Kulturë

Rikthehet projekti për shumëkatëshe afër monumenteve në Prizren

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve do të jetë adresa e sërishme për projektin e shumëkatëshes në Prizren e që në afërsi prej 38 deri në 54 metra ka tri monumente. Autoritetet komunale kanë dalë me sqarime për këtë rast, i cili i kishte ndarë institucionet e trashëgimisë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit. “Aktualisht nuk do të japim leje ndërtimore, sepse do t’i drejtohemi edhe një herë Institutit që të përcaktojë perimetrin e një objekti që është në afërsi”, ka thënë Beni Kizolli, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit

Leja ndërtimore për objektin disakatësh në rrugët “Tahir Meha” e “Ardian Zurnaxhiu” në Prizren ende nuk është lëshuar nga organet komunale. Bëhet fjalë për projektin që qysh vitin e shkuar ishte kundërshtuar nga organet e trashëgimisë kulturore dhe nga një pjesë e banorëve të kësaj zone.

Por zyrtarët e lartë komunalë të premten kanë bërë të ditur se procedurat për dhënien e një leje të tillë janë zhvilluar.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli, ka pohuar se së fundmi, pas konsultave me nivelin qendror është vendosur që lënda t’i dërgohet edhe një herë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Shumëkatëshja që është projektuar të ndërtohet, rrethohet nga ish-objekti i Armatës, Shtëpia e Jonuz Agallarit dhe ajo e familjes Shpejti, që të tria në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. I pari gjendet 38.22 metra larg parcelës ku planifikohet ndërtimi, i dyti 48.96 metra dhe i treti 54.96 metra.

“Aktualisht nuk do të japim leje ndërtimore, sepse do t’i drejtohemi edhe një herë Institutit që të përcaktojë perimetrin e një objekti që është në afërsi”, ka thënë Kizolli të premten gjatë një konference për media. Sipas tij, çështja e perimetrit është instrumentalizuar, pasi legjislacioni përcakton 50-metërshin, por kjo mund të zgjerohet dhe të ngushtohet.

“Tani përgjegjësia i mbetet Institutit. Ata brenda afatit ligjor duhet të përcaktojnë perimetrin dhe ne do të veprojmë sipas rekomandimit të tyre apo sipas perimetrit që e përcaktojnë”, ka deklaruar Kizolli.

Paraprakisht ai ka sqaruar se kjo lëndë është pranuar para 15 muajve, saktësisht më 7.11.2019, por se nuk është përmbyllur deri më tani shkaku i moskthimit të përgjigjeve nga institucionet relevante.

Sipas Kizollit, më 18 dhjetor të 2019-s lënda është dërguar në QRTK, ku për 6 muaj nuk është pranuar asnjë përgjigje. Pas 6 muajve DUPH-ja ka vazhduar me procedurat e Ligjit për ndërtim, ku sipas drejtorit është publikuar njoftimi, i cili ka qëndruar dy javë dhe gjatë kësaj periudhe DUPH-ja nuk ka pranuar asnjë ankesë nga ana e qytetarëve.

“Më 08.07.2020, DUPH-ja ka lëshuar Kushtet Ndërtimore dhe një muaj pas lëshimit të këtij kushti, Drejtoria ka pranuar një ankesë nga banorët e rrugës ‘Tahir Meha’. Pas kësaj DUPH-ja ka pranuar edhe një përgjigje me vonesë nga QRTK-ja, e cila ka refuzuar ndërtimin e etazhitetit B+P+5 për shkak të respektimit të zonës së dytë mbrojtëse, në të cilën lejohet ndërtimi P+2, duke mos dhënë hapësirë për ankesë. Me këtë përgjigje Drejtoria ka shfuqizuar Kushtet Ndërtimore, me ç’rast pala është ankuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka njoftuar drejtori Kizolli. Sipas tij, pas kësaj, Ministria ka konstatuar që parcela kadastrale e ndërtesës nuk përfshihet në zonën historike dhe në këtë zonë nuk ka plan rregullues dhe DUPH-ja përsëri ka lëshuar kushtet ndërtimore.

“Pas takimit të zyrtarëve komunalë me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u arrit dakordimi që projektin në fjalë edhe një herë t’ia drejtojmë QRTK-së, përkatësisht Institutit”, ka thënë Kizolli. Në të njëjtën kohë ka shprehur qëndrimin se vlerat nuk mbrohen me të pavërteta dhe se angazhimi për plotësimin e dokumentacioneve për mbrojtjen e trashëgimisë është vlerë në vete, por që “kërkon punë, dije dhe durim”.

