Kulturë

Adem Jashari dhe heronjtë e Prekazit si ndërgjegje e themele të çlirimit

Adem Jashari dhe heronjtë e Prekazit si ndërgjegje e themele të çlirimit
Në dy katet e Bibliotekës, udhëtimi nëpërmjet faqeve të gazetave të kohës, si “Bujku”, “Koha Ditore”, “Bota Sot” e një duzinë revistash të tjera, nuk është veç rikthim në kohë

Prishtinë, 5 mars – Afete (e vdekur), Hidajete (e vdekur), Lirije (e vdekur), Shqipe (e gjallë), Besim (i vdekur), Kushtrim (i vdekur), Igball (i vdekur), mysafir (i gjallë), Marigona (e gjallë), Fatime (e vdekur), Igballe (e vdekur), Besarta (e gjallë), Selvete (e vdekur), Blerina (e vdekur), Ilire (e gjallë), Fazli (i gjallë), Valdete (e vdekur), Blerim (i vdekur).

 

Nëpërmjet artikuj gazetash e revistash të shpalosura në ekspozitën “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, Epopeja e UÇK-së lexohet me një ndjesim të ri. Nuk është vetëm rikthim në kohë me Mnemosinën shoqëruar dhe as rigjetje e vetes sonë, por një vramendje e thellë ndërgjegjësore për themelet e realiteteve të Kosovës: për çlirimin e vendit nga pushtimi serb, për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, për prospektet e të ardhmes. Nuk është nevoja të merren përkufizime heronjsh nga Carlyle apo Campbell. Heronjtë e Prekazit nuk vijnë nga realitete tejnjerëzore apo letrare, por nga rëndomtësia e jetës sonë. Nga kjo tejqyrë e shohim Hamzën si njeri me shije të hollë për artin, që shkruante e vizatonte bukur e ia thoshte këngës e valles

Prishtinë, 5 mars – Afete (e vdekur), Hidajete (e vdekur), Lirije (e vdekur), Shqipe (e gjallë), Besim (i vdekur), Kushtrim (i vdekur), Igball (i vdekur), mysafir (i gjallë), Marigona (e gjallë), Fatime (e vdekur), Igballe (e vdekur), Besarta (e gjallë), Selvete (e vdekur), Blerina (e vdekur), Ilire (e gjallë), Fazli (i gjallë), Valdete (e vdekur), Blerim (i vdekur).

Kjo është diçitura për tetëmbëdhjetë fëmijë brenda një fotografie të viteve ’90, që ka përjetësuar buzëqeshje të dëlira vocërrakësh, fytyra të habitura e sy kureshtarë. Dymbëdhjetë prej tyre sot mund të ishin mjekë, mësues, sportistë… sikur jeta e re të mos asgjësohej bash atëherë kur kishte sythuar. Ata ishin vetëm disa nga të rënët e familjes Jashari që u vunë në qerthullin e zjarrit me tanke, makineri të motorizuar dhe helikopterë.