Kulturë

Festa e librit me telashe të vjetra e të reja në hapësirat shqiptare

Me kredon “Lexo…ashtu që kurrë të mos ndjehesh i vetmuar”, në mbi 100 shtete anekënd botës lexues, shkrimtarë e botues ngrenë “flamurin” e letërsisë që bashkon njerëz e tejkalon largësi. Në kremtimin e sivjetmë, Dita Botërore e Librit përsërit thirrjet për kthim te leximi e letërsia. Nga Tbilisi i Gjeorgjisë, i cili sot është kryeqyteti botëror i librit, letërsia është kryetemë, ashtu sikurse edhe problemet që përlanë botën e librit nga pandemia. Mungesë e përkrahjes nga institucionet shtetërore, pengesat në krijimin e një tregu të përbashkët shqiptar të librit, si dhe rënia e numrit të lexuesve, janë disa prej problemeve kryesore që emërojnë ankesat e përfaqësuesve të industrisë së librit, shkrimtarëve dhe botuesve

Për të dytin vit me radhë, tri fushat kryesore të industrisë së librit – botues, libërshitës dhe librari – po e gjejnë veten të shkëputura nga njëra- tjetra. Me panaire të anuluara, me promovime e ngjarje kulturore të kufizuara kryesisht në përmasën virtuale, 23 prilli, megjithatë, vjen me mesazhe më të fuqishme se kurrë.

E kredituar nga Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) si Ditë Botërore e Librit, kjo ngjarje ngulmon në bindjen se vetëm librat mundësojnë, falë imagjinatës, të hapemi ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht largesave fizike.

“Gjatë muajit prill dhe gjatë gjithë vitit, është kritike të kaloni kohën duke lexuar apo duke e bërë këtë me fëmijët tuaj. Është koha të kremtohet rëndësia e të lexuarit, nxitja e rritjes së fëmijëve si lexues dhe promovimi i një dashurie jetësore ndaj letërsisë dhe integrimit në botën e punës”, thuhet në kushtimin e UNESCO-s për këtë ditë.

Me një ceremoni që do të mbahet pasditen e sotme në Tbilisi të Gjeorgjisë – i cili është zgjedhur kryeqytet i sivjetshëm i librit – Dita Botërore e Librit është shkoqitur përmes afisheve me mesazhe domethënëse “Leximi…rrit krahët dhe udhëton” dhe “Lexo…ashtu që të mos ngelet asnjë i huaj”.

Teksa në Gjeorgji shënohet 130-vjetori i lindjes së poetit më të rëndësishëm në këtë vend, Galaktion Tabidze (1892-1959), Tbilisi sot hap dyert për rreth 100 ngjarje e projekte që kanë të bëjnë me librin, konferenca letrare, forume, takime me autorë e të ngjashme.

Kryeqyteti gjeorgjian është përzgjedhur për të pasur statusin e Kryeqytetit Botëror të Librit, një traditë kjo e fiksuar nga UNESCO-ja që nga viti 2002. Kuala Lumpur pati këtë status vjet, përderisa më parë ai u kishte takuar edhe qyteteve si Amsterdami, Sharjahi, Athina, Antwerpi, Turini, Buenos Airesi, Erevani, Lubjana, e të tjerë.

Kelmendi: “Libri me gjithnjë e më pak lexues”

Por festa e librit e gjen me problemet e vjetra e të reja treshen botues-shkrimtarë-lexues në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut. Derisa trendi i lexuesve ka njohur minuse gjatë viteve të kaluara, siç është bërë me dije nga raporte organizatash joqeveritare, shkrimtarë e botues të ndryshëm vënë në dukje disa nga problemet e reja që i solli pandemia.

Kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, ka thënë se festa e dytë e librit në pandemi nuk mund të ketë alternativa arsyetimi. Sepse, sipas tij, është dashur që vetëm dy muajt e vjetëm të ishin udhërrëfim se si të veprohet për pjesën tjetër të vitit.

“Sikur në të gjitha sferat e tjera, edhe në sferën e librit pati defekte serioze. Jo aq në botimin e librit sa në plasimin dhe strehimin e tij te lexuesi”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa ka theksuar se libri i botuar dhe i palexuar nuk e shton vlerën kulturore, ai ka vlerësuar se botues privatë, megjithatë, kanë bërë përpjekje të vazhdojnë veprimtari duke yshtur krijimtarinë letrare siç ishte rasti me Grupin KOHA.

