëputje, ku djali duhet të ndihet i lirë dhe nëna të largohet nga kujdesi i tepruar”, ka thënë Arifi.
Ndërkaq për arsyen e ndërrimit të titullit, përveç mundësisë së keqkuptimeve të origjinalit ndonjëherë, sipas saj, ajo ka edhe një arsye.
“E kemi lënë ‘Ditëlindja’, pasi që kjo ka qenë një ditëlindje jo e zakonshme, pa tortë, pa pjesën imagjinative në fund”, ka thënë ajo.

Skena si shkrirje realiteti
Igballe Qena, pasi që i dha jetë rolit të gjyshes, e cila vuan nga demenca, ka thënë se është ndier tejet rehat.
“E bukura është kontakti me nipin, sepse gjithmonë gjyshërit e kanë afërsinë me nipa e mbesa dhe i ndajnë sekretet bashkë më shumë sesa me fëmijë”, ka thënë Qena, teksa është shprehur se nëpërmjet kësaj shfaqjeje jepet një portret i gjendjes familjare.
Për fatin e djaloshit të palëvizshëm dhe të protagonistes që e jetësoi – e që jeton midis së kaluarës e së tashmes – Qena ka thënë se shfaqje me motive të tilla duhet të jepen së paku dy herë në vit.
Mirëpo për Igballe Qenën kjo ishte tejet e veçantë. Ajo ndau të njëjtën skenë me vajzën e saj, Rebeka, duke pasur po të njëjtin relacion edhe në role, nënë e bijë.
“Pesëdhjetë vjet kam ëndërruar me qenë në skenë me vajzën dhe është një ndjesi shumë e veçantë dhe afërsia si vajzë-nanë, por edhe si kolege”, ka thënë ajo.
Teksa ka thënë se kritikat e përkrahjet në këtë bashkëpunim nuk kanë munguar, Igballe Qena është e bindur se kjo do të mbesë një përvojë e veçantë për të.
Rebeka Qena në rol është gruaja që bart në shpirtin e saj dhimbjen e nënës. Ajo u bë Mija në skenë, duke pasqyruar betejën e vazhdueshme të nënave të tjera që përballen me këtë fat në jetën reale.
“Ka pasur faza shumë të ndjeshme, sepse janë tema që nuk na bie shumë shpesh t’i trajtojmë. Ajo që po e thotë publiku është se i ka marrë malli për diçka që me të vërtetë na ndodh”, ka thënë Qena.
Ajo ka theksuar se ky tekst është më i pasur, sepse flet për të qenit ndryshe dhe vështirësitë e rrethit në pranimin e tjetrit ashtu siç është.
“Njëkohësisht sa u dhemb ky fat njerëzve përreth teje, gjatë shfaqjes më vinin pikëpyetje në kokë se kush jemi ne ta diskriminojmë dikë që çdo ditë po ballafaqohet me probleme të tilla”, ka thënë aktorja.
Rebeka Qena ka thënë se e sheh këtë shfaqje si një mundësi të solidaritetit.
“Është njëfarë porosie që duhet të dashurojmë e të kënaqemi. Duhet ta çmojmë atë që e kemi”, ka përfunduar Qena.
Në anën tjetër, një rol tejet me tension e kishte edhe Sheqerie Buçaj, e cila e luante rolin e tezes së Denisit, Ritës. Një nënë e cila është në përpjekje për ta shfaqur jetën si më së miri, por që në brendi vuan nga depresioni, nga djali i saj homoseksual dhe problemet e tjera, është në mes të një maskimi publik e brendisë me mungesë qetësie.
“Mesazhi është që njëfarë rrethi jemi duke e bërë e gjithë bota, secili i ka dhe merret me problemet e tij, nuk ka marrëdhënie me kërkon, nuk ka dashuri. Këta njerëz kërkojnë dashuri dhe s’e gjejnë për shkak të kësaj që po ndodh në krejt botën”, ka thënë Buçaj.
Ajo ka theksuar se kjo shfaqje mund të realizohet në çdo vend të botës për shkak të mesazhit universal që ka.
Aktorët e tjerë që luajnë në shfaqje janë: Bislim Muçaj, Florenta Bajraktari dhe Alketa Sylaj.
Repriza e shfaqjes “Ditëlindja” jepet edhe sonte në teatrin “Dodona”.