Kulturë

Regjimi bjellorus mësyn mbi artistët dhe gazetarët

(DW) – Gushtin e vjetshëm bjellorusët dolën në rrugë gjithandej vendit për të protestuar kundër sundimit autokratik 26-vjeçar. Ata mëtonin se presidenti i vendit, Alexander Lukashenko, kishte manipuluar përsëri votat me qëllim që të siguronte fitore dërrmuese në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Nën flamurin e kuq e të bardhë të kryengritjes, qindra e mijëra protestues kërkuan zgjedhje të lira e të ndershme, kurse të fortit Lukashenko të jepte dorëheqjen në dritën e arrestimeve, torturave dhe frikësimeve.

Gjashtë muaj më vonë, protestat kanë nisur të shuhen. Por kundërshtimi ndaj regjimit mbetet i fortë. Figura nga fusha e kulturës dhe artit, që janë subjekt i shtypjes që po rritet gjithnjë e më shumë, rrezikojnë të burgosen. Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, 3 maji, gjithashtu sjell ndërmend një numër të madh gazetarësh që nuk pranojnë të jenë të heshtur në Bjellorusi, pavarësisht kanosjeve me persekutim.

“Secili e ka kuptuar që të jesh aktiv mund të rrezikosh jetën”, ka thënë shkrimtarja bjelloruse Volha Hapeyeva, që tash është anëtare e Shkrimtarëve në Azil pranë PEN Qendrës gjermane. “Në Bjellorusi ju mund të arrestoheni edhe pse mbani veshur çorape kuq-e-bardhë”, ka thënë ajo.

Flamuri bardhë-kuq-bardhë i valëvitur nga opozita përkujton flamurin e shtetit të parë të pavarur bjellorus të shpallur më 1918. Presidenti Lukashenko e hoqi flamurin më 1995 dhe etabloi simbole shtetërore me remishenca të forta të periudhës sovjetike – periudhë kjo kur traditat dhe gjuha bjelloruse u humbën.

Tatsiana Hatsura-Yavorskaya, drejtoreshë e festivalit të filmit dokumentar “Watch Docs” në Minsk, është një shembull. Ajo u ndalua nga policia pasi ishte bashkorganizatore e “The Machine Breathes, and I Don’t”, një ekspozitë kjo kushtuar punëtorëve mjekësorë në vijat e para të frontit kundër pandemisë COVID-19.

Duke e parë sesi regjimi po e zvogëlon pandeminë duke mos bërë të ditura të dhëna të besueshme sa u përket infektimeve dhe vdekjeve, ekspozita u mbyll nga autoritetet vetëm pak ditë pasi u hap.

Asokohe Hatsura-Yavorskaya u arrestua, kurse në apartamentin e saj iu konfiskuan telefoni dhe kompjuteri. “Kalova dhjetë ditë në mbajtje, e në fund u lirova se kisha fëmijë”, ka thënë ajo, duke shtuar se disa prej kolegëve të saj mbahen në arrest.

Ajo nuk ka shpresë për të ardhmen e saj afatshkurtër, por nuk i lejohet dalja nga Bjellorusia. “Unë pres të arrestohem përsëri nga dita në ditë”.

Edhe bota letrare po shtypet nga Qeveria. Botues, përfshirë Henadz Viniarski nga shtëpia botuese “Knihazbor”, dhe Andrei Yanushkeviç, themelues i botimeve “Yanushkevich”, janë arrestuar, kurse llogaritë bankare u janë ngrirë.

Gjendja është e nderë. Zor të kalojë një ditë pa më shumë arrestime. Shumë njerëz zhduken apo arratisen për t’u fshehur gjetkë.

“Gjendja po bëhet çdo ditë e më e vështirë për ne që punojmë në fushën e kulturës, ashtu si për secilin që është opozitë”, thotë një artiste nga Minsku, që kërkoi të mbetet anonime. “Unë po e shqyrtoj nëse duhet t’i ekspozoj pikturat që i bëra gjatë ngjarjeve të gushtit të kaluar – drejt t’iu them, kam frikë ta hap këtë ekspozitë”.

Policia patrullon çdo ditë në lagjen e saj, ka thënë ajo. “Isha rrugës për në punë dje kur mbaja të veshur një pallto të kuqe. Sikur të kisha veshur diçka edhe në të bardhë, ata me siguri do të më ndalonin. Ata kanë mosbesim ndaj secilit”.

Si shumë të tjerë, shkrimtarja dhe poetja Julia Cimafiejeva ka ikur në azil. Por ajo vazhdon të shkruajë me ndjenja për ngjarjet në Bjellorusi.

“Ne të gjithë mendonim se ti ishe grua”, fillon ajo në poezinë “Vendlindja ime”, duke iu referuar vendit amtar në formën femërore. “Sy-kaltëroshe, flokë-kalliri,/ jetëdhënëse”, vazhdon ajo. “Por ne nuk e vumë re…si i zbardhe dhëmbët e tu,/ si i veshe pantallonat ngjyrë kaki,/ si vure një përkrenare të veçantë në kokën tënde të rruar dhe vizatove një mjekër. / Si e more shkopin e gomës…”.

“Vendlindja ime” u botua në antologjinë “Belarus! The female face of the revolution”, që u botua në nëntor në Gjermani pasi Cimafiejeva mori pjesë gjallërisht në protesta. “Isha me fat që nuk u arrestova”, ka thënë ajo.

“Nuk dua të jetoj në një shtet shtypës policor”, ka shtuar ajo. “Kjo është arsyeja pse ika”.

“Çdo herë kur është rizgjedhur Lukashenko ka pasur shtypje”, ka thënë Cimafiejeva, që jeton jashtë vendit që prej fundit të vitit të kaluar. Por ajo shpjegon se deri më 2019, jeta kulturore në Bjellorusi ka qenë relativisht e qëndrueshme. “Shteti në të vërtetë kurrë nuk pranonte një kulturë të pavarur, por megjithatë na linte të qetë e nuk përzihej në mënyrën siç po bën tash. Por sot, siç më duket, jeta publike kulturore është thuajse e paralizuar”.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk i kanë njohur rezultatet e zgjedhjeve, dhe demonstrata solidarizuese po mbahen rregullisht në plot qytete evropiane.

Por deri më tani nuk ka pasur asgjë më shumë sesa thirrje. “Vitin e kaluar kur ne kishim piktura të bukura e të ngjyrshme me gra që mbanin lule, me flamuj bardhë-kuq-bardhë, bota ishte e interesuar për ne”, ka thënë Cimafiejeva. “Çfarë po ndodh tani nuk është edhe aq fotogjenike, është e pamundur të bëhen fotografi në qelitë e burgjeve ku njerëzit po torturohen çdo ditë”.