Kulturë

Robotët si shkrimtarë rrëfimesh

Descriptive Text

Gjërat të çuditshme dalin në pah kur inteligjenca artificiale përpiqet të shkruajë një rrëfim. Shkrimtari Daniel Kehlmann rrëfen eksperimentin e tij për të shkruar bashkë me një algoritëm dhe përshkruar mundësitë dhe kurthet.

Në fillim të vitit 2020, romancieri dhe dramaturgu gjermano-austriak Daniel Kehlmann shkroi vargjet e parë të rrëfimit të shkurtër: “Po kërkoja një apartament. Nuk po shkonte mirë”.

Nga thellësia e llogaritjes kompjuterike, bashkautori i tij – një algoritëm shkrues i quajtur “CTRL” – vazhdoi tregimin: “Hej njeri, ke vithe të mira dhe nuk ke frikë nga asgjë”. Ky, me sa duket, ishte vizioni i “CTRL-së” për rrëfimin.

Kehlmann u përpoq të qëndronte në rrugën e duhur duke u përgjigjur: “Kjo është e vërtetë, por për apartamentin...” Bashkautori i tij ndaloi së bashkëpunuari.

Shkrimtari robot as sukses as dështim

Kehlmann në shkurt e përshkroi këtë përvojë të tij me makinën te “Fjala e Shtutgartit mbi të Ardhmen”, një seri e re leksionesh në të cilën personalitete nga shkenca, kultura dhe politika reflektojnë për të ardhmen.

Fjalimi i tij “Algoritmi im dhe unë”, tashmë është botuar edhe si libër. Aty, Kehlmann rrëfen eksperimentin e tij me Inteligjencën Artificiale që nga vizita në Silicon Valley në shkurt, ku ai u takua me “CTRL-në” dhe krijuesin e tij Bryan McCann.

Kehlmann nuk e konsideron shkrimin e historisë si një dështim, pasi realizoi bukur disa fragmente absurde. Por, roboti ka tendencë të godasë një mur kur bëhet fjalë për të kompletuar ose zhvilluar tutje karakterin. Kehlmann e konsideron atë një “përdorues dytësor” të çorientuar brenda tekstit të shkruar nga njerëzit.

“Ju do të vini re se nuk është askush në shtëpi”, ka thënë për anën e keqe të bashkëveprimit me një “një entitet 'të pandjeshëm’ për zgjidhjen e problemeve”.

Roboti në teatër

Në shkurt, teatri “Svanda” në Pragë transmetoi drejtpërdrejt premierën virtuale të shfaqjes “AI: Kur një robot shkruan një shfaqje”. 90 për qind e shfaqjes për një grup gjuhëtarësh që punojnë me ekspertë të kompjuterit dhe teatrit, u shkrua nga një robot.

Edhe këtu, u prezantuan disa kthesa krejtësisht absurde të komplotit, por më pas, algoritmi nxori një deklaratë të fshehtë nga thellësia e “pavetëdijes” së tij, siç e quan Kehlmann. “Do të të tregoj sekretin e aktrimit. Por nuk jam i sigurt se dua këtë”, është thënë aty.

Këto janë vetëm dy nga shumë eksperimentet për shkrime që po gjejnë rrugë duke testuar inteligjencën artificiale.

Mësime nga eksperimentet e të shkruarit me robotë

Kur u krijua “CTRL-ja”, u trajnua pjesërisht me tekst nga platforma e njohur e mediave sociale, “Reddit”. Platforma ka forume diskutimi për pothuajse çdo temë, përfshirë disa që mund të bëhen ofenduese dhe të cilët algoritme të tillë si CTRL mund të “ushqehen” për të riprodhuar gjuhën e urrejtjes. Mbi të gjitha, roboti nuk ka një kuptim të lindur të asaj që njerëzit konsiderojnë të papërshtatshme.

Së dyti, roboti nuk ka asnjë koncept të finesës gjuhësore. Pavarësisht të gjitha të dhënave të përdorura për ta trajnuar atë, roboti nuk mund të ketë intuitë humori ose metaforë. Kjo do të kërkonte njohuri kontekstuale, një katalog të ndjenjave dhe përvojave të ndërtuara me kalimin e kohës.

Atëherë, çfarë mund të bëjnë algoritmet? Ata mund të llogaritin shumë mirë dhe të prodhojnë tekste statistikisht normale. Për shembull, fjala “Unë” në një tekst ka më shumë të ngjarë të pasohet nga fjala “besoj”, siç del edhe te testet e sugjeruara në telefon, për shembull. Por një algoritëm ende lufton për të vendosur fjalë të tilla si “helm” ose “llambë”, shpjegoi Kehlmann.

Kehlmann shton se inteligjenca artificiale nuk ka “qëndrueshmëri narrative”.

Gjuhëtari çek, Rudolf Rosa, i cili ishte pjesë e ekipit prapa shfaqjes së Pragës, e quan atë një “mungesë kujdesi”.

Mungesa e një kthese komploti

Tani për tani, roboti nuk arrin të trajtojë diçka esenciale në tregim: kulmin e tregimit. Ky funksion qendror narrativ kërkon më shumë sesa thjesht bashkimin e fjalëve dhe fjalive së bashku bazuar në probabilitet.

Dhe pastaj vjen domethënia “ekzistenciale” e një teksti, ose ideja abstrakte e “zërit” të një autori.

“Të rrëfesh do të thotë të planifikosh përpara”, ka thënë Kehlmann. “Kjo do të thotë të krijosh një koherencë të brendshme që përshkon të gjitha fjalitë, paragrafët. Kjo është pikërisht ajo që ‘CTRL-ja’ nuk mund ta bëjë, sipas përkufizimit. ‘CTRL-ja’ kërkon kthesën më të lehtë jo të rrëfimit, por gjuhësore.

Eksplorimi i estetikës së vetë inteligjencës artificiale

Liriku dhe studiuesi letrar digjital gjerman, Hannes Bajohr, ka thënë se në vend që të gjykojmë se sa mirë robotët performojnë në aspektin e kompetencave thelbësore njerëzore, mbase ne më mirë duhet të eksplorojmë estetikën e re që ajo prezanton, sugjeron.

Ai është kritik ndaj eksperimentit të Kehlmann me robotin. “Unë mendoj se Kehlmann nuk ka bashkëpunuar me të vërtetë me inteligjencën artificiale, të paktën jo estetikisht”, ka thënë Bajohr. “Nuk i shkon ndërmend që duhet të shkruani literaturë më ndryshe me makinë dhe ndoshta letërsi të ndryshme”.

Bajohr thotë se “CTRL” u përdor si një “mbështetje e Kehlmann” i cili ashtu si vetë autori, ishte i orientuar drejt realizmit letrar.

Në vend të kësaj, Bajohr tregon se potenciali i madh i robotit është për shkrime eksperimentale ose surrealiste. Ai citon Allison Parrish, një poet dhe programues nga New York, i cili u ka lënë algoritmeve të shpikin fjalë të reja midis atyre ekzistuese. Për shembull, “veriu”, “lindja” dhe “perëndimi” u bënë “eaurth” ose “woerth”.

Bajohr mendon se qasjet e pazakonta si këto janë shumë më produktive për punën artistike. “Metaforat ose shakatë – epo, ata nuk janë aq të mirë në këtë. Por, nuk e di nëse kjo është e nevojshme. Është më interesante të shohësh se çfarë mund të bëjnë mirë dhe çfarë lloj letërsie do të dalë nga kjo”.

Përktheu: Salih Mehmeti