“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë përkeqësuar thekshëm duke pasuar sulmin kufitar në prill, incidenti i fundit gjatë tre vjetëve të lidhjeve të tendosura. Greqia ka ngritur akuza për ‘shtypjen’ që shqiptarët po bëjnë ndaj pakicës etnike greke, ndërkaq Tirana druan se Athina ka mëtime në viset minoritare greke në jug të Shqipërisë”, shkruante CIA në qershorin e 1994-s
Viti 1994 do të sillte një shtrëngatë të vërtetë në marrëdhëniet shqiptaro-greke në kontekstin e pas rrëzimit të komunizmit. Ndonëse qielli i këtyre marrëdhënieve nuk kishte qenë asnjëherë bunacë, viti 1994 do të sillte më ashpër se kurrë antagonizmin që kishte metastazuar brenda pak vitesh. Rivendikimi grek mbi jugun e vendit tonë, shoqëruar edhe me diplomacinë intrasigjente të Athinës, po e kthente projektorin tek çështja e pakicës greke duke i dhënë një përmasë ndërkombëtare kontestit që po shkiste drejt një krize të pashmangshme. Ishte i vërtetë mëtimi i Athinës për keqtrajtim të minoritarëve? A po detyroheshin ata të shpërnguleshin si pasojë e një plani të mirëmenduar pan-shqiptar? Si do të priteshin këto zhvillime nga Bashkimi Evropian? Përgjigjja e këtyre pyetjeve, si dhe një analizë që tejkalon nivelin e një raportimi rutinor shërbimesh sekrete gjendet në një dokument tetëfaqësh i CIA-s amerikane, i klasifikuar për dy dhjetëvjeçarë si konfidencial. Më poshtë është raporti i plotë.
Memorandum i Inteligjencës
Zyra për Analiza Evropiane
30 qershor 1994
Pakica greke në Shqipëri – një mundësi për trazira
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë përkeqësuar thekshëm duke pasuar sulmin kufitar në prill, incidenti i fundit gjatë tre vjetëve të lidhjeve të tendosura. Greqia ka ngritur akuza për “shtypjen” që shqiptarët po bëjnë ndaj pakicës etnike greke, ndërkaq Tirana druan se Athina ka mëtime në viset minoritare greke në jug të Shqipërisë.
Mëtimet greke se Tirana është duke i dhunuar sistematikisht të drejtat e pakicës së saj greke me qëllim të zbimit të tyre nga Shqipëria duket se nuk kanë mbështetje. Zyrtarët e CSCE-së raportojnë se të drejtat që Shqipëria i ka dhënë pakicës greke përkojnë me udhëzimet e CSCE-së.
Disa ankesa për trajtimin që Tirana po i bën pakicës greke janë legjitime. Kryetari i Shqipërisë, Berisha, ka dhënë shenja se, megjithatë, ai do të përqendrohet në legjislacion për të siguruar të drejtat etnike dhe për të përmirësuar komunikimin e Qeverisë së tij me pakicën. Frika e Shqipërisë nga irredentizmi grek është ushqyer kryesisht nga dështimi i Athinës për të kontrolluar nacionalistët që orvaten të nxisin pakicën greke. Kjo ka kreshpëruar dyshimet e shqiptarëve se organizimi kryesor politik i grekëve etnikë në Shqipëri manipulohet nga Greqia.
Një krizë e ndërsjellë për çështjen e pakicës që përftuan represaljet greke mund të lëkundë qeverinë pro-amerikane të Tiranës në dobi të ish-komunistëve dhe mund të ketë pasoja rajonale.
Qeveria greke e Papandreut e shikon çështjen e pakicës greke në Shqipëri si çështjen potencialisht më shpërthyese në politikën greke. Pajtimi duket i pashpresë pa mbështetjen e Perëndimit për të kapërcyer keqinformimin dhe dyshimet e rrënjosura tek të dyja palët.