“Kjo mënyrë stimulimi e ka mbajtur gjallë treshen botues-libër-lexues, sado që unë mendoj se lexues kemi gjithnjë e më pak dhe jo vetëm për shkak të pandemisë”, ka thënë Kelmendi.

Kryetari i PEN Qendrës ka folur edhe për idenë kaherë të përsëritur për një treg të përbashkët të librit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Duke shfaqur skepticizmin ndaj një ideje që, sipas tij, është vështirë e arritshme, Kelmendi ka vlerësuar se panairet e librit që mbahen në shumë qytete janë përpjekje për një ombrellë kombëtare libri, porse edhe në to ka probleme që lidhen me konkurrencën e smirën.

“Mendoj se ministritë e kulturës, por edhe botuesit, duhet t’i qasen më kulturalisht dhe librarisht kësaj çështjeje”, ka shtuar ai.

Çabej: “Leximi e libri janë gjithnjë të rëndësishëm në jetën e shqiptarëve”

Drejtuesja e shtëpise botuese “Botime Çabej”, Brikena Çabej vlerëson se nuk pati rënie të shënueshme të shitjes së librave siç ishte pritur.

“Vërtet që viti i vështirë i pandemisë tregoi se leximi e libri janë gjithnjë të rëndësishëm në jetën e shqiptarëve”, ka thënë ajo në një prononcim për KOHËN.

Çabej – e cila është e bija e gjuhëtarit të shquar Eqrem Çabej – ka thënë se tregu i njësuar i librit shqip, përtej kufijve shtetërorë, është një nevojshme e domosdoshme për arsye ideale e materiale.

“Ka disa përmirësime në krahasim me të shkuarën, por kryesisht prej vullnetesh të ndërmarrjeve private”, ka vlerësuar ajo.

Për të, tani është koha dhe kushtet për një një bashkëpunim vullnetesh politike që “do ta përshpejtonin e realizonin në një kohë sa më të shkurtër këtë synim”.

“Sidomos po të mbajmë parasysh se të tjerët janë tashmë në epokën e njësimit të tregjeve mes kontinenteve në mbarë rruzullin”, ka shtuar Çabej.

Avdyli: “Vendeve të vogla iu duhet ndihma vazhdimisht”

Drejtori i shtëpisë botuese “OM”, Xhemajl Avdyli, ka vlerësuar se lidhja libër-lexues është ende e qëndrueshme. Por, ka shtuar ai, infrastruktura rregullatore dhe ndihma shtetërore, në vende të vogla, nxjerrë shumë pengesa sa i përket forcimit të kësaj lidhjeje.

“E kur flasim për librin shqip, më duhet të them se pandemia i ka vënë në spikamë edhe më shumë disa probleme, të cilat uroj që të marrë masa për rregullim mendësia e re qeverisëse. Vendeve dhe kulturave të vogla si ne u duhet vazhdimisht ndihmë për të vazhduar tutje”, ka vlerësuar Avdyli.

Duke folur për tregun e përbashkët të librit, ai ka nënvizuar se tri shtetet shqiptare duhet të kenë shumë kujdes në trajtimin e librit.

Sipas drejtuesit të shtëpisë botuese “OM”, tri shtetet shqiptare në vend se ta ndihmonin e kanë penguar me aq sa kanë mundur qarkullimin e lirë të librit.

“Kanë vënë pengesa e barriera doganore, deri në një pikë sa pothuajse u ndërpre qarkullimi i librit, sidomos nga Kosova në Shqipëri”, ka thënë Avdyli. “Gjënë e parë që duhet ta bëjnë qeveritë është që t’i heqin të gjitha këto barrierat doganore dhe le të mos ia këpusin krahët librit, por ta lënë të fluturojë i lirë”.

Ndryshe, 23 prilli është ditë simbolike për botën letrare. Është dita kur më 1616 vdiqën Servantesi, Shakespearei e Inca Garcilaso de la Vega. Është, po ashtu, ditëlindje ose edhe ditëvdekje për emra të shquar autorësh si Maurice Druon, Haldor K. Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejía Vallejo.

Për Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, të mbajtur në Paris më 1995, kishte qenë fare e natyrshme që në këtë datë t’u bëhej një nderim i përbotshëm librit dhe autorëve, duke nxitur secilin, e veçmas të rinjtë, për të zbuluar kënaqësinë e të lexuarit. Me këto konsiderata në mendje, UNESCO shpalli Ditën Botërore të Librit që tashmë shënohet nga miliona njerëz në mbi 100 shtete përmes qindra organizatave vullnetare, shkollave, trupave publike, grupeve profesionale etj.