KOHA javë më parë ka raportuar se si një grup i banorëve në rrugët “Tahir Meha” dhe “Ardian Zurnaxhiu” në Prizren kanë kundërshtuar planin për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe në këtë zonë. Sipas tyre, një ndërtesë e tillë do të dëmtonte karakterin historik, kulturor, social dhe urbanistik të kësaj pjese të qytetit.

Përfaqësuesi i autorizuar ligjor i këtyre banorëve, avokati Faik Miftari, kishte theksuar se vjet organet e trashëgimisë kulturore nuk kanë dhënë pëlqim për këtë ndërtim, pasi që bëhet fjalën për zonën e dytë mbrojtëse, si dhe brenda rrezes prej 50 metrash nga disa monumente të mbrojtura. Sipas tij, bazuar në këtë, Drejtoria e Urbanizmit nuk ka dhënë leje, por se investitori është ankuar te Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e cila ka aprovuar ankesën dhe ka obliguar Drejtorinë e Urbanizimit që të vazhdojë procedurën për dhënien e lejes. Avokati Miftari kishte numëruar disa akte ligjore e nënligjore që sipas tij nuk lejojnë ndërtimin e lartë në këtë zonë, përfshirë dispozita të caktuara të Ligjit për ndërtim, pastaj të UA të MMPH-së 08/2017, po ashtu të Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura, si dhe të Ligjit për trashëgiminë kulturore.

“Sipas të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore të lartcekura, domethënë nuk lejohet ndërtimi i ndërtesës apo grup ndërtesash që mund të dëmtojnë kontekstin historik, trashëgimisë kulturore, urbanistike e kështu me radhë”, kishte thënë Miftari. Asokohe kishte thënë se nuk ka informata se nga Komuna nuk janë dhënë lejet, as për rrënim të shtëpive ekzistuese e as për ndërtim.

marrë parasysh se si do të shkojë, a do të jepet leja apo jo, unë si përfaqësues i tyre ligjor do t’i përdori të gjitha mjetet juridike, ashtu që nëse jepet leja do të ankohemi në organin e shkallës së dytë, do të thotë të MEA-s. Në rast se edhe organi i shkallës së dytë, MEA, jep leje, atëherë ne do t’u drejtohemi organeve gjyqësore. Kemi të drejtë të parashtrojmë padinë për konflikt administrativ pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ. Ne do t’i ndjekim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion në aspektin ligjor”, kishte deklaruar ai.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, kishte pohuar se ky organ vjet e ka pranuar këtë lëndë dhe të njëjtën e ka proceduar te Komisioni për vlerësimin e projekteve restauruese konservuese në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. “Komisioni në fjalë në disa takime radhazi e ka trajtuar këtë kërkesë, projektin që është adresuar nga ana e Komunës së Prizrenit dhe pas daljes në terren dhe verifikimit të gjendjes faktike në terren ka ardhur në përfundim që kërkesa në fjalë duhet të refuzohet”, kishte thënë Hoxha, duke shpjeguar se një rekomandim i tillë është dhënë, meqë kjo kërkesë bie ndesh me dispozitat ligjore, respektivisht perimetrin e disa prej aseteve që kanë status të mbrojtur, dhe me planin e konservimit që nuk lejon ndërtime kolektive në zonën e dytë të mbrojtur.

Krahas banorëve për këtë çështje kishte reaguar edhe anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Gashi, i cili kishte theksuar se kërkesa e banorëve është respektimi i zonës së dytë mbrojtëse dhe ambientit jetësor në këtë pjesë të qytetit.

“Kam reaguar disa herë publikisht që në zonën e dytë të mbrojtur të mos ndërtohen objektet shumëkatëshe, të cilat do të pengonin vizurat apo peizazhin arkitektonik dhe natyror të qytetit, si dhe do të degradonin qytetin në aspektin urbanistik duke krijuar objekte shumëkatëshe në mesin e shtëpive, duke prishur karakteristikat urbanistike që i ka qyteti, që pa dyshim do të varfërojë edhe vetë jetën kulturore dhe ofertën turistike të Prizrenit”, kishte thënë Gashi.

Por drejtori Kizolli gjatë konferencës për shtyp ka theksuar se nuk është e vërtetë që ka zonë të dytë mbrojtëse me dokumentet zyrtare në fuqi. “Pavarësisht se Instituti vazhdon të thirret në zonën e dytë në Prizren, nuk kemi ndonjë dokument të planifikimit ku na përcaktohet ndonjë zonë si zonë e dytë apo ku përcaktohet etazhiteti P+2. Këta ende aludojnë në PU, të cilit i ka skaduar afati dhe në Kosovë një dokument i tillë nuk aplikohet”, ka thënë Kizolli, duke shtuar se nuk janë të qëndrueshme as pretendimet se vonesa e Hartës Zonale ka të bëjë me këtë lëndë.