Kulturë

Finalizohet gara për projekt ideor të sallës koncertale në ish-“Gërmi”

Descriptive Text

Arkitekti nga Kosova, Bekim Ramku, dhe ai nga Japonia i njohur botërisht, Kengo Kuma, me projektin e përbashkët kanë fituar në konkursin e Komunës së Prishtinës për projekt ideor të sallës koncertale në ish-“Gërmi”. I dyti është shpallur ai i Shkëlqim Osmanit dhe i treti projekti i Arbër Sadikit e Gëzim Paçarizit. Por pavarësisht kësaj renditjeje, jo domosdoshmërisht projekti fitues është ai që mund të implementohet. Krejt varet prej kostos, e vetëm shpërblimet kushtojnë 100 mijë euro. Ky është hapi i radhës konkret drejt sallës koncertale, për të cilën dy vjet më parë u humbën 11,4 milionët e BE-së. Për projektin, Komuna për sivjet s’i ka as një milion euro

“One Roof – Germia for Concert Hall” mban titullin projekti që ka marrë më së shumti pikë për sallë koncertale në objektin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në kryeqytet. Projekti më i vlerësuar ka për synim ruajtjen e “fasadës ikonike” dhe shton pjesë të reja rekreative pranë ndërtesës aktuale, përfshirë një galeri. I realizuar nga arkitekti me nam botëror, japonezi Kengo Kuma, në partneritet me arkitektin kosovar Bekim Ramku dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik, ky projekt ka marrë 82.42 pikë duke u renditur i pari. Ky vlerësim e bën atë fitues të 50 mijë eurove. Në konkursin ndërkombëtar të hapur nga Komuna mbante shifrën 6636.

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kanë vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar do të jetë 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Ka marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar do të jetë 20 mijë euro. Pos Sadikit bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.

Të martën dosjes së tenderit në ueb-sajtin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik i është shtuar edhe vendimi mbi vlerësimin e jurisë për këtë projekt. Por pavarësisht kësaj, pyetjeve për hapat e mëtutjeshëm, KOHËS, deri të martën vonë, nuk u kanë kthyer përgjigje kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e as drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Adrian Berisha.

Përgjigje për konceptin e projektit fitues, si dhe kostos preliminare nuk ka pasur as bashkautori i projektit më të vlerësuar, arkitekti Bekim Ramku.

“Sipas prokurimit të Komunës së Prishtinës ende nuk duhen të bëhen publike rezultatet deri të hënën që vjen”, ka thënë Ramku.

“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. Partneri i Ramkut në këtë projekt, Kengo Kuma, është një prej arkitektëve me nam botërisht. Midis të tjerash ka dizajnuar Stadiumin Olimpik të Tokios dhe “V&A Museum” në Dundee të Skocisë.

Projekti që ka zënë vendin e dytë parasheh shndërrimit të ndërtesës së ish-Gërmisë me “ruajtjen e fasadës origjinale”, hyrje të reja, hapësira rekreative, hapësira ndërveprimi publike, si dhe auditoriumin kryesor me 800 ulëse. Sipas projeksioneve në video, ky koncept parasheh ndërthurjen e fasadës së kahershme të godinës me elemente moderne me xhama, brenda së cilës lartësohet objekti rrethor i sallës.

Urbanisti Ervin Taçi në emër të konsorciumit “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion Project, MA Studio & Partners”, ka thënë se “Concert Hall Gërmia” është një mundësi e artë e Prishtinës për ta rikthyer në jetë një objekt të famshëm të kohës me një impuls të ri që në fakt duhet të shikojë nga e ardhmja.

“Është pikërisht ky parimi kryesor konceptual i ndërhyrjes arkitektonike. E djeshmja e një objekti të projektuar në vitet ‘70 lihet si gjurmë për brezat me risjelljen identike të pjesës më të rëndësishme të fasadës origjinale, por godina e re me një funksion krejt të ri dhe të rëndësishëm sheh edhe nga e ardhmja tek interpreton integrimin e fasadës origjinale me module transparente xhami të frymëzuara nga gjeometria e pattern-it të aluminit në respekt të projektit burimor”, ka thënë ai. Sipas Taçit, mbi të gjitha ndërhyrja e tyre është urbane me energji jetësimi të hapësirave publike ekzistuese, nxitur nga përshkimi i drejtpërdrejtë i kompleksit në zemër të tij nga publiku, duke lidhur natyrshëm zonën jug-perëndimore të qendrës me vetë sheshin “Skënderbeu” dhe zonën verilindore.

“Organizimi i një konkursi të tillë në nivel ndërkombëtar është zgjedhja e duhur për vendimmarrje kaq të rëndësishme. Rëndësinë specifike të funksionit dhe të vendndodhjes ia shton edhe qasja paraprake e institucioneve ndaj ndërhyrjes në respekt të memories historike të brezave të cilët e kanë jetuar godinën ekzistuese në mbi 50 vite”, ka thënë sa i përket konkursit të hapur në vjeshtën e vitit të kaluar. Sipas Taçit, projekti i tyre ka një kosto implementimi rreth 10 milionë euro.

Image

Projekti i “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion Project, MA Studio & Partners”, që ka marrë çmimin e dytë


Sa i përket projektit që është renditur si i treti, arkitekti Arbër Sadiki që është bashkautor me Gëzim Paçarizin, duke njohur mirë ndërtesën ekzistuese, si për nga vlerat arkitektonike, historike, por edhe strukturore, ka qenë që në fillim kundër transformimit të saj në sallë koncertale. Për këtë ka dhënë dy arsye.