Tensionet po rriten
Tensioni ka qenë një veçori e zakontë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në vitet e fundit. Verën e kaluar, bie fjala, Athina ka përzënë 25 mijë deri në 30 mijë punëtorë shqiptarë pa leje, pasi Tirana kishte dëbuar një klerik grek për arsye të shpërndarjes së literaturës irredentiste.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë së fundmi kanë marrë një kthesë për të keq pas incidentit kufitar më 10 prill, gjatë të cilit dy oficerë ushtarakë shqiptarë u vranë. Sulmi – i cili pasoi një zbutje të shkurtër në marrëdhëniet prejse kryeministri grek, Papandreu u kthye në pushtet – cyti akuza të reja të shqiptarëve për irredentizmin grek dhe ankesat greke për keqtrajtimin e pakicës etnike greke. Autoritetet shqiptare thonë se sulmuesit kapërcyen kufirin grek. Një organizim jo fort i njohur, Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut mori përgjegjësinë për sulmin, sipas njoftimeve të shtypit grek. Kryetari shqiptar, Berisha, fajësoi hapur Qeverinë greke për ndihmë ndaj dorasëve, por Athina i ka rënë mohit për ndonjë përfshirje. Veprimi i mëpastajmë i Tiranës, ku arrestoi gjashtë drejtues grekë me akuzat për promovimin e ndarjes greke dhe lidhjet e tyre me shërbimin inteligjent grek ka ashpërsuar edhe më tensionet. Berisha ka siguruar se gjykimet ndaj gjashtë grekëve, katër prej të cilëve mbanin poste të larta në Omonia, organizimi më i madh politik i grekëve në Shqipëri – do të jetë publik dhe dëshmitë do të jenë të qasshme edhe për hetime ndërkombëtare. Qeveria greke – që shprehet e befasuar me akuzat e para të Berishës për përfshirjen zyrtare greke – ka akuzuar Tiranën për persekutimin e pakicës greke. Athina për të dytën herën ka hequr dorë nga takimet dypalëshe të parapara për ngrohjen e marrëdhënieve, ka bllokuar ndihmën e BE-së për Shqipërinë dhe nismoi protesta para organizatave ndërkombëtare. Nën kriticizmin e brendshëm për veprime të qullëta, Qeveria greke ka shtuar gjithashtu trysninë diplomatike ndaj Shqipërisë dhe ka diskutuar haptas mbylljen e kufirit ose depërtimin e shqiptarëve pa leje. Hetimi policor i incidentit kufitar nguci një luftë të mëtejshme fjalësh pas marrjes në pyetje të rreth tridhjetë dëshmitarëve grekë në fund të majit. Athina e fajësoi Tiranën për dallgëzimin e një vale të re arrestimesh me qëllim të shpërnguljes së grekëve nga Shqipëria. Berisha u ka thënë gazetarëve se ai ishte i përgatitur të vizitonte Athinën për bisedime me kryeministrin Panandreu, nëse do të ftohej.
Statusi i pakicës greke
Ne nuk kemi asnjë dëshmi se Tirana po ndjek një politikë të frikësimit sistematik të pakicës së saj greke ose se po bën përpjekje për të përzënë grekët nga vendi. Në të vërtetë, sikundër shihet nga të dhënat që kemi ne, akuzat e Athinës për cenimin e të drejtave të njeriut nga Tirana janë më të skajshme sesa ankesat e bëra nga pakica greke në Shqipëri. Komisionari i lartë i CSCE-së për pakicat, Maks Van der Stoel vizitoi Shqipërinë dy herë gjatë vitit të kaluar dhe erdhi në përfundim se trajtimi i pakicës etnike greke është në përputhje me udhëzimet e CSCE-së. Van der Stoel ka hetuar personalisht shumë akuza greke dhe më vonë i ka thënë Athinës se ato janë të pathemelta. Mundësitë më të mira ekonomike në Shqipërinë Jugore po e trimërojnë migrimin nga veriu në jug, por nuk ka kurrfarë shenje të ndonjë programi qeveritar për të vendosur shqiptarë në vendbanimet greke. Tirana po i vendos disa familje nga veriu i varfër i vendit në disa pjesë të tokës ose në ferma të shtetit. Këto toka janë kryesisht në Shqipërinë Qendrore dhe viset minoritare do të jenë krejt të paprekura. Shumica e grekëve udhëtojnë në Greqi për të ndjekur mundësitë ekonomike më shumë sesa të ikin nga diskriminimi. Zënkat e tashme mes Tiranës dhe Athinës, sidoqoftë, po krijojnë frikë tek grekët se Qeveria shqiptare mund të fillojë trysninë ndaj tyre.
Omonia: një kolonë e pestë greke?
Thyerja në marrëdhëniet me Greqinë ka shtuar dyshimet e Tiranës për lidhjet mes Omonias dhe Athinës. E themeluar në vitin 1991 me përkrahjen dhe paratë e organizatave të ndryshme greke, Omonia mban lidhje me organizata të ndryshme greke që kërkojnë faqe botës bashkimin e “Epirit të Veriut” me Greqinë. Drejtuesit e Omonias udhëtojnë shpesh në Greqi dhe janë pritur zyrtarisht në Athinë. Ani pse shumica e drejtuesve të Omonias janë të përmbajtur dhe dëshirojnë të punojnë brenda sistemit shqiptar, disa – përfshirë edhe gjashtë grekët e arrestuar në prill – bëjnë thirrje të hapura për bashkimin e jugut të Shqipërisë me Greqinë. Shumë të tjerë të arrestuar duken se kanë kryer veprime irredentiste. Drejtuesit e Omonias po orvaten që të fshehin lidhjet e tyre me Greqinë, dhe në një konferencë së fundmi ata thanë se janë të pavarur nga forcat e “jashtme” dhe besnike ndaj Qeverisë shqiptare.
