Kulturë

Skënder Anamali – klasiku i arkeologjisë shqiptare

Në 100-vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave në Tiranë ka përkujtuar profilin dhe kontributin e arkeologut dhe studiuesit Skënder Anamali. Është vlerësuar si një nga katër “manjifikët” e Shkollës shqiptare të Arkeologjisë, me kontributet më të spikatura në periudhën e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme

Nga Padova, ku përftoi një dije të admirueshme klasike, shkodrani Skënder Anamali do të kthehej në Shqipëri për t’i shërbyer asaj në mënyrën më të mirë: si shkencëtar gjakftohtë. Tok me Frano Prendin, Hasan Ceken dhe Selim Islamin, ai ishte arkeologu që e ngriti Shkollën shqiptare të Arkeologjisë në dekadën e “zbulimeve të mëdha” arkeologjike. Nga kërkimet e tyre dolën në dritë tuma ilire e një botë e tërë rreth tyre, kurse nga duart e Anamalit doli në dritë e plotë kultura e hershme mesjetare shqiptare, në Koman dhe vise të tjera veriore. Me të u provua përfundimisht se popullata e moçme ilire mbijetoi te shqiptarët. Por, arkeologu i shquar kontribuoi edhe duke hapur shtigje të reja kërkimesh, ku më të rëndësishmet janë evidentimet e kulturës së hershme arbërore në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore

Në supet e katër “manjifikëve” do të ngrihej ngreha e shkollës shqiptare të arkeologjisë: Frano Prendi, Hasan Ceka, Selim Islami dhe Skënder Anamali. Por, ishte ky i fundit që nga nëntoka e truallit shqiptar nxori të vërtetat e fjetura mbi shekujt ilirë, mbijetesën e popullatës autoktone dhe shfaqjen e vazhduesve të saj, shqiptarëve të sotëm. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së arkeologut shkodran, paraditen e së premtes, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me Institutin e Arkeologjisë, ka mbajtur veprimtarinë jubilare “Skënder Anamali – një themelues i arkeologjisë shqiptare”.

Në ceremoninë e mbajtur në mjediset e institucionit më të lartë akademik në Shqipëri, e që është transmetuar edhe online, kreu i ASH-së, Skënder Gjinushi, e ka cilësuar Anamalin si një nga figurat qendrore të arkeologjisë shqiptare.