Kulturë

Historiku i Shqipërisë në “Eurovision”

Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012, kur Rona Nishliu me këngën “Suus” u radhit në vendin e pestë. Vetëm në këto dy raste, Shqipëria arriti që të radhitet në top-10.

Që nga viti 2004 e deri më tani ka pasur 16 paraqitje. Në vitin 2019 Arilena Ara fitoi Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH dhe me këngën “Fall from the Sky”, parashihej ta përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës 2020 në Roterdam, Holandë, por për shkak të pandemisë ky edicion u anulua.

Për edicionin e sivjetmë gjithçka nisi nga e para dhe Shqipëria përzgjodhi këngën “Karma”, të interpretuar nga Anxhela Peristeri. “Karma” ka arritur në finalen që do të mbahet sonte, duke filluar nga ora 21:00.

Shqipërinë në vitin 2005 e përfaqësoi Ledina Çelo më këngën “Tomorrow I Go”, me të cilën zuri vendin e 16-të. Në vitin 2006 u përfaqësua nga Luiz Ejlli me këngën “Zjarr i ftohtë” dhe në vitin 2007 nga Frederic Ndoçi me këngën “Hear My Plea”, nuk arriti të kualifikohet në finale. Pas kësaj, për dy vjet rresht zuri vendin e 17-të fillimisht me Olta Bokën me këngën “Zemrën e lamë peng” dhe pastaj me Kejsi Tolën me këngën “Carry Me in Your Dreams”.

Në vitin 2010 me Juliana Pashën dhe këngën “It’s All About You” zuri vendin e 16-të e në vitin 2011 me Aurela Gaçen dhe këngën “Feel the Passion” nuk arriti të kualifikohet për në finale, njëlloj si në vitin 2013 me Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko me këngën “Identitet”, dhe pastaj në vitin 2014 me Hersi Matmujan dhe “One Night’s Anger”. Elhaida Dani me “I’m Alive” e dërgoi Shqipërinë në pozitën e 17-të në vitin 2015, ndërsa në vitin 2016 Eneda Tarifa me këngën “Fairytale” dhe Lindita me këngën “World” në vitin 2017 nuk arritën të kualifikohen për në finale.

Eugent Bushpepa është artisti i tretë që e dërgoi Shqipërinë më pranë fitores, duke e pozicionuar atë në vendin e 11-të me këngën “Mall”, por viti 2019 e riktheu në pozitën të cilën e ka mbajtur më së shumti në vendin e 17-të. Atë vit, u përfaqësua nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës”.