Disa ankesa të grekëve etnikë ndaj Tiranës janë legjitime, veçanërisht ato që ndërlidhen me arsimin dhe nënpërfaqësimin e grekëve në polici dhe ushtri. Grekët kanë pasur ankesa edhe për kundërshtimin e Qeverisë për t’u kthyer pjesë të mëdha të pronave të cilat kanë qenë të Kishës Ortodokse. Disa ankesa – të tilla si mungesa e kontrollit mbi vendimet e arsimit dhe politikën lokale – vijnë prej qendërzimit të fuqisë administrative që pasoi humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e korrikut të vitit 1992.
Niveli i punësimit publik: Edhe pse nuk ka të dhëna të besueshme, mbështetur në regjistrimin e votuesve në mars të vitit 1992, grekët etnikë janë pakica më e madhe në Shqipëri dhe me gjasë përbëjnë rreth 3 deri në 5 për qind të popullatës, ose 100 mijë deri në 150 mijë veta. Thuajse gjysma e këtij komuniteti tani punon në Greqi. Numri i pakicës greke në Shqipëri është një burim ngatërresash mes Tiranës dhe Athinës. Autoritetet shqiptare thonë se janë afërsisht rreth 60 - 80 mijë grekë në Shqipëri, kurse Athina mëton se janë diku mes 300 mijë deri në 500 mijë grekë. Vlerësimet greke zakonisht përfshijnë të gjithë besimtarët ortodoksë, paçka se grekët përbëjnë vetëm 15 për qind të popullatës ortodokse në Shqipëri. Edhe pse grekët mbajnë dy poste në kabinet dhe drejtimin e Sarandës dhe Gjirokastrës, është vetëm një prani sa për të thënë në polici dhe ushtri dhe praktikisht asnjë grek në pozitë autoriteti.
Përderisa nënpërfaqësimi grek është deri diku për shkak të hakmarrjeve të gjera ndaj ish-komunistëve në vitin 1992, kjo mbase pasqyron një mosbesim të përgjithshëm të grekëve nga shërbimet e fshehta.
Qasja në shkollimin në gjuhën greke: Grekëve etnikë jashtë “zonave minoritare” u mohohet financimi qeveritar për shkollimin në gjuhën greke. Përveç kësaj, klasat në gjuhën greke ofrohen vetëm për një përqindje në ditën e shkollës, varësisht nga shkalla. Një ligj i shumëvonuar mbi arsimin pritet të heqë zonat minoritare dhe zëvendësojë me një sistem që lejon financimin e klasave në gjuhën greke kur ka numër të mjaftueshëm të studentëve. Ky legjislacion, sidoqoftë, nuk pritet të jetë i gatshëm për të gjitha klasat.
Autoritetet shqiptare po planifikojnë të lëshojnë rregullime të brendshme me përqindje më të lëvizshme dhe të heqin “zonat minoritare” gjatë vitit të ri shkollor.
Janë rreth 73 shkolla fillore që ofrojnë shkollim në gjuhën greke në Shqipëri. Krahas kësaj, janë dy shkolla të larta në gjuhën greke dhe një program universitar për trajnimin e instruktorëve të gjuhës greke.
Kthimi i pronave të Kishës. Shumë prej ngrehinave të Kishës Ortodokse Shqiptare i janë kthyer Kishës dhe veprojnë lirshëm. Toka përqark, sidoqoftë, është subjekt i ligjit për tokën, që lejon kthimin e sall 5 hektarëve për një individ të vetëm ose entitet. Pronarët e dikurshëm pranojnë dëmshpërblime monetare për tokën në të njëjtën vlerë. Po ashtu, disa prona të mëparshme të tokave të Kishës janë të banuara dendësisht.
Ligji i Kthimit vlen po ashtu edhe për pronat që u përkasin bashkësive fetare katolike apo myslimane.
Kalimi i një legjislacioni të veçantë për pronat kishtare do të çonte me siguri drejt një vërsuljeje politike ndaj Qeverisë shqiptare nga pronarët e mëdhenj të dikurshëm.
Përgatiti: Salih Mehmeti. Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Se si viset në jug të Shqipërisë – të quajtura Epiri i Veriut nga grekët – kanë qenë për dhjetëvjeçarë të tërë burim tendosjesh midis dy vendeve? Se si CIA alarmonte se nëse Athina dhe Tirana nuk arrijnë të vendosin marrëdhëniet në lartësinë e duhur, popullata etnike greke në Shqipëri mund të bëhet pikë kyç e një krize serioze dhe destabilizuese mes dy vendeve?