“E para, një shtëpi mallrash e tipologjisë së hapur, pa ndarje, ku i gjithë malli është ekspozuar brenda gabaritit të pandarë të ndërtesës, me intervenime minimale shndërrohet në galeri arti”, ka thënë ai. Sipas Sadikit, e dyta është se kthimi në sallë koncertale i një ndërtese të viteve ‘70 të punuar me sistem konstruktiv, ram me hapësirë konstruktive në mes shtyllave jo më të madhe se 10.5 metra, nuk ka kurrfarë mundësie pa u shkatërruar ajo në tërësi.

“Kjo, përpos që zhduk një ndërtesë që ne konsiderojmë se ka vlera të trashëgimisë arkitekturore, do të ishte humbje edhe në kuptimin ekonomik”, ka thënë ai. Sipas Sadikit, këto janë dy arsyet kryesore pse edhe publikisht është angazhuar kundër shndërrimit të kësaj ndërtese në sallë koncertale. Ka thënë se duke parë qëndrimin e autoriteteve komunale që pa ndonjë argument insistonin në shndërrimin e saj në sallë koncertesh, duke kulmuar me shpalljen e konkursit arkitektonik në fillim të këtij viti, bashkë me arkitektin Gëzim Paçarizi që jeton në Gjenevë, vendosën të marrim pjesë me një propozim.

“Duke ndarë qëndrimet e njëjta me të për çështjet e cekura më lart, arsyeja kryesore e pjesëmarrjes tonë kishte të bënte me ofrimin e një propozimi i cili me intervenime të tipit revitalizues me një investim prej rreth 2 milionë eurosh do të kthente ndërtesën ekzistuese në galeri arti, ndërsa në hapësirat e lira përreth ndërtesës do të vendosej salla e madhe koncertale me rreth 1700 spektatorë, dy salla të vogla njëra me 400 dhe tjetra 200 spektatorë”, ka thënë ai. Ka shpjeguar . E gjithë kostoja e ndërtesave shtesë është kalkuluar në rreth 10 milionë euro. Krejt bashkë do të kapnin koston prej 12 milionë euro. Sa i përket procesit të përzgjedhjes së fituesve, Sadiki ka thënë se s’ka dyshim që rruga e konkursit arkitektonik ndërkombëtar është ajo që duhet ndjekur, por duhet punuar vazhdimisht që kredibiliteti i tij të mbrohet përgjatë gjithë procesit.

“Përgjigjet që kemi marrë deri tani, nuk japin kurrfarë sqarimi se si kanë ardhur deri tek rangimi i projekteve, gjë që nuk është praktikë e konkurseve kredibile. Le të shpresojmë se ditët në vazhdim do t’i marrim, ne konkurruesit, por edhe gjithë publiku, sqarimet se cilat kanë qenë kriteret mbi bazën e të cilëve juria ka marrë vendime dhe sa dhe si, secili prej aplikuesve i ka plotësuar”, ka thënë ai. Ka shtuar se do të donte të dinte qëndrimin e Mohsen Mostafavit, anëtarit të jurisë nga Universiteti i Harvardit, i cili vazhdimisht shkruan për memorien kolektive, shtresat historike të qyteteve. E më pas edhe për qëndrimin e arkitektit Han Tümertekin e po ashtu të përfaqësuesit të IKMM-së, pasi ndërtesa është monument.

Image

Projekti i Arbër Sadikit dhe Gëzim Paçarizit, që ka marrë çmimin e tretë parash që ish-“Gërmia” të bëhet galeri e afër saj salla koncertale


Në ditën e 12-të të marsit, kur projektet ishin prezantuar në Komunë, kryetari i kryeqytetit kishte paralajmëruar se jo domosdoshmërisht projekti ideor që merr më së shumti pikë do të realizohet.

“Nuk është vendim për ndërtim, pasi që edhe po të fitojë më i miri propozim jo domosdoshmërisht do të përcaktohemi për të”, kishte shpjeguar kreu i Prishtinës.

Ruajtja e elementeve të trashëgimisë kulturore dhe ofrimi i zgjidhjeve kreative brenda ndërtesës së ish-“Gërmisë” janë dy nga synimet kryesore të Komunës së Prishtinës. Këto qëllime ishin shpalosur qysh në nëntor të vitit të kaluar, kur ishte bërë e ditur se do të hapej konkurs ndërkombëtar për këtë projekt. Synohet që ndërtesa të adaptohet dhe të jetë një “landmark building”.

“Ideja është që të kemi një ndërtesë që i ruan shenjat e së kaluarës, por edhe shikon drejt së ardhmes”, kishte thënë asokohe kryetari Ahmeti.

Sa u përket financave, Komuna e Prishtinës për këtë vit ka ndarë 900 mijë euro për sallë koncertale.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”. Po atë vit objekti kishte hyrë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Arkitektët Arbër Sadiki dhe Bekim Ramku i kishin prirë fushatës që ndërtesa të jetë monument. Asokohe Komuna planifikonte demolim dhe ndërtim të një salle koncertale të re. Bile, Bekim Ramku në emër të “Docomono Kosova” kishte organizuar peticion për mosdemolimin e ndërtesës dhe kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës që objekti të jetë monument.

Në nëntor të vitit të kaluar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte thënë se në rast se ndërtesa e adaptuar do të kushtojë 10 milionë euro, do ta kenë të nevojshme ndihmën e Këshillit të Evropës, por nëse ka kosto prej 5 milionë eurosh, Komuna do ta financojë vetë.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të vitit 2020, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e KE-së të ridestinohen dhe të humbë mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale që ndërtohej kryesisht me donacion. Prej vitit 2006 është dhënë ideja që ajo ndërtesë të shndërrohet në muze të artit bashkëkohor.