Kulturë

Djepi i kulturës së meksikanëve të Amerikës në kërkim të pavarësisë

Los Angeles Lindor është burim rrëfimesh të suksesshme të meksikanëve në SHBA prej boksierit Oscar De La Hoya, rock-grupit “Los Lobos”, e deri te studentët njohës të matematikës të filmit “Stand and Deliver” të vitit 1988.

Megjithatë, përkundër gjithë famës dhe gjallërisë, pothuajse i gjithë komuniteti latin prej 120 mijë banorësh vuan prej një krize identiteti, në mos një krize politike. Hapësira prej 19 kilometrash katrorë nuk është as qytet më vete, as pjesë e Los Angelesit, por një hapësirë e painkorporuar e komunitetit të Los Angelesit.

Tani një grup i liderëve të komunitetit shpreson të ketë më shumë kontroll, duke krijuar një distrikt të veçantë. E vetmja zyrtare e qeverisë që përfaqëson pjesën lindore të Los Angelesit është politikania Hilda Solis, që përfaqëson një distrikt me gati 2 milionë banorë nga dhjetëra qytete, nga zona të painkorporuara dhe lagje të Los Angelesit.

“Unë e shoh pjesën lindore të Los Angelesit si një fëmijë të lënë pas dorë nga njerku. Dhe kjo është më së shumti për shkak të mungesës së integrimit. Nuk ka kontroll lokal dhe nuk ka asnjë formë të vetëvendosjes brenda komunitetit”, ka thënë Eric Avila, profesor i studimeve për meksikanët e Amerikës në UCLA, por që nuk ka lidhje me kampanjën për një distrikt të veçantë.

Disa dekada përpjekje për ta shndërruar këtë zonë në qytet kanë dështuar, kështu që ithtarët zgjodhën një mundësi më pak ambicioze. Projekti është ende në fillimet e tij, kështu që asnjë kundërshtim i dukshëm nuk është shfaqur. Solis nuk pranoi të intervistohej.

"Shumë njerëz jashtë pjesës lindore të Los Angelesit po marrin vendime për ne dhe kjo duhet të ndalet”, ka thënë Tony DeMarco, president i shoqatës “Whittier Boulevard Merchants” dhe avokues kryesor për themelimin e një distrikti të veçantë.

Përpjekja më e fundit për t’i marrë të drejtat e një qyteti u bë në vitin 2012, pasi një organ i njohur si “Komisioni i Formimit të Agjencisë Lokale” bëri të ditur se si qytet, Los Angelesi Lindor do të kishte deficite të mëdha buxhetore. Kritikët e këtij studimi theksojnë se ai është bërë në prag të krizës së madhe të vitit 2007-2009 dhe që atëherë janë hapur biznese të reja.

Në masë të madhe, kampanja për distrikt të veçantë ka lindur nga krenaria e vendasve.

“Nëse pjesa lindore do të kishte një flamur, unë do ta valëvisja atë”, ka thënë një banor i përhershëm i kësaj pjese, Alex Villalobos, 38-vjeçar, mbështetës i distriktit të veçantë dhe drejtor i marketingut në firmën këshilluese “Barrio Planners”.

Në çfarëdo nomenklature, shumë meksikano-amerikanë të Los Angelesit Lindor kanë një identitet të komplikuar, pak a shumë si vetë komuniteti.

“Ne kemi një prejardhje amerikane dhe kemi një prejardhje meksikane. Ne nuk mund të jetojmë pa njërën ose tjetrën”, ka thënë Froilan Godiles, emigrant i cili zotëron biznes për furnizime. “Ne nuk e konsiderojmë veten latinë. Ne jemi meksikanë. Ne jemi nga lindja e L.A-së. Ne jemi amerikanët e veriut”.

Që nga ushqimi e deri te moda, muzika e gjuha, kultura e meksikanëve të Amerikës shfaqet me krenari në një zonë që ishte pjesë e Meksikës deri në vitin 1848.

“Neve na pëlqen t’i shfaqim elementet tona, lëkurën tonë. Nuk e di nëse është e mirë apo e keqe, por na pëlqen. Ne jemi krenarë për rrënjët tona”, ka thënë Godiles.