Fuqia e artit si kundërpërgjigje ndaj gjendjes si kjo me pandeminë është dëshmuar fort jo vetëm me veprat muzikore, por edhe me qasjen e Filharmonisë së Kosovës që të hapë shtigje të reja. Ndër to është edhe prezantimi i Ansamblit Vokal – i cili përveçqë u përgjigjet organizimeve në rrethana masash për mbrojtje nga koronavirusi – nxjerr në pah potencialin e zërave të këtij institucioni. Testi i parë ka qenë në Shkup me koncertin që e ka çuar publikun nëpër një qasje bashkëkohore jo vetëm nëpërmjet veprave të përzgjedhura
Shkup, 25 shkurt – Pandemia i ka dhënë tjetër format jetës. Ndikimi i koronavirusit ka bërë që organizimet ditore të jenë ndryshe. Sidomos në hapësirat që frekuentohen nga një numër i madh i njerëzve. Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës numërojnë mbi 100 veta. Në kushte ideale, prej marsit të vitit të kaluar – kur koronavirusi arriti në këto anë – këto formacione të Filharmonisë nuk është dashur të jenë së bashku në skenë, sidomos në hapësira të ngushta, siç është ajo ku punonjësit e këtij institucioni mbajnë provat. E organizimi në grupe më të vogla ka krijuar edhe mundësi të reja. Institucioni mund t’i sfidojë kapacitetet duke riformuar formacione brenda vetes. Ansambli Vokal i Filarmonisë së Kosovës është një grupim prej 16 koristësh. Okteti i dyfishtë në përbërje të 8 grave dhe po aq burrave, të mërkurën mbrëma është “testuar” suksesshëm në Shkup. Në sallën kamertale të Filarmonisë së Shkupit, përballë një publiku prej rreth 100 vetash, nën dirigjim të Hajrullah Sylës, gjashtëmbëdhjetëshja ka shëtitur nëpër një numër veprash e stilesh muzikore. Ka nisur me “Exsulate Deo” të Alessandro Scarlatit dhe “Veni creator Spitritus” të Anthony Bernaduccit. Në të dytën, pjesë e ansamblit është bërë edhe Patris Berisha, duke luajtur në perkusione. Më pas minikorit i është bashkuar Antonio Gashi në violonçel. Shpalosja e repertorit ka nxjerrë në pah potencialin e lojës në formacione më të vogla, ku hapësira për eksperimentim dhe krijim të interpretimeve më bashkëkohore është më e madhe. Një tjetër përparësi është mundësia që anëtarët e Ansamblit të shpalosin potencialin e tyre vokal shkaku i numrit të vogël të koristëve, duke bërë që të dëgjohen mirë zëri dhe loja vokale. Veprat si “Oeia” e Mendi Mengjiqit dhe “Water Night” e Eric Whitacre kanë qenë po ashtu pjesë e “menysë”.
Sasho Tatarchevski është profesor në Fakultetin e Muzikës në Shkup e po ashtu edhe dirigjent koresh. Nuk i kishte rënë më herët që të dëgjonte ndonjë interpretim të Korit të Filharmonisë së Kosovës e as ndonjë grupi të anëtarëve të tij. Pas koncertit të së mërkurës këtë fat e ka përshkruar si fatkeqësi.
“Vërtet dua të them se jam i befasuar për të mirë”, ka thënë ai prerazi. Ka treguar se ka parë shumë potencial midis zërave që kanë performuar.

“Hajrullahu ka bërë punë shumë të mirë duke e përgatitur këtë interpretim. Ishte program i gjatë dhe i vështirë”, ka thënë Tatarchevski, duke shkruar se bëhet fjalë për një rezultat shumë të mirë. Sipas tij, gjithmonë ka hapësirë për më mirë.
“Por në përgjithësi ishte një punë shumë e mirë”, ka thënë ai.
Në programin e përgatitur për koncertin rreth njëorësh është menduar që publiku të mbahet kureshtar. Bile veprat me frymë më bashkëkohore janë ruajtur në fund të koncertit duke e rritur interaktivitetin me publikun. “Water Fountain” e Nathaniel Brenner dhe Merrill Garbus është prej atyre që i ka dhënë “flakë” vëmendjes së të pranishmëve. Për këtë vepër ansamblit i janë bashkuar edhe Patris Berisha në perkusione dhe Astrit Stafai në kitarë. Me eho kapërcimesh vokale dhe duartrokitjet që janë pjesë e veprës, sallës i është dhënë atmosferë tejet bashkëkohore. E mundësia që të lëvizet në stile brenda një koncerti ka treguar për përgatitjen e koristëve.
“Kori ka interpretuar në formacione më të vogla por jo si sonte, ta mbajë një koncert në këtë format. Programi ishte një zgjedhje e disa veprave bashkëkohore që janë interesante për publikun dhe e mbajnë atë aktiv e të jetë i interesuar se çfarë po ndodh tutje”, ka thënë dirigjenti Hajrullah Syla. Sipas tij, ideja ka qenë që të jetë një program të cilin e shijon publiku dhe krijon ndjesinë e një koncerti më ndryshe.
“Kur është një numër i vogël i njerëzve, shumë më shpejt arrihet suksesi. Mendoj që këto formacione duhet të vazhdojnë të jenë para publikut”, ka thënë ai.
E drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se ky oktet i dyfishtë ishte diçka më e veçantë edhe në aspektin programor e edhe në perspektivë. Ka treguar se në të ardhmen këto prezantime nuk do të jenë të rastësishme.
“Situata me pandeminë ka ndikuar që t’iu rrekemi projekteve me numër më të vogël të performuesve në skenë dhe kjo është pozitive në kuptimin e ngritjes së cilësisë”, ka thënë ai. Sipas Jasharit, në raste të tilla edhe literatura merr tjetër kah dhe tjetër zhvillim.
“Mendoj se kjo premierë është një udhërrëfyes i qartë i angazhimeve të ansambleve brenda Filharmonisë. Ne kemi kapacitete për formacione më të vogla kamertale si sonte”, ka thënë ai. Por eksperimentimi me potencialin e brendshëm, formate të tilla, sikurse ai i koncertit që pas Shkupit do të jepet të shtunën edhe në Prishtinë, e bëjnë Filharmoninë të frymojë më ndryshe, të jetë e pranishme edhe në rryma bashkëkohore, duke hapur tjetër kapitull dhe po ashtu duke krijuar mundësinë e përfaqësimit të vendit në organizime të ndryshme.
