Kulturë

“Clara me mustaqe” në stacionin e radhës para audiencës botërore

Janë katër festivale me nam ku “Clara me mustaqe” është futur në garë. Muajin e përmbyll me Festivalin e Filmit në Krakow, alamet ngjarjeje fituesit e të cilit kualifikohen edhe për “Oscar”. “Nuk kemi as fjalë ta përshkruajmë gëzimin që po ndiejmë me vëmendjen dhe vlerësimin që po merr ky projekt”, ka thënë për KOHËN, regjisori Ilir Blakçori

“Clara me mustaqe” vazhdon rrugëtimin nëpër qendra botërore. Filmi i shkurtër i animuar nën regji të Ilir Blakçorit është pjesë e programit të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Filmit në Krakow. Edicioni i 61-të i Festivalit do të mbahet në formatin online prej 30 majit deri më 6 qershor si një organizim hibrid, ku shfaqjet do të mbahen fizikisht në kinema dhe online në platformën e festivalit. “KFF” është njëri nga festivalet më të vjetër në botë kushtuar filmave dokumentarë dhe të shkurtër. Është kualifikues për “Oscar” dhe animacionit nga Kosova i mbesin përsëri dy mundësi drejt këtij çmimi të madh. “Clara...” shpalos histori universale, pa dialogë, por në një mënyrë shumë artistike.

Gjatë shtatë ditëve, shikuesit do të kenë mundësi që të shohin rreth 250 filma nga Polonia dhe e gjithë bota. Rëndësia e këtij festivali qëndron te fakti se është një pasaportë për ngjarje me nam. Është i vetmi festival kualifikues për filma dokumentarë për “Academy Awards” në Poloni dhe njëri nga festivalet kualifikues për filma të shkurtër, por për çmimet e mëdha. Po ashtu, është në mesin e festivaleve të njohura që kanë mundësi për të rekomanduar filma dhe dokumentarë të gjatë për “European Film Awards”, të njohur ndryshe edhe “Oscarët evropianë”.

Më shumë se 200 filma të animuar këtë vit ishin dërguar në adresë të Festivalit të Filmit në Krakow. Këtë vit, kuratore dhe selektore e animacioneve ishte Wiola Sowa, regjisorja e filmave të animuar, disenjatorja grafike e diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Krakow dhe fituese e disa çmimeve prestigjioze. Ajo është ndihmuar edhe nga Olga Bobrowska, kuratore e programeve të filmave të animuar dhe drejtoreshë e festivalit ndërkombëtar, “StopTrik”.

Regjisori Ilir Blakçori ka bërë të ditur se filmi është përzgjedhur në listën e ngushtë prej 13 filmash të shkurtër animacion, të cilët do të garojnë për çmimin “Dragoi i Artë”, çmim i cili rekomandon për Çmimin e Filmit Evropian.

“Nuk kemi as fjalë ta përshkruajmë gëzimin që po ndiejmë me vëmendjen dhe vlerësimin që po merr ky projekt. Historia jonë po udhëton nëpër festivalet më të njohura botërore për film, dhe kjo për ne është një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë regjisori.

Animacioni 10-minutësh ani pse nuk arriti që të shpërblehej në “Santa Barbara International Film Festival”, të mbajtur prej 31 marsit deri më 10 prill, e ku “Clara...” pati premierën botërore, ka mundësi që të shpërblehet këtë javë në një tjetër festival amerikan. Është pjesë e edicionit të 45-të të “Cleveland Film Festival” në Ohio, që ka nisur online prej 7 prillit dhe përfundon më 20 prill e ku shfaqen 116 filma të metrazhit të gjatë dhe 182 filma të metrazhit të shkurtër. Në këtë festival, ashtu sikurse në Festivalin e filmit në Krakow, filmave fitues u jepet mundësia që të kualifikohen për pjesëmarrje në akademinë e çmimeve “Oscars”. Në të njëjtë kohë, “Clara me mustaqe” është selektuar që të jetë pjesë e njërit prej festivaleve më të rëndësishme të animacionit në botë – “Annecy International Animation Film Festival”. Festivali i kategorisë A do të mbahet prej 14 deri më 19 qershor. Në festivalin francez është përzgjedhur nga një konkurrencë prej 2.850 aplikuesish nga 95 shtete.

Në fokus të animacionit është kartëmonedha 100 marka gjermane, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos është një ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Gjatë animacionit, era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme.

Siç shihet në trilerin e filmit, duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Sipas regjisorit Ilir Blakçori, ajo e mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Bashkë me ekipin ai kishte punuar pesë vjet në këtë animacion të shkurtër.

“Filmi u kushtohet 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna, sepse në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë. E mesazhi është që ëndrrat dhe shpresat për një të ardhme më të mirë asnjëherë mos t’iu shuhen”, ka thënë Blakçori. “Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet dhe autoritet dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyjave është paraja”, është shpjegimi që jep Blakçori, duke kujtuar se prej 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane. Për këtë arsye ka thënë se personazhin e animacionit, kartëmonedhën, e shohim si një dëshmitare të përvojave të tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre 1998-1999.

Animacioni është realizuar nga produksioni “Molos” dhe mbikëqyrëse e animacionit është Vala Blakçori, e cila ka master për animacion të karakterit në “Animation Mentor” në Kaliforni. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez, Romain Zante, që u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra”, në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është kompozim i vetë kompozitores dhe pianistes, Clara Schumman, por e risjellë në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.