Kulturë

Paul McCartney në autoportret me 154 këngë

Paul McCartney në autoportret me 154 këngë
“The Lyrics” nga Paul McCartney (Foto: Penguin Random House)
 

Do të jetë “një autobiografi” e Paul McCartneyt si “asnjëherë më parë”. Ish-anëtari i “Beatles” do të publikojë “The Lyrics”, një zhytje e thellë në jetën e tij bazuar në bisedat që ka pasur me poetin Paul Muldoon. “The Lyrics”, me dy vëllime në mbi 900 faqe, “një autoportret në 154 këngë”, do të lansohet më 2 nëntor. Do të jetë “më shumë një kaleidoskop sesa një rrjedhje kronologjike” e jetës së McCartneyt, ka paralajmëruar botuesi Allen Lane, dhe do t’i përfshijë kompozimet e hershme në djalëri – ai shkroi këngën e tij të parë kur ishte 14 vjeç – deri te katalogu për “Beatles”, te “Wings”, solo-albumi, për të arritur te jeta e tanishme. Libri do t’i mbulojë “rrethanat në të cilat ato janë shkruar, njerëzit dhe vendet që u bënë si inspirim, dhe çfarë McCartney mendonte atëherë e çfarë mendon tash”.

McCartney ka thënë: “Më shpesh sesa që mund të jem në dijeni, më kanë pyetur nëse mund ta shkruaj një autobiografi, por asnjëherë nuk ka qenë koha e duhur. E vetmja gjë që ia kam dalë të bëj, si në shtëpi ashtu edhe gjatë rrugës, ishte të shkruaja këngë të reja”.