Prishtinë, 25 shkurt – “Një mrekulli, e arritur e mahnitshme dhe një botë ndryshe nga gjithçka tjetër që lexon”, kishte shkruar vite më parë shkrimtarja serbo-amerikane Téa Obreht. Vlerësimin kritik në rubrikën e recensioneve në prestigjiozen “The New York Times” po e bënte për shkrimtarin me prejardhje nga Kosova, Pajtim Statovci, që kishte botuar romanin e tij të parë “My Cat Yugoslavia”.
Të enjten shkrimtari 30-vjeçar nga Finlanda ka bërë me dije se romani i tij “Bolla” ka nisur rrugën e nominimit për çmimin letrar të Këshillit Nordik.
Lajmin e ka bashkëndarë për miqtë në llogarinë e tij në Facebook, duke bërë me dije se ai është vetëm një nga 14 pretenduesit për çmimin në fjalë.
“Romani im i tretë është një nga 14 nominimet për ‘Çmimin e Këshillit Nordik për Letërsi 2021’. Çfarë nderi që është ky? Faleminderit!”, ka shkruar Statovci.
Në fillim të këtij viti ai kishte njoftuar për romanin e tij që mban emër shqip “Bolla”, e i cili gjatë verës do të jetë i qasshëm për lexuesit anglishtfolës në ShBA e Kanada.
Përkthimin e tij e ka bërë David Hackston, i cili në tetor të vitit të kaluar kishte fituar çmimin “Oxford-Weidenfeld” për përkthimin që ia kishte bërë romanit tjetër të Statovcit “Crossing” (Kalimi).
Sipas një sinopsisi për romanin në fjalë, që është i afishuar në faqen personale të autorit, “Bolla” ka në qendër historinë e 22-vjeçarit me emrin Arsim, që në vitin 1995 ishte student në Universitetin e Prishtinës, në kohën kur gjithçka ishte armiqësore për shqiptarët.
Njohja e tij me serbin Milosh ndërthur edhe legjendën e gjarprit demonik të bollës, një rrëfenjë që të dy karaktereve iu jep një gjuhë përmes të cilëve të dy miqtë reflektojnë për ato që kishin dikur.
“E mahnitshme, e ngjeshur, melankolike”, shkruan një recension i botuar në gazetën finlandeze “Turun Sanomat”. “Pesë yje nga pesë sosh. Romani i tretë i Pajtim Statovcit është edhe më i mahnitshëm se pararendësit e tij”, është një tjetër vlerësim i botuar në “Kainuun Sanomat”.
Ndryshe, “Nordic Council Literature Prize” ndahet që prej 1962-tës, për cilëndo vepër letrare nga vendet nordike që përmbush “standarde të larta letrare dhe artistike”. Ai ndahet në mënyrë të përvitshme duke u shoqëruar me një shpërblim prej 350 mijë krunash daneze.
Kandidate për këtë çmim konsiderohen zakonisht romanet, dramat, përmbledhjet me poezi, tregimet e shkurtra, si dhe esetë apo vepra të tjera që janë botuar gjatë dyzet vjetëve të fundit. Çmimi është më prestigjiozi që u ndahet autorëve që shkruajnë në danisht, norvegjisht dhe suedisht.
Fituesi zgjidhet nga një komitet që caktohet nga Këshilli Nordik, që në përbërje të vet ka dhjetë anëtarë nga Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia. Vitin e kaluar çmimi në fjalë iu akordua veprës “Vem dödade bambi?” (Kush e vrau Bambin?) të autores nga Finlanda, Monika Fagerholm.
I lindur me 1990, familja e Statovcit ishte shpërngulur në Finlandë, kur ai ishte vetëm dy vjeç. Tani ai jeton në kryeqytetin finlandez, Helsinki, kurse mban titullin master në letërsinë krahasimtare. Është fitues i “Çmimit të Shkrimtarit të Vitit”, më 2018, kurse tani po ndjek studimet e doktoratës në Universitetin e Helsinkit.
Romani i tij i parë “My Cat Yugoslavia” (Macja ime Jugosllavia), i botuar më 2014, ia solli autorit me prejardhje nga Kosova çmimin prestigjioz “Helsingin Sanomat Literature Prize”.
