Kulturë

Vuçiqi e shpërblen me “Yllin e Karagjorgjit” mohuesin e gjenocidit

Descriptive Text

Jurisë së Akademisë Mbretërore suedeze nuk i kishte bërë fare përshtypje afërsia e shkrimtarit nga Austria, Peter Handke, me ish-presidentin serb, Slobodan Milosheviq, dhe regjimin e tij. Pa u këndellur mirë nga skandalet e njëpasnjëshme, institucioni më i lartë akademik në Suedi para dy vjetësh laureoi autorin kundërthënës me çmimin “Nobel” në letërsi. Për Komitetin e “Nobelit”, autori në fjalë u vlerësua “për një vepër me ndikim, e cila me zgjuarsi gjuhësore ka zhbiruar periferinë dhe veçantinë e përvojës njerëzore”.

Megjithëse Akademia në Stokholm, duke iu kundërpërgjigjur kriticizmit gjithandej botës, e kishte mbrojtur vendimin e vet me arsyetimin se vlerëson vetëm kontributin letrar. E gjithë kjo ka trimëruar politikën në Beograd që të dielën nobelistit që mohoi gjenocidin në Bosnjë t’i ndajë urdhrin “Ylli i Karagjorgjit”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ia ka ndarë Handkes nderimin më të lartë që ka Serbia për, siç ka thënë ai, “luftën e tij të pakompromis për të vërtetën”.

Kreu i shtetit serb, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ka deklaruar se Serbia nëpërmjet këtij çmimi “shfaq mirënjohjen e saj për akademikun dhe mikun Handke”.

Vuçiqi, po ashtu, e ka falënderuar autorin që mohoi masakrat e regjimit të Milosheviqit në Bosnjë dhe Kosovë për “gjithçka që ka bërë për vendin tonë, për Serbinë tonë”.

Siç transmetojnë mediat në rajon, ai ka kërkuar falje që disa serbë “nuk kanë qenë në gjendje gjithmonë të tregojnë sa duhet mirënjohje për të gjitha ato që ke bërë për ne”.

Ky nderim, sipas faqes së Ushtrisë serbe, ndahet për “merita të veçanta dhe suksese në përfaqësimin e shtetit (Serbisë) dhe qytetarëve të saj.

Handke, i cili është shpallur qytetar nderi në Beograd, më 2015, ka mësyrë kryeqytetin serb pas një vizite në Bosnjë, ku ditë më parë mori çmimet më të larta nga e ashtuquajtura “Republika Srpska”.

Disa muaj pas vendimit të Akademisë Mbretërore në Stokholm, institucionet shtetërore të Kosovës kishin vendosur që mohuesin e gjenocidit ta shpallnin “persona non grata”.

Behxhet Pacolli, asokohe zëvendëskryeministër dhe ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, pati njoftuar për vendimin, me anë të të cilit i ishte ndaluar Handkes hyrja në territorin e Kosovës.

Pavarësisht se vendimi i Komitetit të “Nobelit” kishte ngjallur indinjatë ndërkombëtare, në dhjetor të po atij viti, në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë ishte mbajtur një akademi solemne, në të cilën shkrimtari, mohues i gjenocidit, ishte vlerësuar si alamet krijuesi e “apostull i së vërtetës”.

Asokohe, KOHA kishte mësuar nga burime të saj se Kisha Ortodokse Serbe i kishte bërë ftesë Handkes që të vizitonte Kosovën.

I lindur më 6 dhjetor të vitit 1942 në Griffen të krahinës së Kärntenit në jug të Austrisë, Peter Handke konsiderohet si një prej shkrimtarëve dhe dramaturgëve më të mirë të botës gjermanishtfolëse.

Me një prodhimtari letrare që përfshin novela, ese, shënime librash, vepra dramatike dhe skenarë, ai është fitues i disa çmimeve letrare, si “Georg Büchner Prize” (1973) dhe “Vilenica International Literary Prize” (1987), etj. Në vitin 2006, ai ishte nominuar për çmimin “Heinrich Heine” në Düsseldorf, por këshilli i qytetit kishte votuar kundër një vendimi të tillë për shkak të deklaratave të tij mbështetëse ndaj Slobodan Milosheviqit. Pak a shumë e njëjta histori ishte përsëritur edhe tetë vjet më vonë, kur më 2014 ai ishte shpallur fitues i “International Ibsen Award” në Norvegji, që ishte pasuar me kritika të shumta, madje edhe me protesta në Oslo.

Disa orë pas publikimit të vendimit që “Nobeli” t’i takojë Peter Handkes, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në një reagim të saj e kishte cilësuar nobelistin austriak si “një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën”.

“Ideja se angazhimet dhe bindjet politike duhet ndarë nga vepra e një shkrimtari, nuk funksionon në rastin e Peter Handkes. Përkundrazi, idetë e tij agresive u afishuan aq shumë, teksa synonin të luhatnin fondamentin e vlerave të civilizimit dhe humanitetit”, thuhej në kumtesën e ASHAK-ut, në të cilën kërkohej nga Akademia suedeze që të anulonte vendimin e vet.

Po të njëjtën letër ASHAK ua ka përcjellë edhe Asociacionit të Akademive Evropiane (ALEA), akademive evropiane veç e veç, si dhe Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.

Në vazhdën e reagimeve të shumta, edhe shkrimtari nga Serbia, Filip David e kishte quajtur brengosës ndarjen e çmimit “Nobel” për shkrimtarin austriak. Në një prononcim për KOHËN, ai kishte theksuar se Komiteti suedez me vendimin e tij kishte përcjellë “një mesazh të caktuar politik”.

“Kjo është ajo që është fort brengosëse, shumë e dëmshme dhe dëshmon se disa vlera morale, etike janë çoroditur e janë kthyer kokëposhtë”, kishte thënë ai.

Duke iu referuar aktiviteteve publike të Handkes në mbështetje të Milosheviqit, shkrimtari 81-vjeçar serb kishte thënë se vlerat e një shkrimtari nuk mund të veçohen nga aktivitetet e tij politike.

“Në kohën tonë është e zorshme të ndahen këto dy lloje të ndikimit dhe të veprimtarisë”, kishte thënë David.

Sipas tij, në historinë e çmimit “Nobel” ka pasur shkrimtarë që hapur i kanë përkrahur fashizmin dhe idetë ekstreme djathtiste.

“Është çështje më vete aktiviteti politik i Handkes dhe përkrahja e regjimit kriminal të Milosheviqit. Këtë as që arrij ta kuptoj sikurse as faljen për dëmet që ai ka shkaktuar e që vazhdon edhe sot”, kishte thënë David. “Nuk u takoj atyre që mrekullohen me veprat e tij. Janë dhjetëra shkrimtarë që e kanë merituar atë çmim më shumë se Handke”.