Kulturë

Rrënojat e Sanxingduit midis zbulimeve dhe mistereve

(scmp.com) – Mbi tri dekada më parë, Lei Yu, asokohe një i sapodiplomuar në studimet arkeologjike, iu bashkua një misioni për të gërmuar dy gropa që ishin përplot me thesare të kohës së bronzit. Ato ishin zbuluar krejt rastësisht nga një grup i punëtorëve të një fabrike furrash më 1986.

E vetmja vegël e tij ishte një lopatë e vogël, dhe ekipit iu desh të ndante një kamerë për të dokumentuar udhëtimin. Për transport ata vareshin prej biçikletave.

“Arkeologjia ishte e vështirë atëbotë, për shkak se ishte gërmim shpëtimi për shkak të fabrikave të shumta të tullave rrotull. Bujqit në këto anë gërmonin tokën për të bërë tulla dhe ne i vijonim kërkimet aty ku ata gërmonin”, ka thënë Lei.

Të dy gropat tevona do të njiheshin si rrënojat e Sanxingduit, një prej vendeve më të rëndësishme arkeologjike të Kinës e që besohet të jetë nga një kulturë misterioze që e banonte këtë truall rreth viteve 1200-1000 para Krishtit.

Gropat mendohen të kenë qenë varreza sakrificash, por askush nuk ka arritur ta konfirmojë këtë teori. Lei i ka kushtuar gjithë karrierën e tij përpjekjes për të zgjidhur të panjohurat e rrënojave të Sanxingduit.

A u përdorën këto statuja të bronzta në forma njerëzore, me sytë e theksuar dhe veshët e mëdhenj, si rituale sakrifice për të adhuruar zotat? Pse ishin platitur dhe djegur këto artefakte e më pas ishin mbuluar në një mënyrë të rregullt brenda këtyre gropave?

Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve mund të gjendet sikur arkeologët të jenë në gjendje të pikasin ndonjë shkrim të vjetër që do të sillte dromca drite mbi kulturën e këtij qytetërimi të qëmoçëm. Por, deri më tani, asnjë tekst i atillë nuk është ndeshur.

Lei, tani një kërkues pranë Institutit Provincial për Relike Kulturore në Sichuan, është shpresëplotë se një projekt i ri gërmimi në rrënojat e Sanxingduit do të mund të ndihmojë për të gjetur tekste me ndihmën e teknologjisë.

“Nëse teksti zbulohet në Sanxingdui, ai do të jetë në mbajtëse organike si pëlhurat, enët larëse apo punimet prej druri. Për shkak se këta njerëz mund të krijonin bronze të zhvilluara e të përparuara, duhet të ketë pasur edhe tekste në një shkallë të tillë të lartë qytetërimi. Ne duhet t’i gjejmë ato”, ka thënë ai.

Me një mikroskop elektronik që skanon me rezolucion të lartë, arkeologët kanë identifikuar dhe gërmuar gjurmët e pëlhurave në baltë, si dhe në sipërfaqe të bronzit në gjashtë gropa të reja të zbuluara së fundmi, sado që materiali i gjetur nuk është i dukshëm për syrin e lirë.

“Është një çarje e madhe akademike”, ka thënë Lei, që ka mbikëqyrur punimet gërmuese.

Rrënojat janë nga mbretëria e lashtë e quajtur Gushu, e cila nuk ekziston në shënimet historike, por vetëm në legjenda e poema të stërlashta. Asokohe, arkeologët kanë lëvizur shpejt dhe kanë hequr rreth 1700 copëza fildishi, bronzi e qeramike brenda dy muajsh. Shpejtësia e hulumtimeve bëri që shumë hollësi të mjedisit rrethues të humbnin.

Më 2019, qeveria e Sichuanit vendosi të financonte studimet në Gushu. Financimet qeveritare në shkencë iu kanë mundësuar arkeologëve që të kryejnë punët e tyre në nivele të papara përpikërie e kujdesi gjatë viteve të fundit.

Zbulimet e fundit të mahnitshme në Sanxingdui – të tilla si figurat e bronzta të gjata 1.15 metra e të vjetra 3 mijë vjet, që mbajnë enë të vjetra vere – janë bërë falë përpjekjeve të Leit dhe ekipit të tij për të rihulumtuar këtë hapësirë që vlerësohej se ishte tërësisht e pastruar.

Gropat janë mbuluar madje edhe me dritare të xhamta ashtu që turistët të kenë mundësi të shohin brenda.

Ekipi i Leit ka gjetur edhe një copëz bronzi në këndin e njërës nga këto gropa duke përdorur një gjurmues metali. Mbulesat e xhamta ishin larguar menjëherë, e një rreth i ri kërkimesh kishte pasuar tutje.

“Ishte zbulim jetësor”, ka thënë Lei.

Për të gjurmuar edhe më tej rrënojat, 34 ekipe kërkuesish nga universitete e institute kërkimore nga fusha të ndryshme në Kinë po punojnë bashkërisht në projekte të ndryshme, përfshirë edhe eksperimente që analizojnë baltën në këto gropa. Në mars, bota ishte mahnitur kur shkencëtarët zbuluan një maskë të thyer ari.

Një dhomë e sterilizuar ishte ndërtuar skaj secilës gropë për t’i mbajtur artefaktet në një mjedis me 80 për qind lagështi dhe 20 gradë celsius. Mjedisi përfshinte edhe një përqendrim të dyoksid karbonit dhe drite ultravioletë. Më pas u ndërtuan edhe laboratorë me qëllim të analizimit organik e joorganik të artefakteve. Kërkuesit punojnë me veshje mbrojtëse ashtu që të shmangin kontaminimin e vendit me pluhurin e tyre, flokë apo fibra.

Një strukturë u ndërtua mbi gropat që t’iu mundësohej kërkuesve të lëviznin andej-këndej pa i prekur artefaktet.

Xu Danyang, kërkues pranë Institutit Provincial të Relikteve Kulturore, ka thënë: “Kjo është hera e parë që ne po hulumtojmë se si t’i përdorim sa më mirë kushtet ekzistuese dhe të marrim sa më shumë informacion që është e mundur”. “Me këtë qëllim në mendje, ne kemi sajuar disa programe, kemi përgatitur një numër propozimesh, si dhe kemi miratuar projekte kërkimore”, ka thënë Xu, që është ngarkuar me mbikëqyrjen e punimeve.

Për shkak të dukjes së çuditshme të artefakteve të Sanxingduit, vendi ka qenë burim për lloj-lloj teorish, përfshirë edhe një që sugjeron që vendi është banuar nga qytetërime jashtëtokësore. Arkeologët kanë hedhur poshtë këtë ide si “një asocim që e tejkalon vijën”.

Por ajo për të cilën pajtohen arkeologët kinezë është që këto artefakte nga rrënojat e Sanxingduit theksojnë për një qytetërim që është ndikuar rëndshëm nga kultura e ultësirave qendrore në Kinë, të qendërzuara përreth provincës së Henanit gjatë dinastisë Shang. Por ata po ashtu nuk janë të një mendje me Lein sa i përket mundësisë për të gjetur tekste në Sanxingdui.

Wang Wei, drejtor i Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë kineze të Shkencave Shoqërore, ka thënë se ka pak mundësi që mund të gjenden tekste për shkak se nuk kanë ekzistuar asokohe.

“Kultura e Sanxingduit është e dëshmuar në fe dhe sakrificë, që nuk ka nevojë për shkrim për t’u trashëguar. Ritualet e sakrificave mund të trashëgohen nga një kulturë pa ndihmën e shkrimit”, ka thënë Wang