Kulturë

Shkolla, mësues e martirë në luftë për shqipen

Descriptive Text

Përpjekja për t’i shkruar gjuhët “vulgare” evropiane kur po perëndonte siprania e latinishtes kishtare mund të jetë pakogjë në krahasim me një histori dramatike të gjuhës së vjetër që flitej prej lashtësive klasike në anët e Ballkanit Perëndimor. Edhe atëherë kur për një gjë të tillë duhej ta fusje “kokën në torbë” mes fermanëve ndalues e torturave të inkuizicionit, megjithatë kishte njerëz që përpiqeshin ta mësonin shqipen në shkolla. Këtë e bënë pasardhësit e popullit të Skënderbeut që mërgoi në Itali qysh më 1592, por këtë e bënë edhe ata që nuk lëvizën nga tokat e tyre. Qysh në fund të shekullit 16, shqipja zuri vend edhe në shkolla të tilla si në Letnicë e Stubëll

Zëri i zvargur i profesorit çehrengrysur arbëresh sikur përcillte besnikërisht trishtimin e mospajtimin për shumëçka të rrënjosur në botën shqiptare të ditëve tona. Ishte vjeshta e 2019-s, kur në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë po mbahej konferenca shkencore “Studimet albanistike në Itali”.

Francesco Altimari, njëri prej filologëve dhe krijuesve më të njohur arbëreshë, ishte si përherë vullneti iluminues që përcillte prurjet më të reja albanologjike në të dyja brigjet shqipfolëse të Adriatikut dhe Jonit.

“Të vazhdohet të festohet dita e 7 marsit, kur një sulltan lejoi të hapej një shkollë në gjuhën tënde, ky është paradoksi më i madh!”, thoshte rëndë e rëndë profesori nga Kozenca në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Ishte bindjeprerë që leja për mësonjëtoren e parë në Korçë ishte veçse një zgjidhje politike e sulltanit, i cili po shtrëngohej gjithnjë e më shumë nga frika se popujt mund të ngriheshin kundër Perandorisë Osmane.

“Por kjo nuk është arsye për të festuar”, ngulmonte Altimari për të shtuar sakaqherë se arsye për një gjë të tillë është koha kur në Horën e Arbëreshëve, Lekë Matrënga hapi një shkollë ku fëmijët e fshatit i mësonte shqip.

“Kjo ndodhi më 1592, kur patëm shkollë tonën, pra disa shekuj më parë”.

Francesco Altimari: “Të vazhdohet të festohet dita e 7 marsit, kur një sulltan lejoi të hapej një shkollë në gjuhën tënde, ky është paradoksi më i madh!”

Përtej njohjes nga filmat

Dhe është afërmendsh që historia e mësimit shqip rrëshqet thellë e më thellë në shekuj, edhe atje ku dokumentet hedhin veçse pak dritë mbi terratinat e të panjohurave. Por fuqia e krijimit të dijes së sterotipizuar nga filmat “Udha e shkronjave” nën regjinë e Vladimir Priftit (1978) dhe “Liri a vdekje” nën regjinë e Kristaq Mitros dhe Ibrahim Muçajt (1979) ishte më siprane sesa kërkimet akademike.

Në fakt, të dy filmat u bëjnë jeh artistik ngjarjeve vërtetësisht historike: i pari ka historinë frymëzuese të elbasanasit Theodor Haxhifilipi (“Dhaskal Todri”, siç u quajt në popull) që i hyri përpjekjes për krijimin e një tipografie për shtypjen e librave në shqip; kurse i dyti mbi përpjekjet e çetave liridashëse në jug të Shqipërisë edhe për përhapjen e mësimit shqip.

Por faktet historike sipërfaqësojnë realitete të tjera: në kohëra kur frynin erëra jo të mbara për zjarrin e arsimit, shkolla shqipe ngre krye edhe në skajet më të thella të Shqipërisë.

“Kolegjet” ku shqipja flitej

Sipas studiuesit Dhimitër S. Shuteriqi, më 1584, kleri katolik kishte hapur një shkollë në formë kolegji (“in forma di collegio”) në fshatin Letnicë të krahinës së Malit të Zi të Shkupit, si dhe një të dytë në fshatin Stubëll të po asaj krahine (sot Komuna e Vitisë).

E megjithatë indikacione për shkolla të tjera shqipe nuk është se mungojnë. Njohësi i realiteteve të arsimit shqiptar, Jashar Rexhepagiqi konsideronte se “është normale, pra, të supozosh se qysh në shekullin XVI në këto vise ka pasur shkolla katolike shqipe” (“Zhvillimi i arësimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në teritorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”, 1970, f. 48).

