Kulturë

“Brit Awards” – dëshmi se muzika pop mund të ketë sukses, cilësi e laramani

Dua Lipa merr çmimin e parë nga dy sosh në “Brit Awards”. Foto: “JMEnternational” për “Brit Awards/Getty Images”)
 

Industria përnjohu mega-yjet, por nuk shpërbleu sall suksesin komercial, dhe më në fund po ushqen më shumë sesa një grusht të vogël artistësh

Ju mund t’i shihni, nëse keni këtë prirje, fituesit e sivjetmë të “Brit” si kundërpërgjigje ndaj atyre të vjetshmëve. Pabarazia gjinore në nominimet e 2020-s – në kategoritë me gjini të përzier, një artiste britanike mori një përzgjedhje – pati lënë në hije vetë ngjarjen: “në frymën e qëndrueshmërisë, ‘Brits’ po riciklojnë çdo lloj arsyetimi për atë pse ishin kaq pak femra të nominuara”, kishte thënë komediani Jack Whitehall, jo në një show televiziv, por në mes të ndarjes së çmimeve.

Por këtë vit, në një ceremoni që ashiqare përpiqej t’ia dilte mbanë me kufizimet e COVIDIT – një audiencë me punëtorë kyç, të shënjuar me ulëse të zbrazëta, që dukej të ishte me milje larg nga veprimi; shikimi i çuditshëm i njerëzve që morën çmime e që qëndronin dy metra larg shoqi-shoit, a thua se kishin përplasje të furishme pak para ardhjes në skenë – gjashtë nga shtatë fituesit në kategoritë me gjini të përziera ishin femra: vetëm çmimi i vetëm për Harry Stylesin e këngën e tij “Watermelon Sugar” e theu trendin. Me siguri që dikush është duke e bërë një tweet gjithë inat për plotësimin e formularëve, por edhe nëse është kështu, ata nuk duket t’u kenë kushtuar vëmendjeve tabelave gjatë vitit të kaluar. “Brits” ekzistojnë për të vlerësuar suksesin – ju mund të nominoheni për shumicën e çmimeve vetëm nëse keni një album në krye të tabelave apo edhe një single – dhe kështu kjo ndreqje është më shumë një reflektim mbi cilësinë e artisteve që ia dolën mbanë vitin e kaluar.