Kulturë

Prishtina më 2022 në kërkim përgjigjesh me art e dialog të “Manifestas 14”

Me synimin për ta bërë zërin e komunitetit më të dëgjueshëm brenda ekosistemit artistik, bienalja e njohur “Manifesta 14” të premten në “Kino Armata” ka ravijëzuar disa nga planet për edicionin e saj që vitin e ardhshëm do ta mbajë në Prishtinë (Foto: Atdhe Mulla/ Manifesta 14 Prishtina)
 

Realitetet e reja të pandemisë, bashkë me adresimin e nevojave të komuniteteve të ndryshme të njerëzve të kryeqytetit, do të jenë në fokusin e bienales evropiane nomade “Manifesta 14”. Eventi shëtitës kulturor pritet ta nyjëtojë Prishtinën me kryeqendrat e rajonit në dialogun mes artit dhe komunitetit, në përpjekje për të gjetur përgjigje, ide e zgjidhje për problemet e njëjta. Në procesin e aktiviteteve të “parabienales”, siç u quajt nga ekipi i “Manifestas”, janë përfshirë hapësirat publike në Prishtinë, biblioteka “Hivzi Sulejmani”, Fabrika e Tullave, si dhe kërkimet për vizione afatgjata për gjelbërim

Bota që doli pas Luftës së Ftohtë ishte e tillë që ngrinte gjithfarë pikëpyetjesh. Kur në gjysmën e vendeve të Evropës po trokisnin vizione për të ardhmen, bienalja evropiane e artit bashkëkohor “Manifesta” provoi të jepte përgjigjen e saj nëpërmjet artit për hapat e mëtejmë.

Në ecejaket e saj prej “nomadeje” në dhjetëra qytete të Evropës Perëndimore e asaj Qendrore, “Manifesta 14” zbarkon për të parën herë në hapësirat e Ballkanit Perëndimor. Është bash Prishtina që i bën konak ngjarjes “nomade” të artit bashkëkohor në përpjekje për të zhvilluar ide e dialog mes artit dhe shoqërisë.