Por më i sigurt ngjan pohimi që më 1671 në ndërtesën e Andrea Bogdanit, prift i famullisë në Janjevë, ishte themeluar një shkollë në gjuhën shqipe. Në shekullin pasues, më 1782, mësimi i shqipes vërtetohet edhe në Gjakovë, ku si tekst mësimor u përdor katekizmi i bërë nga Gjon Nikollë Kazazi.

Në kohëra kur frynin erëra jo të mbara për zjarrin e arsimit, shkollat shqipe ngrenë krye edhe në skajet më të thella të Shqipërisë

Nga Vithkuqi deri në Janinë

Fundi i viteve 1700. Vithkuqi, në shpatet e bukura të Gramozit, po gëlonte nga hove zhvillimi si qendër lokale. Në kapërcyell të dy shekujve, në vitin 1699, një dokument kronikon se si nxënës vithkuqarë mësynin Himarën, që ishte pesë ditë larg. Ata ndiqnin shkollën himariote, në të cilën mësohej shkrimi i shqipes nga mësues murgj bazilianë të ardhur nga viset arbëreshe të Italisë.

Nga kjo shtresë literati doli edhe Jani Evstrati, i njohur më shpesh si Evstrat Vithkuqi. Si mësues me dije të admirueshme ai dha mësime në Voskopojë, Përmet, Gjirokastër dhe Artë. Në kryeqytetin e asokohshëm të Shqipërisë, Janinë, ai i dha mësime të gjuhës shqipe konsullit britanik William Leak, me të cilin bashkëpunoi në hartimin e një gramatike dhe në përpilimin e një fjalori shqip-anglisht-greqisht.

Sipas studiuesit Myslim Islami, një tjetër “dhaskal” që doli nga Voskopoja e afërt ishte edhe Kostë Cepi që shërbeu në Berat, Vithkuq e Korçë. Fryt i pasioneve të tij të gjalla për shkrimet ishte edhe një doracak didaktik me 174 faqe që përmbante, ndër të tjerash, transkriptimin e shkrimeve shqipe të Kostandin Beratit dhe një fjalor shqip-greqisht.

Më i sigurt ngjan pohimi që më 1671 në ndërtesën e Andrea Bogdanit, prift i famullisë në Janjevë, ishte themeluar një shkollë në gjuhën shqipe. Në shekullin pasues, më 1782, mësimi i shqipes vërtetohet edhe në Gjakovë, ku si tekst mësimor u përdor katekizmi i bërë nga Gjon Nikollë Kazazi

“Të gjitha këto tregojnë se në Shqipëri gjatë shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XIX po krijohej një lëvizje e fuqishme kulturo-arsimore, me përfaqësuesit e saj në Voskopojë, Elbasan, Janinë, Berat, Vithkuq, Korçë, Durrës, Gjirokastër, pa përmendur qendrat e Shqipërisë së Veriut. Në këto qendra disa klerikë bënin punën e dhaskalëve, duke dhënë njohuri historike, pedagogjike nëpër hajatet e kishave duke shkruar kodikë e manuale të mbushura me përkthime në gjuhën e bukur të shqipes”, shkruan Islami në librin e tij “Naum Veqilharxhi: ideologu i parë i Rilindjes Shqiptare” (Rilindja, 1978).

Image
Manastiri i Shën Naumit, Voskopojë. (Burimi: Christopher Zefarovits Collection Vlachopanoramio St. Laitsos)

Patrikana nis “shkishërimin” e shqipes

Bashkë me këto shkëndija që po lajmonin prirjen për shkolla në gjuhën amtare ishin edhe përpjekjet për të bërë të kundërtën. Të cytur nga Patrikana e Stambollit, një prift vlleh nga Voskopoja, Dhanil Voskopojari, në fund të shekullit 18 botoi në Venedik një fjalor katërgjuhësh (greqisht, vllahisht, bullgarisht dhe shqip). Por brenda tij, duke shkelur edhe natyrën filologjike, fjalori kishte edhe thirrjen e çuditshme që shqiptarët, vllahët dhe bullgarët të hiqnin dorë nga gjuhët e tyre “barbare” e të përvetësonin greqishten si “gjuhë e dijes”.

“Shqiptarë, vllehë, bullgarë, folës të gjuhëve të tjera, gëzuashi dhe përgatituni që të gjithë për t’u bërë romejë (grekë), duke lënë gjuhën, zërin dhe doket barbare…”, shkruante prifti vlleh në veprën “Eisagogiki Didaskalia” (Udhëzim hyrës).

“Ndë mos u shkroftë gjuha e shqipes…nuk do të ketë Shqipëri”

Prej gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nëpunës, intelektualë e tregtarë të ndryshëm kishin krijuar një vetëdije për nevojën e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Ekzistenca e një numri gjithnjë e në rritje të shkollave osmane, greke, serbe e bullgare po e vinte në pikëpyetje identitetin e shqiptarëve myslimanë e ortodoksë.

