Kulturë

Gjeneratat e reja të muzikantëve – dëshmi e potencialit në vend

Descriptive Text

Koncerti ishte kurorëzim i punës që studentët kanë bërë gjatë këtij viti. Pasqyrë e angazhimit të tyre, potencialit, por edhe tregues i sfidave që mund të hasin. Sidoqoftë, sfida më e madhe e këtij viti, nga mësimdhënësit e interpretuesit, është konsideruar koronavirusi. Koncerti nisi duke ua dhënë pjesën kryesore të skenës performuesve të instrumenteve frymore që më pas e ndanë shkëlqimin e natës bashkë me instrumentistët e harqeve

Alberina Haxhijaj

Prishtinë, 7 qershor – Kur bëhet fjalë për dalje para publikut dirigjenti Edon Ramadani kërkon më të mirën si nga instrumentistët më me nam në vend ashtu edhe nga studentët. Kështu ishte edhe të hënën mbrëma, në koncertin orkestral të studentëve të Fakultetit të Arteve, Dega e Muzikës, që u mbajt në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Koncerti ishte kurorëzim i punës që studentët kanë bërë gjatë këtij viti akademik. Pasqyrë e angazhimit të tyre, potencialit, por edhe tregues i sfidave që mund të hasin. Sidoqoftë, sfida më e madhe e këtij viti është konsideruar koronavirusi.

Pandemia i ka detyruar studentët që të gjitha ligjëratat e ushtrimet t’i mbajnë online. Diçka e tillë ka qenë problematike veçanërisht për drejtimet ku puna në grup është e nevojshme. E kjo vlen edhe për frymorët, harkorët dhe perkusionistët e rinj të vendit.

Koncerti nisi duke ua dhënë pjesën kryesore të skenës performuesve të instrumenteve frymore që më pas e ndanë shkëlqimin e natës bashkë me instrumentistët e harqeve. Koncerti që është vlerësuar e që mbahet tradicionalisht nga gjeneratat që ndjekin studimet në Universitetin e Prishtinës nisi me Mozartin.

Testin e parë të kësaj nate studentët e dhanë përmes veprës “Eine kleine nachtmusik (serenade)”të kompozitorit austriak. Më pas studentët e gjeneratave të ndryshme të Degës së Muzikës interpretuan “Simfoninë No.92 në G major ( Oxford Symphony) me të cilën kompozitori Franz Joseph Haydn e mori titullin profesor doktor i muzikës nga Universiteti i Oxfordit. Mbrëmja u përmbyll me “Romanian Folk Dances” të kompozitorit hungarez Béla Viktor János Bartók.

Kompozitori Valton Beqiri, njëherësh profesor në Fakultetin e Arteve, ka thënë se studentët kanë dhënë një koncert të mirë pas një periudhë shumë të vështirë për arsimin, për shkak të pandemisë dhe pas periudhës së mësimit online.

“Muzikimi kolektiv është jashtëzakonisht problematik pasi që pa komunikuar studentët midis vete nuk ka edhe mundësi të shprehjes dhe të ngritjes në aspektin profesional dhe artistik. Sonte përpos potencialit që është dëshmuar nga studentët tanë, mendoj se edhe nga aspekti stilistik ata kanë arritur që sado pak të kenë në dorë zhanre të ndryshme muzikore”, ka thënë ai.

Mirëpo krahas sfidës për të realizuar këtë koncert – prova për të janë mbajtur me prani fizike në Fakultet vetëm gjatë javëve të fundit – studentët u njoftuan edhe me realitetin e performimit koncertal në Kosovë. Shiu që binte jashtë depërtonte nga xhamat e ateliesë dhe në disa vende pikonte shumë pranë studentëve që perfomonin edhe mbi partiturat e tyre.

Sipas Beqirit, i cili ndihmoi njërën nga instrumentistet që të largonte pakëz karrigen nga hapësira ku pikonte, kushtet e mira ia ofrojnë mundësinë instrumentistit që të japë më të mirën. “Por artisti i vërtetë kur është duke interpretuar në skenë e jep vetveten, emocionet janë kryesore dhe ne kemi përjetuar një emocion të jashtëzakonshëm nga këta muzikantë të rinj të cilëve këto kushte nuk u kanë penguar”, ka thënë ai.

Drinor Zymberi, prodekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", ka thënë se studentët kanë ende nevojë për më shumë mbështetje njëlloj si instrumentistët.

“Puna e studentëve doli në shesh pas një pune jo shumë të lehtë me studentë pasi që pothuajse gjatë gjithë vitit akademik kemi punuar online dhe ka qenë goxha problematike veçanërisht me studentët e drejtimeve performuese, mirëpo gjithsesi gjatë këtyre javëve të fundit kemi pasur prova më intensive dhe besoj që kemi dalë mirë”, ka thënë ai.

E Qëndresa Bunjaku, violiniste e vitit të tretë, ka thënë se është pikërisht interpretimi para publikut që e bën të veçantë interpretimin e tyre.

“Gjatë këtij viti kemi pasur goxha probleme për shkak të pandemisë, mirëpo shumicën e provave i kemi mbajtur online dhe të pakta kanë qenë ato live. Teknologjia ka arritur njëfarë niveli, mirëpo si orkestër ka qenë shumë e vështirë që me u zhvillu e kjo është specifika edhe e orkestrës që si ansambël të tingëllojë së bashku”, ka thënë ajo.

Edon Ramadani, profesor asistent dhe dirigjent i orkestrës frymore dhe asaj simfonike të “Universitetit të Prishtinës, ai që udhëhoqi edhe koncertin e studentëve, ka thënë se është ndarë shumë i kënaqur me punën e të rinjve të cilët kanë “një potencial jashtëzakonisht të madh dhe e dëshmuan edhe sonte”. Ka theksuar se ky vit akademik ka qenë sfidues veçanërisht për orkestrën, e cila ka mbajtur veten në formë përmes ushtrimeve virtuale.

Megjithatë, koncerti përveç si një kurorëzim i punës ka shërbyer edhe si një urë lidhëse në mes vetë studentëve, por edhe në mes të studentëve dhe publikut. Ishte një mundësi që ata muzikalisht të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe tingëllimën e tyre e emocionin ta përçojnë te publiku. Si gjeneratë e re ata mësuan për përgjegjësinë që kanë para publikut. Por, pas këtij koncerti, sigurisht që do të jenë edhe më pak të zhurmshëm derisa presin radhën që të dalin në skenë për të zëvendësuar kolegët.