Kulturë

Pasurimi me libra – sfidë për bibliotekat, Ministria shpërndan fondin me 210 tituj

Descriptive Text

Prishtinë, 3 mars – Pasurimi me tituj të rinj mbetet sfidë e vazhdueshme e bibliotekave në mënyrë që t’i plotësojnë kërkesat e lexuesve, por edhe të tërheqin anëtarë të rinj. Blerjen e shpërndarjen e librave, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka vite që e “përkthen” si qasje për t’i ndihmuar institucionet bibliotekare të vendit, por nuk është se ka ndonjë politikë të caktuar a matje të efekteve pozitive që sjell një gjë e tillë. Drejtuesit e bibliotekave e kanë vlerësuar këtë kontribut të MKRS-së, por gjithashtu kanë theksuar se përzgjedhja e titujve duhet të akordohet me kërkesën që kanë lexuesit.

Të mërkurën, me ceremoni, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, MKRS-ja ka shpërndarë nga një ekzemplar të 210 titujve për 37 biblioteka të Kosovës, sikurse edhe ato të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Titujt janë blerë me konkursin e vjetëm.

Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, Mynish Hyseni, ka thënë se çdo ndihmë është e mirëseardhur.

“Gjendja e bibliotekave të qyteteve të Kosovës është e rëndë, prandaj ne i gëzohemi çdo dhurimi të librit që bëhet edhe nga Ministria e Kulturës, por edhe nga kushdo qoftë”, ka theksuar ai. Ka sugjeruar që edhe Ministria, por edhe shtëpitë botuese të konsultohen me bibliotekat komunale, që ta kuptojnë se çfarë kërkohet dhe lexohet. Ka shtuar se këtë nuk e thotë për të ndërhyrë në politikat botuese të librit, por si drejtues i një biblioteke që në kushte normale ka rreth 8 mijë lexues.

“Kthehuni te bibliotekat komunale që të shihni se çfarë kërkohet dhe çfarë lexohet. Kjo ka kuptim të mirë, sepse Ministria kur i financon do ta ketë një pasqyrë se çfarë kërkohet dhe ne do të ishim më të mirë dhe më të pasur në kuptimin e plotësimit të kërkesave”, ka thënë ai.

E drejtoresha e bibliotekës “Azem Shkreli” në Pejë, Shengyl Kelmendi–Gashi, ka thënë se dhurimi i librave nga MKRS-ja është shumë i rëndësishëm për bibliotekat komunale.

“MKRS-ja e ka bërë dhurimin e librave si traditë me vend për portën e dijes – bibliotekën, pasi nëpër biblioteka ka kërkesa të larta për tituj të rinj të librave nga anëtarët dhe krijimtaria asnjëherë nuk ndalet. E ky donacion i dhënë nga MKRS-ja është i mirëseardhur për bibliotekat komunale, që ndikon dukshëm në rritjen e rolit kyç të zhvillimit të demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe social, të mësuarit gjatë gjithë kohës dhe diversitetit kulturor e gjuhësor. Ndaj, pasurimi i librit në bibliotekë është nevojë primare, e pashmangshme dhe tepër e nevojshme për udhën e dijes në bibliotekën e qytetit të Pejës”, ka thënë ajo.

Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë nga përvoja se sa i vështirë është furnizimi me libra i bibliotekave nëpër komuna. Ka kujtuar kohën sa ishte drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës.

“Komunat kanë shumë probleme, e sidomos në Departamentin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe hallka më e dobët ka qenë furnizimi dhe hapja e bibliotekave, shpërndarja e librit nëpër shkolla dhe biblioteka komunale. Duke e pasur parasysh këtë fakt, ne si Ministri, në kuadër të programit, e përkrahim botimin e librit, i blejmë librat e rinj të botuar nga shtëpitë botuese dhe ua shpërndajmë bibliotekave titujt e rinj, që ato ta pasurojnë fondin e tyre bibliotekar”, ka thënë ajo.

Ka theksuar se MKRS-ja, me politikat e saja për disa vjet, ka fuqizuar dhe ka ndjekur një rrugë të shpërndarjes së librave si dhe ka theksuar se edhe kryetarët e komunave duhet të jenë më koshientë që përmes subvencioneve ose pjesëve programore ta sigurojnë një buxhet për bibliotekat.

“Ne sivjet kemi rritur edhe buxhetin dhe mbështetja ka qenë mjaft e madhe. Kemi edhe trupën profesionale, e cila e bën përzgjedhjen e titujve, por drejtorin, i cili vjen me një përvojë të librit si drejtues i ‘Hivzi Sylejmanit’ për shumë vite, e kuptoj atë që na e sugjeroi”, ka thënë Domoshi, teksa i është drejtuar drejtorit Munishi.

“Kemi arritur të bëjmë marrëveshje si Ministri me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe ideja e këtij memorandumi është që me drejtorët e komunave të jemi sa më afër dhe kërkesat e tyre të vijnë drejtpërdrejt te Ministria”, ka thënë ajo. Ka shtuar se në këtë mënyrë drejtorët e komunave do të mund t’i adresojnë më lehtë kërkesat e tyre.

Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS, ka bërë të ditur se do të shihen mundësitë për mbështetje më të madhe.

“Departamenti i Kulturës, si çdo vit, do të vazhdojë edhe më tutje me përkrahjen e bibliotekave komunale me tituj të rinj, duke e marrë parasysh se bibliotekat komunale në Kosovë, ashtu si edhe shumica e institucioneve kulturore komunale, kanë vështirësi në furnizimin e tyre, andaj ne e kemi parasysh që si institucion që e mbulon kulturën në të gjithë vendin të ofrojmë mbështetje dhe përkrahje për këto institucione komunale”, ka thënë ajo. Shyti theksoi se MKRS-ja do të vazhdojë me politikat e saj për mbështetje të librit dhe do ta rrisë buxhetin edhe vitin e ardhshëm.

MKRS-ja vitin e kaluar kishte mbështetur botimin e 78 veprave në vlerë prej 59 mijë 400 euro, si dhe për blerjen e librave kishte ndarë 49 mijë e 832 euro. Shuma që gjithsej MKRS-ja kishte ndarë për botimin e librave të rinj dhe blerjen e botimeve nga botuesit arrin në 109 mijë 232 euro.

Nga fondi i librave të blerë vitin e kaluar, MKRS-ja në ceremoni ka ndarë për bibliotekat rreth 9 mijë libra. Secilës bibliotekë i është dhuruar një pako me 210 tituj, me vetëm nga një ekzemplar. E, për këtë vit, MKRS-ja ka bërë të ditur se ka ndarë 160 mijë euro për botimin e librave të rinj dhe blerjen e botimeve nga botuesit. Konkursi i sivjetmë për botim dhe blerje të botimeve ka qenë i hapur deri në ditën e parë të këtij muaji.