Dhe i shtyrë nga një ndjenjë alarmi, Kostandin Kristoforidhi qysh më 1888 tundte kambanat: “Ndë mos u shkroftë gjuha e shqipes edhe sot mbë këtë ditë nuk do të shkonjë shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut e as nuk do të shënohet më emri i Shqipërisë ndë hartë të botës”.

Bashkë me këto shkëndija që po lajmonin prirjen për shkolla në gjuhën amtare ishin edhe përpjekjet për të bërë të kundërtën

Përpjekja për otomanizimin e shqiptarëve

Pengesë kryesore ishte bërë vetë Perandoria Osmane që, derisa në kuadër të Reformave të Tanzimatit u lejonte subjekteve të saja të krishtera të hapnin shkolla në gjuhët e tyre, shqiptarëve ua mohonte forcërisht këtë të drejtë. Gjithnjë duke ruajtur parimin teokratik islamik, edhe në reformën arsimore të vitit 1844, Porta e Lartë krijoi një kategori të re shkollash shtetërore fillore (ibtidaie), qytetëse (ruzhdije), si dhe gjimnaze (idadije). Me gjuhën osmane në kurrikula, sipas statistikave në vitet e fundit të shekullit 19, në katër vilajetet me shumicë shqiptare ekzistonin gjithsej 1187 shkolla të tilla (prej të cilave 1 125 fillore, 57 shkolla qytetëse dhe 5 të mesme).

Image
Mësimi shqip në vitet ‘60

“Gjuha shqipe do të harrohet për 20 vjet”

Qysh në vitin 1878, intelektuali osman Namik Kemal shqetësohej nga përpjekjet e aktivistëve shqiptarë në kryeqytetin perandorak për shkrimin e shqipes. Në një letër drejtuar mikut të tij Menemenli Rifat, që mban datën 30 gusht 1878 nga ishulli Lezbos, intelektuali 38-vjeçar ishte i prerë që shqipja të mos lejohej të bëhej gjuhë e shkruar.

“Ne nuk mund të universalizojmë gjuhën tonë mes bullgarëve dhe grekëve, por është goxha e mundur ta bëjmë këtë mes myslimanëve si shqiptarët dhe llazët. Kjo mund të jetësohet vetëm përmes zbatimit të strategjive të përshtatshme; është e mundur me hapjen e shkollave”, shkruante Kemal, që ndonëse në antagonizëm me sulltan Abdyl Hamidin u bashkohej politikave të tij.

Perandoria Osmane derisa në kuadër të Reformave të Tanzimatit ua lejonte subjekteve të saja të krishtera të hapnin shkolla në gjuhët e tyre, shqiptarëve ua mohonte forcërisht këtë të drejtë

“Brenda njëzet vjetësh, madje edhe me zbatimin e ligjeve të tanishme të pamjaftueshme arsimore, gjuhë si shqipja dhe llazishtja do të harrohen tërësisht”.

Sipas studiuesit Kamal Soleimani, një pjesë e intelektualëve osmanë të kohës, përfshirë edhe Namik Kemalin, avokonin me zell për një ringjallje të identitetit islamik të Perandorisë Osmane, por edhe mbronin shkatërrimin (“imha”) e identiteteve joturke.

“Përpjekja dhe shpresa e intelektualëve myslimanë osmanë për eliminimin e gjuhëve joturke përbënte prapavijën socio-politike dhe kulturore të ligjërimit islamik hamidist dhe unitetit islamik. Ndikimi i osmanëve të rinj në Abdyl Hamidin është i mirënjohur”, shkruan studiuesi Soleimani në librin e tij “Islam and Competing Nationalisms in the Middle East”

Shkolla greke midis viseve shqiptare

Në këto vite, përhapje në përpjesëtime të gjera morën veçmas shkollat greke. Sipas të dhënave të Konsullatës frënge në Janinë, në vitin 1882, vetëm në Vilajetin e Janinës, ku përfshihej e gjithë Shqipëria e poshtme gjer në Gjirin e Ambrakisë, kishte 643 shkolla greke për djem me 736 mësues, si dhe 22 shkolla për vajza me 40 mësuese.
Pasi merrnin lejen bujare nga autoritetet osmane, hapja e këtyre shkollave bëhej nga mitropolitë ortodokse greke, të cilat në marrëveshje me konsujt grekë në Shqipëri emëronin drejtorët dhe personelin mësimor të këtyre të shkollave. Me mjetet që siguroheshin drejtpërdrejt nga Athina, këto shkolla ishin kthyer në shërbim të propagandës greke për t’i paraqitur shqiptarët ortodoksë si grekë.

