Kulturë

Ish-Jugosllavia artistikisht në Romë edhe me pesë artistë nga Kosova

“Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia” sjell një interpretim të veçantë artistik të vendeve që përbënin ish-Jugosllavinë

Muzeu i njohur kombëtar i artit bashkëkohor në Itali, MAXXI, është nikoqir i ekspozitës madhore “Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia”, që ka bërë tok 54 artistë nga vendet e ish-Jugosllavisë, në zbërthimin e politikave komplekse të regjionit. Në mesin e tyre janë edhe Alban Muja, Driton Selmani, Doruntina Kastrati, Somer Shpat e Fatmir Mustafa-Karllo

“Më shumë se 50 artistë të cilët e lexojnë historinë e vendit nëpërmjet gjesteve të heronjve bashkëkohorë, duke reflektuar, midis tjerash, për mikpritjen, pranueshmerinë dhe bashkëjetesën”, do të ishte përshkrimi më i thjeshtë i ekspozitës madhore “Bigger than Myself. Heroic Voices from ex Yugoslavia”, që është hapur në “MAXXI” të Romës, muzeun kombëtar dedikuar artit të shekullit XXI. Në mesin e artistëve, veprat e të cilëve rrumbullakojnë ekspozitën që ka në vëmendje ish-Jugosllavinë, nuk mungojnë as artistët nga Kosova. Alban Muja, Driton Selmani, Doruntina Kastrati, Somer Shpat e Fatmir Mustafa-Karllo, nëpërmjet veprave të tyre bëhen pjesë e ekspozitës që përshkruhet si një takim i jashtëzakonshëm i artistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë nga Ish-Jugosllavia, të cilët me krijimtarinë e tyre adresojnë politikat komplekse të regjionit.

Ekspozita e hapur të martën mbrëma në atë që njihet si Instituti i parë kombëtar italian i artit bashkëkohor, sipas përshkrimit në ueb-faqen e muzeut të ndërtuar në vitin 2009 nga Ministria e Kulturës, Trashëgimisë dhe Aktiviteteve të Italisë, sjell një interpretim të veçantë artistik të vendeve që përbënin ish-Jugosllavinë.