Shkollat serbe vërshojnë veriun

Sipas të dhënave historike, historia e arsimit modern në Kosovë fillon me hapjen e shkollave të para laike serbe. Dihet për dy shkolla fillore, që me leje të autoriteteve osmane u hapën më 1836 në Prizren, kurse një dekadë më vonë, të tilla do të hapeshin edhe në Gjakovë, Graçanicë, Pejë dhe Vushtrri.

Sipas albanologut të ndjerë Robert Elsie, këto shkolla “ia dhanë komunitetit serb një epërsi të dallueshme arsimore dhe kulturore kundrejt fqinjëve të tyre shqiptarë”.

Si zenit i avancimit kulturor serb në Kosovë do të konsiderohej hapja më 1870 e Seminarit Ortodoks të Prizrenit nga Sima Andrejeviq-Igumanov.

Sipas një të dhëne të kohës, në Vilajetin e Kosovës më 1878 ekzistonin 101 shkolla serbe. Në Graçanicë, ku ekzistonte legalisht një shtypshkronjë, më 1884 u shtyp libri i parë i leximit për shkollat serbe e një vit më vonë edhe abetarja e parë. Në anën tjetër, shkollat e para shtetërore turke, si edhe gjetkë, ishin hapur në dekadën e tretë të shekullit XIX.

“Ndonëse me ndonjë pengesë të herëpashershme nga autoritetet turke, shkollat serbe në Kosovë, me arsimimin në ‘shpirtin kombëtar’, forcuan ndjenjat kombëtare mes serbëve të Kosovës”, shkruan studiuesja Denisa Kostovicova.

Historia e arsimit modern në Kosovë fillon me hapjen e shkollave të para laike serbe

Mësonjëtorja që sfidoi një perandori

Ngulmimi i qarqeve patriotike shqiptare në Stamboll arriti më 1885 t’ia shkëpusë sulltanit lejen për hapjen e një shkolle private shqipe për djem në Korçë.

Me dy vjet vonesë mes pengesave të gjithfarshme, përfshirë edhe nga Patrikana e Stambollit, mësonjëtorja e parë shqipe u vendos në shtëpinë e dhuruar nga atdhetari Mandi Tërpo në Korçë.

Me drejtor të parë Pandeli Sotirin e më pas Petro Nini Luarasin e Thanas Sinën, kjo mësonjëtore u prit me entuziazmin e madh të popullatës shqipe. Ajo nuk financohej nga asnjë shtet apo shoqëri e huaj, por vetëm me kontributet e atdhetarëve me vullnet të mirë në mërgim.

Në një letër të Thimi Mitkos, që e dërgonte nga Korça në Bukuresht më 1887, shkruhej: “Sot nuk ka vend të Shqipërisë që të mos ndodhen burra shqiptarë, në fyejt e të cilëve të mos lëvrinjë gjak shqiptari dhe të cilës të mos përpiqen për këtë të shenjtëruar punë. Nga të gjitha anët e Shqipërisë marrim karta hiri dhe gëzimi për shkollën që hapmë…”.

Por, në rrethanat e një vale represioni të autoriteteve osmane, shkolla do të mbyllej më 1902, duke i pasur vetëm 15 vjet funksionimi. Gjatë këtij aksioni, pos arrestimit të drejtorit Nuçi Naçi, i cili u burgos në Manastir, u bë edhe konfiskimi i bibliotekës së shkollës, teksteve shkollore dhe mjeteve të tjera. Viktimë e përndjekjeve u bë edhe drejtori i parë i shkollës shqipe, Pandeli Sotiri, i cili më 1891 u vra në Stamboll. Edhe Petro Nini Luarasi do të vdiste i helmuar më 17 gusht 1911, pas persekutimeve të gjata të xhonturqve dhe Patrikanës së Stambollit.

Kurse në Vilajetin e Kosovës e para shkollë u hap më 1889 në Prizren nën patronazhin e austro-hungarezëve. Për vite më radhë aty punoi si mësues i gjuhës shqipe shkodrani Mati Logoreci, që bëri përpjekje për përhapjen e mësimit tek popullata e gjerë prizrenase. Me gjithë kërcënimet e autoriteteve lokale osmane, shkollës iu bashkuan edhe nxënës myslimanë, ndërkohë që filloi të punonte si mësues edhe Lazër Lumezi. Nën mbrojtjen e perandorisë duale, gjuha shqipe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit 19 u përfshi edhe në 24 shkolla fillore që administroheshin nga austriakët në Shqipëri.

Image
Mësonjëtorja e Korçës e hapur më 7 mars të vitit 1887, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit